Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/26/2020 5:48:38 PM

Zyra Kombëtare e Auditimit -17 vjet punë, sfida dhe suksese!

Shtatëmbëdhjetë vite më parë kur nisi rrugëtimin Zyra Kombëtare e Auditimit, çdo tetor e dëshmon domosdonë e themelimit të saj si institucion i rëndësishëm për mbikëqyrjen e fondeve publike dhe rritjen e kontrollit ekonomik dhe financiar në shtetin e Kosovës. Rrugëtimi i Zyrës përgjatë gjithë këtyre viteve u  karakterizua me shumë punë dhe angazhim, ndërsa sukseset shtatëmbëdhjetë vite më pas janë të dukshme. Gati dy dekada më parë Zyra Kombëtare e Auditimit kishte nisur punën e vet si institucion publik, me një numër të kufizuar të punonjësve dhe duke kryer dhjetëra auditime, kryesisht të rregullsisë. Tani ky institucion është rritur profesionalisht dhe ka në gjirin e vet rreth 170 të punësuar dhe realizon më shumë se 120 auditime në vit,  përfshirë auditimet e performancës dhe të ndërmarrjeve publike. Falë profesionalizmit, integritetit dhe paanshmërisë, ZKA-ja sot gëzon kredibilitet të lartë dhe është vlerësuar si një ndër institucionet më të besueshme në Kosovë. Ka shënuar rezultate të kënaqshme edhe në nivelin ndërkombëtarë. Padyshim se një prej tyre, është anëtarësimi i ZKA-së me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Ky anëtarësim përbën arritjen më të madhe në historinë e auditimit të jashtëm, të sektorit publik të Republikës së Kosovës. Sikurse deri më tani, Zyra Kombëtare e Audtimit, do të mbetet institucion i pavarur i sektorit publik, duke rritur cilësinë e punës së saj dhe duke i ofruar Kuvendit e publikut raporte kredibile dhe relevante. Përmes punës audituese dhe rritjes së ndikimit te institucionet shtetërore për të zbatuar rekomandimet e auditimit, ZKA synon të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Në përvjetorin e 17-të ndanë me të gjithë bashkëpunëtorët krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm që ZKA-ja ka bërë ndër vite. Pjekuria dhe përgjegjshmëria e lartë profesionale, që karakterizon institucionin dhe punonjësit e saj, do të mundësojë një zhvillim edhe më të shpejtë e të shumëdëshiruar. Zyra Kombëtare e Auditimit këtë përvjetor do ta shënojë në mënyrë simbolike, përmes aktiviteteve virtuale, për shkak të pandemisë dhe me qëllim të respektimit të masave për mbrojtje nga Covid-19.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2019 i Zyrës Kombëtare të Auditimit dërgohet për shqyrtim në seancë të Kuvendit

Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2019 i Zyrës Kombëtare të Auditimit dërgohet për shqyrtim në seancë të Kuvendit

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka prezantuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Raportin Vjetor të Auditimit për vitin fiskal 2019 i cili përfshinë opinionin, gjetjet kryesore dhe rekomandimet e ZKA-së për Qeverinë dhe Parlamentin. Auditori i Përgjithshëm ka thënë se përmes procesit të auditimit është konstatuar se ka një progres të lehtë në fushën e raportimit financiar por mangësitë dhe dobësitë më të theksuara vazhdojnë të mbeten në aktivitetet ekzekutive të buxhetit ku shumë projekte kapitale fillohen pa fonde të mjaftueshme, dhe për shkak të kësaj, ato rrallë herë përfundohen me kohë, ndërkohë që mbikëqyrja nuk parandalon devijimet e shumta nga kushtet e përcaktuara me kontrata. Duke prezantuar para deputetëve rezultatet e auditimit të 2019-së, Osmani tregoi se janë publikuar 132 raporte të auditimit për 95 organizata buxhetore; 14 ndërmarrje publike; 9 projekte të donatorëve; 13 auditime të performancës; dhe Raportin për Pasqyrat Financiare të Qeverisë. Nga 95 organizata buxhetore, prej tyre 69 kanë marrë opinione të pakualifikuara dhe 26 opinione të pakualifikuara me theksim të çështjes. Nga 14 Ndërmarrje Publike, 5 kanë marrë opinione të kualifikuara; 7 opinione të kundërt; 1 mohim të opinionit; dhe 1 opinion të pakualifikua më theksim të çështjes. Sa i përket rekomandimeve krahasuar me vitin 2018, në 2019-në numri i rekomandimeve të dhëna nga ZKA-ja është zvogëluar, përderisa është rritur përqindja e zbatimit të tyre. Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ishte e pranishme në takim ndërsa ka deklaruar se Qeveria ka hartuar dhe dorëzuar planin  e veprimit dhe se do të angazhohet në adresimin e rekomandimeve të dhëna nga Auditori i Përgjithshëm. Pas një debati disa orësh nga anëtarët e Komisionit, Raporti Vjetor i Auditimit me rekomandime është miratuar dhe proceduar tutje për shqyrtim në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës.
Lexo më shumë
Komunës së Ferizajt i kërkohet të rris nivelin e zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm

Komunës së Ferizajt i kërkohet të rris nivelin e zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm

Drejtuesit e Komunës së Ferizajt duhet t’i adresojnë dhe zbatojnë rekomandimet e dhëna nga Auditori i Përgjithshëm. Kështu u tha të hënën në debatin e mbajtur në Ferizaj në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës" i mbështetur nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë. Të pranishëm në këtë debat ishin nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Arton Gavazi, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, Udhëheqësi i Auditimit, Bujar Bajraktari, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë komunal. Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Bujar Bajraktari, prezantoi raportin dhe nxori në pah se  Komuna e Ferizajt ka marrë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes. “Theksimi i çështjes është për shkak të keq-klasifikimit të shpenzimeve të cilat kryesisht kanë ndodhur nga pagesat e bëra direkt nga Thesari përmes procedurave përmbarimore. Përveç opinionit në raport kemi ngritur disa çështje që mbulojnë fusha të ndryshme të menaxhimit financiar, përfshirë të hyrat, shpenzimet, menaxhimin e pasurive, detyrimet etj. Po ashtu janë dhënë 20 rekomandime”, tha Bajraktari, duke shtuar se sa i përket zbatimit të rekomandimeve, nga 25 rekomandime sa kanë qenë në 2018, prej tyre 6 janë zbatuar plotësisht 2 pjesërisht, 12 nuk janë zbatuar si dhe 5 janë konsideruar të mbyllura. Ai foli edhe për bashkëpunimin me Komunën e Ferizajt gjatë kohës kur është realizuar auditimi, duke vlerësuar se krahasuar me vitin paraprak, bashkëpunimi me zyrtarët e komunës ishte dukshëm më i mirë. Nga ana tjetër nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Arton Gavazi, tha se raporti i auditimit i vitit 2019 për Komunën e Ferizajt tregon gjendje më të mirë se raporti për vitin paraprak dhe ka më pak rekomandime. Ai u zotua se të gjitha rekomandimet e dhëna nga Auditori i Përgjithshëm do të adresohen dhe zbatohen. “Opinioni i raportit të auditimit për Komunën e Ferizajt për vitin 2019 është ‘Opinion i pamodifikuar me theksim të çështjes’, pra është më i mirë se i vitit të kaluar. Kjo falë angazhimit dhe përkushtimit të të gjithëve. Por gabimet janë njerëzore dhe aty ku punohet mund të ketë gabime, sepse nuk jemi të përkryer. Bazuar në afatet ligjore ne kemi hartuar planin e veprimit për rekomandimet e dhëna në raport dhe jemi zotuar se do të zbatojmë ato dhe do të mbikëqyrim zbatimin e tyre një nga një”, theksoi Gavazi. Ai tha se komuna ka ndërmarr masa ndaj atyre që kanë bërë shkelje. Ndërsa redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza tha se zbatimi i rekomandimeve të auditimit e ngrit mirëqenien e qytetarëve, nivelin e qeverisjes dhe mbi të gjitha e ruan buxhetin.  Ai shtoi se në Komunën e Ferizajt janë vërejtur dobësi në të gjitha hallkat e prokurimit, niveli i lartë i borxheve ndaj operatorëve si dhe nënshkrimi i kontratave mbi vepër pa kritere. “Këtë vit ka një përmirësim të opinionit për shkak se ka një opinion të pamodifikuar por me theksim të çështjes. Komuna e Ferizajt ka një numër shumë të madh të rekomandimeve që ka pranuar nga Auditori i Përgjithshëm. Vitin e kaluar ka pranuar 25 rekomandime, kurse këtë vit ka pranuar 20 rekomandime. Megjithatë Ferizaj nuk qëndron mirë me nivelin e zbatimit të rekomandimeve. Prej 25 rekomandime vetëm 6 prej tyre janë zbatuar plotësisht që është jashtëzakonisht pak, prandaj ka shumë punë për tu bërë në mënyrë që niveli i zbatimit të rekomandimeve të jetë shumë më i lartë”, deklaroi Prebreza.
Lexo më shumë