Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/15/2020 2:46:00 PM

Auditori i Përgjithshëm inkurajon komunat në veri që t’i zbatojnë rekomandimet e auditimit

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, sot  mori pjesë në debatin publik të mbajtur në Mitrovicën e Veriut për të diskutuar raportet e auditimit për komunën e  Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit. Debati është organizuar në kuadër të zbatimit të projektit trepalësh në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Qeverisë Holandeze dhe BIRN Kosova “Roli i Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe i qytetarëve në mbikëqyrjen e të ardhurave dhe shpenzimeve komunale”. Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka vlerësuar bashkëpunimin e menaxhmentit dhe personelit të katër komunave gjatë procesit të auditimit si dhe ka inkurajuar kryetarët e komunave veriore që të ndërmarrin veprimet e duhura për t’i zbatuar rekomandimet e auditimit, pasi kjo do të rezultonte me qeverisje më të mirë dhe shërbime më cilësore për qytetarët. Ai bërë me dije se komunat vazhdojnë ta kenë shkallën më të ulët të zbatimit të rekomandimeve 37 për qind krahasuar me nivelin qendror 41 për qind dhe institucionet e pavarura 71 për qind. Osmani tha se sikurse institucionet e tjera, edhe komunat në veri duhet ta shohin auditimin si një mekanizëm të mirë për të përmirësuar qeverisjen. Në raportin e auditimit për vitin 2019, Komuna e Mitrovicës Veriore ka marrë opinion të pamodifikuar, si dhe i janë adresuar 12 rekomandime. Ndërsa nga 10 rekomandimet e 2018-tës, dy janë zbatuar, tri ishin në proces, katër nuk janë adresuar, dhe një ishte mbyllur. Sipas të gjeturave të raportit të auditimit për vitin 2019 në Komunën e Mitrovicës Veriore mangësi janë vërejtur në menaxhimin dhe arkëtimin e të hyrave nga tatimi në pronë; menaxhimin e personelit; mallra dhe shërbime; investime kapitale; subvencione dhe transfere si dhe në menaxhimin e pasurive. Komuna e Leposaviqit në raportin e auditimit për vitin 2019 ka marrë opinion të pakualifikuar, si dhe i janë adresuar pesë rekomandime. Nga 10 rekomandimet e vitit të kaluar, pesë janë zbatuar plotësisht, tri pjesërisht si dhe dy janë të mbyllura. Rezultatet e auditimit të 2019-së për Leposaviqin tregojnë se menaxhimi financiar dhe kontrolli ka rezultuar me dobësi dhe nevojiten përmirësime në moszbatimin e ligjeve për mbledhjen e të hyrave, në kontratat e zjarrfikësve, planifikimin dhe realizimin e prokurimit, mungesën e regjistrave të pasurisë, si dhe mosfunksionimi i auditimit të brendshëm. Komuna e Zveçanit ka marrë opinion të pamodifikuar në raportin e auditimit për vitin 2019, si dhe i janë dhënë nëntë rekomandime. Nga 15 rekomandime e 2018-së, katër janë zbatuar plotësisht, një pjesërisht, shtatë ishin të përsëritura dhe tri janë të mbyllura. Në raportin e auditimit të vitit 2019 për Zveçanin janë evidentuar keq klasifikimi i shpenzimeve; moszbatimi i ligjeve për mbledhjen e të hyrave; anashkalim i procedurave të rekrutimit; mosazhurnim i kontratave të punës dhe listave të pagave; dobësi në menaxhimin e shpenzimeve për automjete; dobësi në dhënien dhe monitorimin e subvencioneve si dhe parregullsi në menaxhimin dhe shpalosjen e pasurive në PFV. Ndërkaq gjetjet kryesor të raportit të auditimit për Komunën e Zubin Potokut gjatë vitit 2019 kanë të bëjnë me moszbatimin e ligjeve për mbledhjen e të hyrave; dosjet e punonjësve të pakompletuara, mungesën e regjistrave të pasurisë; mos themelimin e njësisë së auditimit të brendshëm si dhe dobësive në raportimin e obligimeve të papaguara. Për 2019-në Zveçanit i është dhënë opinion i pamodifikuar me theksim të çështjes, si dhe i janë adresuar gjashtë rekomandime. Nga 12 rekomandime e dhëna për vitin 2018, tri janë zbatuar plotësisht, një pjesërisht, pesë ishin të përsëritura dhe tri janë të mbyllura.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Sistemi Informativ i Auditimit SITA, mundëson digjitalizimin e plotë të punës audituese

Sistemi Informativ i Auditimit SITA, mundëson digjitalizimin e plotë të punës audituese

