Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
7/28/2020 11:11:49 AM

Përvoja e ZKA-së në përballjen me Covid-19, publikohet në gazetën e INTOSA-it

Organizata  Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ka publikuar edicionin e verës të gazetës së saj, ku trajtohen tema të ndryshme lidhur me procesin e auditimit gjatë kësaj periudhe si dhe praktikat e Institucioneve Supreme të Auditimit në ballafaqimin me pandeminë Covid-19. Pjesë e këtij edicioni të gazetës së INTOSA-it përkatësisht në rubrikën për liderët e rinj është edhe Zyra Kombëtare e Auditimit përmes opinionit të punonjës së saj, Qëndresa Mulaj - Udhëheqëse e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Në paraqitjen e saj, Mulaj ka shpalosur përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës gjatë përballjes me virusin Covid-19. Ndër të tjera Mulaj ka thënë se papritur po përballemi me një krizë globale që po kërcënon grupet e ndjeshme si dhe më të dashurit tanë, dhe rrethanat e reja kanë ndikuar drejtpërdrejt tek ne profesionalisht dhe personalisht. “Organizatat, përfshirë Institucionet Supreme të Auditimit, duhet të përshtaten me normën e re dhe të gjejnë mënyra alternative për të vepruar. Është shumë e rëndësishme që udhëheqësit të kenë një përqendrim të fortë te njerëzit dhe marrëdhëniet ndërsa adresojnë proceset, detyrat dhe rezultatet për të përmbushur objektivat dhe afatet kohore”, ka theksuar ajo. Nga përvoja e Zyrës Kombëtare të Auditimit në përballjen me Covid-19, Mulaj ka thënë se është e rëndësishme të ketë komunikim, besim, ndjeshmëri dhe bashkëpunim të mirë. “Mbajtja e ekipit të përqendruar dhe të angazhuar, gjë që mund të ndikojë në arritjen e rezultateve të planifikuara, ka qenë shumë e vështirë gjatë operimit gjatë pandemisë. Situata është akoma shumë e paparashikueshme, kështu që unë komunikoj shpesh, dërgoj mesazhe të qarta, vendos përparësi dhe marr vendime me bindje. Si ekip, ne ndjehemi të fuqizuar dhe pronarë të objektivave tona me qëllim që të kemi sukses”, është shprehur Mulaj. Gazetën mund ta lexoni në këtë link  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Sistemi aktual i arsimit dhe aftësimit profesional nuk i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të tregut të punës

Sistemi aktual i arsimit dhe aftësimit profesional nuk i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të tregut të punës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”. Auditimi është kryer në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe komunat: Prishtinë, Prizren dhe Ferizaj si dhe ka pasur për qëllim të vlerësojë efektivitetin e masave të ndërmarra nga institucionet publike për zhvillimin e njohurive dhe aftësive profesionale dhe ndërlidhjen e tyre me nevojat e vazhdueshme të tregut të punës. Pavarësisht përpjekjeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe të akterëve relevant për të rishikuar kurrikulat e profileve të arsimit dhe aftësimit profesional dhe për t’i bazuar ato në zhvillimin e standardeve të profesionit, ky qëllim nuk është arritur. Kjo për faktin se, një pjesë e konsiderueshme e kurrikulave nuk janë rishikuar ende dhe një numër shumë i kufizuar i institucioneve të arsimit dhe aftësimit profesional janë duke zbatuar kurrikulat e rishikuara. Po ashtu, mësimi praktik në punëtoritë e Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe praktika profesionale në biznese janë realizuar me vështirësi dhe ngecje të mëdha. Institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të ofrojnë mundësi efektive për përvetësimin dhe zhvillimin e aftësive dhe shkathtësive dhe nuk kanë siguruar se janë krijuar kushtet e nevojshme për zbatimin e formave duale të arsimit, kushte këto që mundësojnë realizimin e mësimit praktik në ambientet e shkollës dhe praktikës profesionale në biznese. Kjo është pamundësuar për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme në shkolla, mungesës së kabineteve apo punëtorive, problemeve me pajisjet aktuale, mungesës së materialit shpenzues, etj. Me qëllim të adresimit të shpejtë të çështjeve për të ndërlidhur arsimin dhe aftësimin profesional me kërkesat dhe nevojat e tregut të punës, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 16 rekomandime për institucionet përkatëse. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.
Lexo më shumë
Zyra Kombëtare e Auditimit përfundon me sukses të gjitha auditimet për Pasqyrat Financiare Vjetore 2019

Zyra Kombëtare e Auditimit përfundon me sukses të gjitha auditimet për Pasqyrat Financiare Vjetore 2019

Auditimi i fondeve publike këtë vit ka qenë sfidues për shkak të ndikimit të pandemisë Covid- 19. Balancimi i nevojave për ruajtjen e shëndetit të auditorëve dhe paralelisht zbatimi i mandatit duke siguruar cilësinë e punës sonë ka shkaktuar vonesa në disa raporte individuale të auditimit, por kemi kënaqësinë që përkundër kushteve të rënda të punës të konfirmojmë se Zyra Kombëtare e Auditimit sot ka përfunduar Raportin Vjetor të Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Buxhetit të Republikës të Kosovës për vitin 2019 dhe kështu është  përmbyllur me sukses të plotë viti i auditimit. Përveç performancës financiare të Qeverisë, raportet tona kanë ofruar informata shtesë edhe për fushat tjera që kanë të bëjnë me afarizmin e ndërmarrjeve publike, performancën e shpenzimeve të fondeve publike (ekonomizimi, efektiviteti dhe efikasiteti), si dhe zbatimin e procesit të prokurimit e raportimit financiar. Gjatë vitit raportues kemi audituar 95 organizata buxhetore me një buxhet të përgjithshëm rreth 2.5 miliardë, 14 ndërmarrje publike kryesisht në fushën e telekomunikimit, furnizimit me ujë dhe trajtimit të mbeturinave, 13 auditime të performancës si dhe 9 projekte të financuara nga fondet e donatorëve. Me rastin e përfundimit të vitit auditues, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka theksuar se fokusi parësor i punës sonë kanë qenë vlerësimet për cilësinë e raportimit financiar, dizajnimin dhe efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, si dhe pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Përmes procesit të auditimit kemi konstatuar se ka një progres të lehtë në fushën e raportimit financiar, por mangësitë dhe dobësitë më të theksuara vazhdojnë të mbeten në aktivitetet ekzekutive të buxhetit ku shumë projekte kapitale fillohen pa fonde të mjaftueshme, dhe për shkak të kësaj, ato rrallëherë përfundohen me kohë, ndërkohë që mbikëqyrja nuk parandalon devijimet e shumta nga kushtet e përcaktuara me kontrata. Me këtë rast në mënyrë të veçantë është kërkuar nga Qeveria që të forcoj disiplinën financiare sepse shumat e detyrimeve të papaguara dhe llogarive të arkëtueshme kanë arritur shifra të larta, dhe pa dyshim janë sfidat kryesore të Qeverisë derisa regjistrimi dhe menaxhimi i pasurive paraqesin një problem të përsëritur prej shumë vitesh, dhe progresi në këtë fushë është i varfër. Me rastin e përfundimit të vitit auditues falënderojmë organizatat e audituara për bashkëpunimin korrekt në këto kushte të pandemisë deri sa vlerësojmë me notat më të larta personelin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm përmbyllen me sukses planin e punës. Zyra Kombëtare e Auditimit me 15 shtator fillon vitin e ri të auditimit dhe aktualisht në mënyrë intensive po punohet në planin vjetor të punës 2020/2021.
Lexo më shumë