Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/29/2020 5:38:07 PM

Auditori i Përgjithshëm dhe ambasadorja e Holandës morën pjesë në debatin publik për mbikëqyrjen e të ardhurave dhe shpenzimeve komunale

Në kuadër të projektit trepalësh në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Qeverisë Holandeze dhe BIRN Kosova sot në Komunën e Vushtrrisë u mbajt debati “Roli i Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe i qytetarëve në mbikëqyrjen e të ardhurave dhe shpenzimeve komunale” i cili ka për qëllim të promovojë mbikëqyrjen publike për të nxitur rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, tha se organizatat buxhetore duhet ta shohin auditimin si një proces të dobishëm dhe bazë të fortë për të avancuar menaxhimin e tyre financiar, siguruar kontrollet e brendshme dhe rritur performancën. Auditori i Përgjithshëm ka theksuar se zbatimi i rekomandimeve, në përgjithësi ka shënuar një rritje të lehtë, megjithatë, shkalla e zbatimit nuk është ende e kënaqshme, sidomos tek niveli lokal.  “Ne vazhdojmë të inkurajojmë drejtuesit e institucioneve publike që të rrisin angazhimin institucional për zbatimin e rekomandimeve të auditimit, pasi kjo do të rezultonte me qeverisje më të mirë dhe shërbime më cilësore për qytetarët. Zbatimi i rekomandimeve të auditimit ka shënuar një rritje të lehtë viteve të fundit, por në përgjithësi shkalla e zbatimit nuk është ende e kënaqshme”, u shpreh Osmani. Në raportin e auditimit për vitin 2019, Komuna e Vushtrrisë ka marrë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes, si dhe i janë adresuar 19 rekomandime. Komuna ka dorëzuar planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve, ndërsa Zyra Kombëtare e Auditimit do të përcjellë procesin e zbatimit sipas planit në auditimin për vitin 2020. Të pranishëm në këtë debat ishin edhe Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezo, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë të kësaj komune. Ndërkohë ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezo, tha se qëllimi i këtij projekti është që të mbështetet misioni i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe të sigurojë se paraja në Kosovë është shpenzuar në bazë të vendimeve të drejta dhe për të mirën e qytetarëve. “Qëllimi ynë është që të rritet transparenca, llogaridhënia për të gjithë kosovarët në çdo nivel,  kjo rrit besimin në institucionet dhe i jep qytetarit ndjenjën se institucionet punojnë për të. Ky është një rrugëtim i vështirë, por është e rëndësishme që të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim. Është me rendësi për Kosovën në përgjithësi dhe luan rol të madh drejt rrugëtimit të Kosovës në BE. Prandaj jam krenare që kemi ofruar këtë mbështetje sepse është me rendësi për të gjitha palët e përfshira dhe për qytetarët e Kosovës sundimi i ligjit, transparenca, llogaridhënia, dhe ky projekt luan rol të rëndësishëm në këtë drejtim”, u shpreh Lobbezo, duke shtuar se Kosova dhe Holanda kanë punuar shumë se bashku në dy dekadat e fundit dhe janë mike të mira. Kurse kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm si sheh si një mundësi që të përmirësojë praktikat e menaxhimit të parasë publike. Ai shprehu gatishmërinë për t’i zbatuar të gjeturat e auditorit në raportin e auditimit për vitin 2019. “E pranoj që nuk është bërë mjaftueshëm në adresim të rekomandimeve për sa i takon raportit të auditimit për vitin 2018. Qëndrojmë shumë më mirë në zbatimin  e rekomandimeve nga njësia e auditorit të brendshëm, por jo tek auditori i jashtëm dhe një prej arsyeje janë disa probleme strukturale që i përmenda tek keqklasifikimi, planifikimi dhe menaxhimi”, deklaroi Tahiri. Ndërsa redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, tha se secili kryetar i komunës apo udhëheqës i institucioni duhet ta merr raportin e auditorit si një udhërrëfyes për punën dhe vizionin  e tij  se si t’i adresoj të gjitha shkeljet. Ai tha se Komuna e Vushtrrisë qëndron mirë sa i përket ekzekutimit të buxhetit për investime kapitale në gjashtëmujorin e parë, megjithatë sipas Prebrezes, një prej elementeve shqetësuese ka qenë ekzekutimi shumë i vogël për subvencione. Gjithashtu sektori i prokurimit  është keq dhe kërkon një intervenim më të shpejtë për adresim. Prebreza tha se Vushtrria qëndron keq në aspektin e zbatimit të rekomandimeve të auditorit dhe për të pasur progres në këtë fushë duhet të bëjë një plan të mirë.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani dhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari mbajnë takim përshëndetës

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani dhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari mbajnë takim përshëndetës

Me rastin e përfundimit të mandatit të Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari ka pritur në takim përshëndetës Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, ka përgëzuar z. Jashari për përmbushjen me sukses të mandatit pesëvjeçar duke avokuar gjithnjë  mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore në shoqërinë tonë. Osmani në veçanti ka theksuar bashkëpunimin e kultivuar gjatë këtij mandati në mes të dy institucioneve, dhe angazhimin e përbashkët për të adresuar çështje me interes për vendin dhe shoqërinë. Ai ka shprehur përkushtimin që ky nivel i bashkëpunimit institucional të vazhdojë edhe në të ardhmen. Nga ana tjetër Avokati i Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari, e falënderoi Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani për vizitën si dhe e vlerësoi lartë bashkëpunimin me Zyrën Kombëtare të Auditimit gjatë këtyre pesë viteve sa ka drejtuar Institucionin e Avokatit të Popullit.
Lexo më shumë
Vazhdon bashkëpunimi rajonal për sigurimin dhe kontrollin e cilësisë në auditim

Vazhdon bashkëpunimi rajonal për sigurimin dhe kontrollin e cilësisë në auditim

Me qellim të avancimit të kontrollit dhe rritjes së cilësisë në Institucionet Supreme të Auditimit gjatë kësaj jave përmes platformës online “Zoom” u mbajt punëtoria e radhës e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës. Kjo punëtori ishte planifikuar të mbahej në fund të marsit në Prishtinë, por për shkak të situatës me pandeminë Covid-19, ky aktivitetet ishte pezulluar. Synimi kryesor i kësaj punëtorie ishte që pjesëmarrësit nga tri Institucione Supreme të Auditimit të avancojnë njohuritë për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e një sistemi të qartë dhe të strukturuar të kontrollit të cilësisë. Në veçanti pjesëmarrësit diskutuan mundësitë e ndryshme se si të ndajnë përgjegjësitë midis pozicioneve të ndryshme në hierarkisië. Po ashtu ata u fokusuan edhe të sqarimet për ndryshimin/dallimin midis kontrollit të cilësisë dhe sistemeve të sigurimit të cilësisë. Institucionet Supreme të Auditimit nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina shkëmbyen zgjidhjet më të mira për ndërtimin e sistemit të tyre të kontrollit të cilësisë dhe aktivitetet që mund të nevojiten për të qenë në gjendje të zhvillojnë këto sisteme. Për një javë rresht SAI-t pjesëmarrëse përshkruan se si ata punojnë me kontrollin e cilësisë dhe sigurimin e cilësisë në organizatat e tyre, përfshirë përshkrimin e hierarkive dhe delegimin e përgjegjësive. Mbajtja e kësaj punëtorie është vazhdim i serisë së punëtorive të mbajtura në Sarajevë dhe Podgoricë gjatë vitit 2019, në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë për Institucionet Supreme të Auditimit në Ballkanin Përendimor.
Lexo më shumë