Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/21/2020 4:51:45 PM

Implementimi i rekomandimeve të Auditorit kontribuon në përmirësimin e menaxhimit të parasë publike

“Qeverisja dhe Shpenzimi i Parasë Publike” ishte tema e debatit të radhës që u mbajt të hënën në Lipjan nga BIRN Kosova në kuadër të projektit “Promovimi i rolit të Auditorit të Përgjithshëm / ZKA në Kosovë”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë Holandeze/ Ministria e Punëve të Jashtme. Të pranishëm në debat ishin kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, drejtori i Departamentit të Auditimit, Bujar Bajraktari, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, asamblistë të kësaj komune si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Drejtori i Departamentit të Auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), Bujar Bajraktari, tha se një debat i tillë nuk i zgjidh të gjitha problemet e menaxhimit dhe shpenzimit të parasë publike, megjithatë i kontribuon përmirësimit të menaxhimin të parasë publike. Duke folur për raportet e auditimit të Komunës së Lipjanit për tri vitet e fundit, Bajraktari theksoi se vërehet një përparim i dukshëm duke marrë parasysh edhe numrin e rekomandimeve. “Në vitin 2017 Komuna e Lipjanit ka pasur 15 rekomandime, në vitin 2018 nëntë rekomandime ndërsa për vitin 2019 janë dhënë gjashtë rekomandime. Lidhur me rekomandimet e vitit 2018 kemi konstatuar se tri rekomandime janë zbatuar, tri rekomandime kanë qenë në proces të zbatimit dhe tri të tjera janë konsideruar të mbyllura”, deklaroi Bajraktari. Tutje Bajraktari tha se çështjet kryesore për vitin 2019 që janë identifikuar në Komunën e Lipjanit përfshijnë keqklasifikimin e shpenzimeve i cili ka ardhur për shkak të ekzekutimit të pagesave për pagat jubilare nga ana e thesarit përmes përmbarimeve gjyqësore; pagesën e disa zyrtarëve të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave;  ngecjen e investimeve kapitale meqë nuk është bërë planifikimi i duhur; si dhe problemet me llogaritë e arkëtueshme, çështje kjo me të cilën ballafaqohen të gjitha komunat. Kurse kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se raporti i auditimit i kësaj komune për vitin 2019 është ndër raportet më të mira në nivel vendi. “Është opinion i pamodifikuar pa theksim të çështjes. Por megjithatë dobësi dhe të meta kemi të gjithë. Në proces e sipër duhet të implementojmë të gjitha rekomandimet që na vijnë prej raporteve të auditimit. Për çdo vit e kemi adresuar planin e implementimit të rekomandimeve në asamblenë komunale. Lipjani është i përkushtuar për të implementuar çdo rekomandim të Auditorit të jashtëm”, u shpreh Ahmeti. Ndër të tjera ai përmendi vështirësitë me të cilat ballafaqohet komuna, duke thënë se alokimi dhe aprovimi i buxhetit nuk po ndodh në kohën e duhur. Sipas Ahmetit, kjo paraqet telashe për shumicën e komunave dhe organizatave buxhetore. Sidoqoftë Ahmeti deklaroi se buxheti i adresohet nevojave të qytetarëve të Lipjanit. Ndërsa redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, duke  prezantuar analizën për të gjeturat e auditorit, tha se Komuna e Lipjanit ka pasur ngecje në ekzekutim të shpenzimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë, që ndoshta lidhet me pandeminë apo me inicimin e projekteve me vonesë. Ai theksoi se në Lipjan vitin e kaluar 55 për qind e buxhetit të investimeve kapitaleve është ekzekutuar në tre mujorin e fundit dhe kjo është njëra prej dobësive që duhet të ndryshohet për shkak se në tre mujorin e fundit shpeshherë institucionet obligohen që të kryejnë punë të cilat ndoshta edhe nuk janë të cilësisë së duhur, vetëm e vetëm që buxheti mos të shkojë në suficit. “Duhet të punohet që shtrirja e projekteve të jetë gjithmonë në gjithë muajt e vitit, planifikimi i prokurimit të bëhet shumë më herët në mënyrë që shpenzimi të mos koncentrohet në tre muajt e fundit për shkak se shpeshherë kushtet atmosferike pamundësojnë kryerjen e punëve në teren. Kjo është njëra prej pikave të dobëta e cila duhet të adresohet dhe normalisht kjo lidhet edhe me një të gjetur tjetër të Auditorit e cila flet për zvarritjen e projekteve në Komunën e Lipjanit. Komuna duhet të jetë më dorë shtrëngues sa i përket trajtimit të operatorëve ekonomik që i zvarrisin punët. Çështja e borxheve që i ka komuna ose që bizneset ja kanë komunës dhe sado që Komuna e Lipjanit qëndron shumë më mirë sa i përket borxheve që palët e treta ja kanë komunës, prapë një borxh prej 4.4 milionë euro është i lartë dhe duhet të adresohet aty ku ka mundësi”, deklaroi Prebreza.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Zbatimi i rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm garanton qeverisje më të mirë në komuna

Zbatimi i rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm garanton qeverisje më të mirë në komuna

