Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/29/2020 10:15:12 AM

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani dhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari mbajnë takim përshëndetës

Me rastin e përfundimit të mandatit të Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari ka pritur në takim përshëndetës Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, ka përgëzuar z. Jashari për përmbushjen me sukses të mandatit pesëvjeçar duke avokuar gjithnjë  mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore në shoqërinë tonë. Osmani në veçanti ka theksuar bashkëpunimin e kultivuar gjatë këtij mandati në mes të dy institucioneve, dhe angazhimin e përbashkët për të adresuar çështje me interes për vendin dhe shoqërinë. Ai ka shprehur përkushtimin që ky nivel i bashkëpunimit institucional të vazhdojë edhe në të ardhmen. Nga ana tjetër Avokati i Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari, e falënderoi Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani për vizitën si dhe e vlerësoi lartë bashkëpunimin me Zyrën Kombëtare të Auditimit gjatë këtyre pesë viteve sa ka drejtuar Institucionin e Avokatit të Popullit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Implementimi i rekomandimeve të Auditorit kontribuon në përmirësimin e menaxhimit të parasë publike

Implementimi i rekomandimeve të Auditorit kontribuon në përmirësimin e menaxhimit të parasë publike

“Qeverisja dhe Shpenzimi i Parasë Publike” ishte tema e debatit të radhës që u mbajt të hënën në Lipjan nga BIRN Kosova në kuadër të projektit “Promovimi i rolit të Auditorit të Përgjithshëm / ZKA në Kosovë”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë Holandeze/ Ministria e Punëve të Jashtme. Të pranishëm në debat ishin kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, drejtori i Departamentit të Auditimit, Bujar Bajraktari, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, asamblistë të kësaj komune si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Drejtori i Departamentit të Auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), Bujar Bajraktari, tha se një debat i tillë nuk i zgjidh të gjitha problemet e menaxhimit dhe shpenzimit të parasë publike, megjithatë i kontribuon përmirësimit të menaxhimin të parasë publike. Duke folur për raportet e auditimit të Komunës së Lipjanit për tri vitet e fundit, Bajraktari theksoi se vërehet një përparim i dukshëm duke marrë parasysh edhe numrin e rekomandimeve. “Në vitin 2017 Komuna e Lipjanit ka pasur 15 rekomandime, në vitin 2018 nëntë rekomandime ndërsa për vitin 2019 janë dhënë gjashtë rekomandime. Lidhur me rekomandimet e vitit 2018 kemi konstatuar se tri rekomandime janë zbatuar, tri rekomandime kanë qenë në proces të zbatimit dhe tri të tjera janë konsideruar të mbyllura”, deklaroi Bajraktari. Tutje Bajraktari tha se çështjet kryesore për vitin 2019 që janë identifikuar në Komunën e Lipjanit përfshijnë keqklasifikimin e shpenzimeve i cili ka ardhur për shkak të ekzekutimit të pagesave për pagat jubilare nga ana e thesarit përmes përmbarimeve gjyqësore; pagesën e disa zyrtarëve të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave;  ngecjen e investimeve kapitale meqë nuk është bërë planifikimi i duhur; si dhe problemet me llogaritë e arkëtueshme, çështje kjo me të cilën ballafaqohen të gjitha komunat. Kurse kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se raporti i auditimit i kësaj komune për vitin 2019 është ndër raportet më të mira në nivel vendi. “Është opinion i pamodifikuar pa theksim të çështjes. Por megjithatë dobësi dhe të meta kemi të gjithë. Në proces e sipër duhet të implementojmë të gjitha rekomandimet që na vijnë prej raporteve të auditimit. Për çdo vit e kemi adresuar planin e implementimit të rekomandimeve në asamblenë komunale. Lipjani është i përkushtuar për të implementuar çdo rekomandim të Auditorit të jashtëm”, u shpreh Ahmeti. Ndër të tjera ai përmendi vështirësitë me të cilat ballafaqohet komuna, duke thënë se alokimi dhe aprovimi i buxhetit nuk po ndodh në kohën e duhur. Sipas Ahmetit, kjo paraqet telashe për shumicën e komunave dhe organizatave buxhetore. Sidoqoftë Ahmeti deklaroi se buxheti i adresohet nevojave të qytetarëve të Lipjanit. Ndërsa redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, duke  prezantuar analizën për të gjeturat e auditorit, tha se Komuna e Lipjanit ka pasur ngecje në ekzekutim të shpenzimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë, që ndoshta lidhet me pandeminë apo me inicimin e projekteve me vonesë. Ai theksoi se në Lipjan vitin e kaluar 55 për qind e buxhetit të investimeve kapitaleve është ekzekutuar në tre mujorin e fundit dhe kjo është njëra prej dobësive që duhet të ndryshohet për shkak se në tre mujorin e fundit shpeshherë institucionet obligohen që të kryejnë punë të cilat ndoshta edhe nuk janë të cilësisë së duhur, vetëm e vetëm që buxheti mos të shkojë në suficit. “Duhet të punohet që shtrirja e projekteve të jetë gjithmonë në gjithë muajt e vitit, planifikimi i prokurimit të bëhet shumë më herët në mënyrë që shpenzimi të mos koncentrohet në tre muajt e fundit për shkak se shpeshherë kushtet atmosferike pamundësojnë kryerjen e punëve në teren. Kjo është njëra prej pikave të dobëta e cila duhet të adresohet dhe normalisht kjo lidhet edhe me një të gjetur tjetër të Auditorit e cila flet për zvarritjen e projekteve në Komunën e Lipjanit. Komuna duhet të jetë më dorë shtrëngues sa i përket trajtimit të operatorëve ekonomik që i zvarrisin punët. Çështja e borxheve që i ka komuna ose që bizneset ja kanë komunës dhe sado që Komuna e Lipjanit qëndron shumë më mirë sa i përket borxheve që palët e treta ja kanë komunës, prapë një borxh prej 4.4 milionë euro është i lartë dhe duhet të adresohet aty ku ka mundësi”, deklaroi Prebreza.
Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm dhe ambasadorja e Holandës morën pjesë në debatin publik për mbikëqyrjen e të ardhurave dhe shpenzimeve komunale

