Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/22/2020 3:47:01 PM

Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2019 i Zyrës Kombëtare të Auditimit dërgohet për shqyrtim në seancë të Kuvendit

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka prezantuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Raportin Vjetor të Auditimit për vitin fiskal 2019 i cili përfshinë opinionin, gjetjet kryesore dhe rekomandimet e ZKA-së për Qeverinë dhe Parlamentin. Auditori i Përgjithshëm ka thënë se përmes procesit të auditimit është konstatuar se ka një progres të lehtë në fushën e raportimit financiar por mangësitë dhe dobësitë më të theksuara vazhdojnë të mbeten në aktivitetet ekzekutive të buxhetit ku shumë projekte kapitale fillohen pa fonde të mjaftueshme, dhe për shkak të kësaj, ato rrallë herë përfundohen me kohë, ndërkohë që mbikëqyrja nuk parandalon devijimet e shumta nga kushtet e përcaktuara me kontrata. Duke prezantuar para deputetëve rezultatet e auditimit të 2019-së, Osmani tregoi se janë publikuar 132 raporte të auditimit për 95 organizata buxhetore; 14 ndërmarrje publike; 9 projekte të donatorëve; 13 auditime të performancës; dhe Raportin për Pasqyrat Financiare të Qeverisë. Nga 95 organizata buxhetore, prej tyre 69 kanë marrë opinione të pakualifikuara dhe 26 opinione të pakualifikuara me theksim të çështjes. Nga 14 Ndërmarrje Publike, 5 kanë marrë opinione të kualifikuara; 7 opinione të kundërt; 1 mohim të opinionit; dhe 1 opinion të pakualifikua më theksim të çështjes. Sa i përket rekomandimeve krahasuar me vitin 2018, në 2019-në numri i rekomandimeve të dhëna nga ZKA-ja është zvogëluar, përderisa është rritur përqindja e zbatimit të tyre. Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ishte e pranishme në takim ndërsa ka deklaruar se Qeveria ka hartuar dhe dorëzuar planin  e veprimit dhe se do të angazhohet në adresimin e rekomandimeve të dhëna nga Auditori i Përgjithshëm. Pas një debati disa orësh nga anëtarët e Komisionit, Raporti Vjetor i Auditimit me rekomandime është miratuar dhe proceduar tutje për shqyrtim në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Kryeministri Avdullah Hoti priti në takim Auditorin e Përgjithshëm Besnik Osmani

Kryeministri Avdullah Hoti priti në takim Auditorin e Përgjithshëm Besnik Osmani

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, priti sot në takim Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës, Besnik Osmani dhe Zëvendës Auditorin e Përgjithshëm, Ilir Salihu. Me këtë rast, kryeministri Hoti  dhe Auditori Osmani biseduan për progresin në reformën e menaxhimit të financave publike, si dhe për aplikimin e standardeve të njohura ndërkombëtare dhe praktikave të mira të auditimit në sektorin publik. “Qeveria do të ndërmarrë veprimet e nevojshme sipas rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditorit”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se në mbledhjet e ardhshme të Qeverisë do të merren vendime ekzekutive për të adresuar të gjeturat e auditorit.
Lexo më shumë
Zyra Kombëtare e Auditimit -17 vjet punë, sfida dhe suksese!

Zyra Kombëtare e Auditimit -17 vjet punë, sfida dhe suksese!

Shtatëmbëdhjetë vite më parë kur nisi rrugëtimin Zyra Kombëtare e Auditimit, çdo tetor e dëshmon domosdonë e themelimit të saj si institucion i rëndësishëm për mbikëqyrjen e fondeve publike dhe rritjen e kontrollit ekonomik dhe financiar në shtetin e Kosovës. Rrugëtimi i Zyrës përgjatë gjithë këtyre viteve u  karakterizua me shumë punë dhe angazhim, ndërsa sukseset shtatëmbëdhjetë vite më pas janë të dukshme. Gati dy dekada më parë Zyra Kombëtare e Auditimit kishte nisur punën e vet si institucion publik, me një numër të kufizuar të punonjësve dhe duke kryer dhjetëra auditime, kryesisht të rregullsisë. Tani ky institucion është rritur profesionalisht dhe ka në gjirin e vet rreth 170 të punësuar dhe realizon më shumë se 120 auditime në vit,  përfshirë auditimet e performancës dhe të ndërmarrjeve publike. Falë profesionalizmit, integritetit dhe paanshmërisë, ZKA-ja sot gëzon kredibilitet të lartë dhe është vlerësuar si një ndër institucionet më të besueshme në Kosovë. Ka shënuar rezultate të kënaqshme edhe në nivelin ndërkombëtarë. Padyshim se një prej tyre, është anëtarësimi i ZKA-së me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Ky anëtarësim përbën arritjen më të madhe në historinë e auditimit të jashtëm, të sektorit publik të Republikës së Kosovës. Sikurse deri më tani, Zyra Kombëtare e Audtimit, do të mbetet institucion i pavarur i sektorit publik, duke rritur cilësinë e punës së saj dhe duke i ofruar Kuvendit e publikut raporte kredibile dhe relevante. Përmes punës audituese dhe rritjes së ndikimit te institucionet shtetërore për të zbatuar rekomandimet e auditimit, ZKA synon të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Në përvjetorin e 17-të ndanë me të gjithë bashkëpunëtorët krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm që ZKA-ja ka bërë ndër vite. Pjekuria dhe përgjegjshmëria e lartë profesionale, që karakterizon institucionin dhe punonjësit e saj, do të mundësojë një zhvillim edhe më të shpejtë e të shumëdëshiruar. Zyra Kombëtare e Auditimit këtë përvjetor do ta shënojë në mënyrë simbolike, përmes aktiviteteve virtuale, për shkak të pandemisë dhe me qëllim të respektimit të masave për mbrojtje nga Covid-19.
Lexo më shumë