Të enjten në Komunën e Kamenicës u mbajt debati i parë nga BIRN Kosova në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” i mbështetur nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë. Pjesëmarrës në këtë debat ishin kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, Udhëheqësi i Auditimit, Astrit Bllaca, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë të kësaj komune. Me këtë rast, Udhëheqësi i Auditimit, Astrit Bllaca, tha se raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për Kuvendin dhe aksionarët për t’iu kërkuar llogari drejtuesve të organizatave buxhetore dhe menaxhereve të ndërmarrjeve publike. Ai tha se rëndësia e raporteve të auditimit qëndron në identifikimin e dobësive në sistemet e qeverisjes, veçanërisht të sistemeve financiare, ndërsa zbatimi i rekomandimeve të auditimit shërben si një mekanizëm për sanimin e këtyre dobësive dhe bërjen e sistemeve më efikase dhe efektive në arritjen e objektivave. Bllaca bëri me dije se për vitin 2019 Komuna e Kamenicës ka opinion të pamodifikuar, që nënkupton se Pasqyrat Financiare Vjetore paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale dhe në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik. “Komuna e Kamenicës kishte shpenzuar 92% të buxhetit final për vitin 2019, 2% me shume krahasuar me vitin 2018. Kontrollet mbi të hyrat dhe shpenzimet në përgjithësi janë të përshtatshme, megjithatë nevojiten përmirësime të mëtutjeshme në fushën e subvencioneve, investimeve kapitale, menaxhimin e pasurisë, obligimeve, llogarive të arkëtueshme dhe klasifikimin e shpenzimeve në kategorinë e duhur ekonomike”, u shpreh ai. Ndër të tjera Bllaca tha se niveli i zbatimit të rekomandimeve është treguesi më i mirë se si menaxhmenti po përmirëson proceset ekzistuese dhe po rrit kontrollet në fushat ku janë identifikuar gabimet dhe parregullsitë. Ai tha se Komuna e Kamenicë qëndron shumë mirë në aspektin e zbatimit të rekomandimeve në raport me komunat e tjera.  “Për vitin 2018 kemi dhënë nëntë rekomandime, prej tyre pesë janë zbatuar, dy nuk janë zbatuar dhe dy konsiderohen të mbyllura. Ndërsa për vitin 2019 janë dhënë nëntë rekomandime, shtatë prej të cilave janë rekomandime të reja dhe dy të përsëritura”, theksoi Bllaca. Ndërkohë kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se për herë të parë Komuna e Kamenicës ka një opinion të pamodifikuar dhe pa theksim të çështjes nga Auditori i Përgjithshëm. Ai theksoi se ky opinion është motiv për këtë komunë që të avancojë qeverisjen dhe shërbimet ndaj qytetarëve. “Për funksionimin sa më të mirë të institucionit pjesa më rëndësishme është auditimi, qoftë auditimi i jashtëm apo i brendshëm. Më sa kam informacion Komuna e Kamenicës për herë të parë ka pranuar një raport të auditimit me opinion të pamodifikuar dhe pa theksim të çështjes. Kjo na ka bërë të ndihemi mirë dhe na motivon që të angazhohemi edhe më shumë dhe të avancojmë tutje”, u shpreh Kastrati. Ai u zotua se do të angazhohet edhe më tutje në zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm. Duke folur për qeverisjen e kësaj komune, Kastrati tha se në vitin 2018 Kamenica ka qenë komuna me përqindjen më të lartë të rritjes së inkasimit të tatimit në pronë. Ai rikujtoj se është rritur edhe buxheti për investime kapitale dhe subvencione krahasuar me dy vitet paraprake. Kastrati tha se problem për Komunën e Kamenicës do të jetë çështja e pagesave për pagat jubilare për mësimdhënës përmes vendimeve gjyqësore. Ai tha se për Kamenicën do të jenë të papërballueshme vendimet e tilla. Ndërsa redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, duke folur për analizën e raporteve të auditimit dhe zbatimin e rekomandimeve, tha se në dy vitet e fundit Komuna e Kamenicës  ka rritur investimet kapitale dhe kjo është një punë e mirë që është bërë. Ai tha se Komuna e Kamenicës vazhdimisht ka pasur opinion jo të mirë të Auditorit, kurse tani ka arritur që të ketë opinion të pamodifikuar dhe pa theksim të çështjes.  “Lajm i mirë është që për vitin 2019 opinion i Auditorit për Komunën e Kamenicës është i pamodifikuar dhe pa theksim të çështjes. Sa i përket çështjes së zbatimit të rekomandimeve duhet të cekim se komunat qëndrojnë jashtëzakonisht keq, është diku rreth 40 % mesatarja e nivelit të zbatimit të rekomandimeve”, tha ai. Prebreza vlerësoi se komunat duhet të rrisin kontrollin e brendshëm dhe zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm. Ai tha se Kamenica nuk qëndron keq në këtë aspekt. “Komuna e Kamenicës ndër vite nuk ka pasur shumë rekomandime,  në dy vitet e fundit kemi më pak rekomandime dhe po ashtu gjatë kësaj periudhe është rritur niveli i zbatimit të rekomandimeve. Në raportin e fundit të auditimit për këtë komunë janë dhënë vetëm nëntë rekomandime, prej të cilave disa janë lehtë të zbatueshme”, deklaroi ai.
Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani dhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari mbajnë takim përshëndetës

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani dhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari mbajnë takim përshëndetës

Me rastin e përfundimit të mandatit të Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari ka pritur në takim përshëndetës Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, ka përgëzuar z. Jashari për përmbushjen me sukses të mandatit pesëvjeçar duke avokuar gjithnjë  mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore në shoqërinë tonë. Osmani në veçanti ka theksuar bashkëpunimin e kultivuar gjatë këtij mandati në mes të dy institucioneve, dhe angazhimin e përbashkët për të adresuar çështje me interes për vendin dhe shoqërinë. Ai ka shprehur përkushtimin që ky nivel i bashkëpunimit institucional të vazhdojë edhe në të ardhmen. Nga ana tjetër Avokati i Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari, e falënderoi Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani për vizitën si dhe e vlerësoi lartë bashkëpunimin me Zyrën Kombëtare të Auditimit gjatë këtyre pesë viteve sa ka drejtuar Institucionin e Avokatit të Popullit.
Lexo më shumë