Auditori i Përgjithshëm dhe ambasadorja e Holandës morën pjesë në debatin publik për mbikëqyrjen e të ardhurave dhe shpenzimeve komunale

Në kuadër të projektit trepalësh në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Qeverisë Holandeze dhe BIRN Kosova sot në Komunën e Vushtrrisë u mbajt debati “Roli i Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe i qytetarëve në mbikëqyrjen e të ardhurave dhe shpenzimeve komunale” i cili ka për qëllim të promovojë mbikëqyrjen publike për të nxitur rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, tha se organizatat buxhetore duhet ta shohin auditimin si një proces të dobishëm dhe bazë të fortë për të avancuar menaxhimin e tyre financiar, siguruar kontrollet e brendshme dhe rritur performancën. Auditori i Përgjithshëm ka theksuar se zbatimi i rekomandimeve, në përgjithësi ka shënuar një rritje të lehtë, megjithatë, shkalla e zbatimit nuk është ende e kënaqshme, sidomos tek niveli lokal.  “Ne vazhdojmë të inkurajojmë drejtuesit e institucioneve publike që të rrisin angazhimin institucional për zbatimin e rekomandimeve të auditimit, pasi kjo do të rezultonte me qeverisje më të mirë dhe shërbime më cilësore për qytetarët. Zbatimi i rekomandimeve të auditimit ka shënuar një rritje të lehtë viteve të fundit, por në përgjithësi shkalla e zbatimit nuk është ende e kënaqshme”, u shpreh Osmani. Në raportin e auditimit për vitin 2019, Komuna e Vushtrrisë ka marrë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes, si dhe i janë adresuar 19 rekomandime. Komuna ka dorëzuar planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve, ndërsa Zyra Kombëtare e Auditimit do të përcjellë procesin e zbatimit sipas planit në auditimin për vitin 2020. Të pranishëm në këtë debat ishin edhe Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezo, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë të kësaj komune. Ndërkohë ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezo, tha se qëllimi i këtij projekti është që të mbështetet misioni i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe të sigurojë se paraja në Kosovë është shpenzuar në bazë të vendimeve të drejta dhe për të mirën e qytetarëve. “Qëllimi ynë është që të rritet transparenca, llogaridhënia për të gjithë kosovarët në çdo nivel,  kjo rrit besimin në institucionet dhe i jep qytetarit ndjenjën se institucionet punojnë për të. Ky është një rrugëtim i vështirë, por është e rëndësishme që të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim. Është me rendësi për Kosovën në përgjithësi dhe luan rol të madh drejt rrugëtimit të Kosovës në BE. Prandaj jam krenare që kemi ofruar këtë mbështetje sepse është me rendësi për të gjitha palët e përfshira dhe për qytetarët e Kosovës sundimi i ligjit, transparenca, llogaridhënia, dhe ky projekt luan rol të rëndësishëm në këtë drejtim”, u shpreh Lobbezo, duke shtuar se Kosova dhe Holanda kanë punuar shumë se bashku në dy dekadat e fundit dhe janë mike të mira. Kurse kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm si sheh si një mundësi që të përmirësojë praktikat e menaxhimit të parasë publike. Ai shprehu gatishmërinë për t’i zbatuar të gjeturat e auditorit në raportin e auditimit për vitin 2019. “E pranoj që nuk është bërë mjaftueshëm në adresim të rekomandimeve për sa i takon raportit të auditimit për vitin 2018. Qëndrojmë shumë më mirë në zbatimin  e rekomandimeve nga njësia e auditorit të brendshëm, por jo tek auditori i jashtëm dhe një prej arsyeje janë disa probleme strukturale që i përmenda tek keqklasifikimi, planifikimi dhe menaxhimi”, deklaroi Tahiri. Ndërsa redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, tha se secili kryetar i komunës apo udhëheqës i institucioni duhet ta merr raportin e auditorit si një udhërrëfyes për punën dhe vizionin  e tij  se si t’i adresoj të gjitha shkeljet. Ai tha se Komuna e Vushtrrisë qëndron mirë sa i përket ekzekutimit të buxhetit për investime kapitale në gjashtëmujorin e parë, megjithatë sipas Prebrezes, një prej elementeve shqetësuese ka qenë ekzekutimi shumë i vogël për subvencione. Gjithashtu sektori i prokurimit  është keq dhe kërkon një intervenim më të shpejtë për adresim. Prebreza tha se Vushtrria qëndron keq në aspektin e zbatimit të rekomandimeve të auditorit dhe për të pasur progres në këtë fushë duhet të bëjë një plan të mirë.
Lexo më shumë