ZKA-ja lanson sistemin elektronik për menaxhimin e auditimit SITA Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka shënuar një sukses tjetër sa i përket procesit të digjitalizimit të  punës audituese. Pas një angazhimi intensiv dhe pune të përkushtuar është zhvilluar tërësisht dhe testuar sistemi elektronik për menaxhimin e auditimit i quajtur Sistemi Informativ i Auditimit – SITA[1]. SITA është sistem në pronësi të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe është zhvilluar duke u bazuar në metodologjitë përkatëse të auditimit që zbaton ZKA-ja. Ky sistem është një mjet i shkëlqyeshëm për të siguruar aplikim më efikas të metodologjisë audituese, për të rritur produktivitetin si dhe për të garantuar cilësi, veçanërisht në auditimet komplekse ku kërkohet siguri e lartë dhe pajtueshmëri me standardet, ligjet dhe rregulloret. Në veçanti Sistemi Informativ i Auditimit do të lejojë që auditorët në mënyrë të automatizuar të kenë qasje në informacionin e nevojshëm në një kohë të shkurtër si dhe të përdorin një numër metodash dhe të bëjnë llogaritjet audituese në mënyrë efektive dhe efikase në krahasim me metodat e punës tradicionale. Që nga janari i këtij viti, janë mbajtur me dhjetëra sesione punuese nga personat përgjegjës të ZKA-së, me qëllim të analizimit dhe diskutimit në hollësi të të gjitha letrave të punës për të gjitha llojet e auditimit para se ato të vendosen në sistem. Përveç testimeve formale të funksionaliteteve të sistemit, ekipet e zgjedhura të auditimit kanë bërë edhe testimin detaj të secilit modul, duke praktikuar në pikat kyçe gjithë ciklin auditues. Ky testim ka zgjatur disa ditë dhe ka ofruar sigurinë se mund të shkohet tutje në zbatim të sistemit në punën reale, dhe se vënia në përdorim e tij lehtëson në masë të madhe punën e auditorëve si dhe rrit cilësinë dhe transparencën në proceset e punës. Për të mbyllur ciklin përgatitor për sezonën e re audituese dhe siguruar përdorim efektiv të sistemit, nga data 5 deri me 16 tetor stafi auditues po ndjek trajnimet intensive online për të mundësuar kalim më të lehtë në metodën e re të punës. Gjatë trajnimeve auditorët kanë mundësi të ndjekin materialet (udhëzimet dhe videot e përgatitura), të realizojnë ushtrimet praktike dhe të diskutojnë me trajnerët apo me njëri tjetrin. Pas gjithë këtyre përgatitjeve dhe aktiviteteve hap pas hapi Zyra Kombëtare e Auditimit e fillon vitin e ri auditues 2020/2021 duke zbatuar sistemin elektronik të auditimit, i cili ka mundësuar digjitalizim të plotë të gjithë punës audituese për të gjitha fazat e auditimit. Sistemi Informativ i Auditimit – SITA është zhvilluar nga Konsorciumi ‘Infosoft Systems’ Prishtinë dhe ‘Enter doo’ Ohër, me profesionalizëm të lartë dhe duke ofruar zgjidhjet dhe përshtatjet e sistemit në pajtim me secilën kërkesë në veçanti. Çdo modul i zhvilluar është prezantuar pas implementimit në sistem dhe janë vlerësuar të gjitha dobitë dhe avancimet që funksionet e sistemit mundësojnë për punën audituese. Një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve punuese janë zhvilluar në kushte të pandemisë dhe ka qenë mjaft sfiduese për ekipin që një projekt i këtyre përmasave të realizohet suksesshëm përmes punës nga distanca. Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë zhvillimit të këtij projekti ka marrë përkrahje edhe nga USAID. [1] Emërtimi SITA përkon me logon zyrtare të ZKA-së si simbol i identitetit vizuel me të cilin përfaqësohet Zyra.
Lexo më shumë
Kryeministri Avdullah Hoti priti në takim Auditorin e Përgjithshëm Besnik Osmani

Kryeministri Avdullah Hoti priti në takim Auditorin e Përgjithshëm Besnik Osmani

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, priti sot në takim Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës, Besnik Osmani dhe Zëvendës Auditorin e Përgjithshëm, Ilir Salihu. Me këtë rast, kryeministri Hoti  dhe Auditori Osmani biseduan për progresin në reformën e menaxhimit të financave publike, si dhe për aplikimin e standardeve të njohura ndërkombëtare dhe praktikave të mira të auditimit në sektorin publik. “Qeveria do të ndërmarrë veprimet e nevojshme sipas rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditorit”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se në mbledhjet e ardhshme të Qeverisë do të merren vendime ekzekutive për të adresuar të gjeturat e auditorit.
Lexo më shumë