Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/27/2020 10:30:10 AM

Komunës së Ferizajt i kërkohet të rris nivelin e zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm

Drejtuesit e Komunës së Ferizajt duhet t’i adresojnë dhe zbatojnë rekomandimet e dhëna nga Auditori i Përgjithshëm. Kështu u tha të hënën në debatin e mbajtur në Ferizaj në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës" i mbështetur nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë. Të pranishëm në këtë debat ishin nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Arton Gavazi, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, Udhëheqësi i Auditimit, Bujar Bajraktari, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë komunal. Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Bujar Bajraktari, prezantoi raportin dhe nxori në pah se  Komuna e Ferizajt ka marrë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes. “Theksimi i çështjes është për shkak të keq-klasifikimit të shpenzimeve të cilat kryesisht kanë ndodhur nga pagesat e bëra direkt nga Thesari përmes procedurave përmbarimore. Përveç opinionit në raport kemi ngritur disa çështje që mbulojnë fusha të ndryshme të menaxhimit financiar, përfshirë të hyrat, shpenzimet, menaxhimin e pasurive, detyrimet etj. Po ashtu janë dhënë 20 rekomandime”, tha Bajraktari, duke shtuar se sa i përket zbatimit të rekomandimeve, nga 25 rekomandime sa kanë qenë në 2018, prej tyre 6 janë zbatuar plotësisht 2 pjesërisht, 12 nuk janë zbatuar si dhe 5 janë konsideruar të mbyllura. Ai foli edhe për bashkëpunimin me Komunën e Ferizajt gjatë kohës kur është realizuar auditimi, duke vlerësuar se krahasuar me vitin paraprak, bashkëpunimi me zyrtarët e komunës ishte dukshëm më i mirë. Nga ana tjetër nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Arton Gavazi, tha se raporti i auditimit i vitit 2019 për Komunën e Ferizajt tregon gjendje më të mirë se raporti për vitin paraprak dhe ka më pak rekomandime. Ai u zotua se të gjitha rekomandimet e dhëna nga Auditori i Përgjithshëm do të adresohen dhe zbatohen. “Opinioni i raportit të auditimit për Komunën e Ferizajt për vitin 2019 është ‘Opinion i pamodifikuar me theksim të çështjes’, pra është më i mirë se i vitit të kaluar. Kjo falë angazhimit dhe përkushtimit të të gjithëve. Por gabimet janë njerëzore dhe aty ku punohet mund të ketë gabime, sepse nuk jemi të përkryer. Bazuar në afatet ligjore ne kemi hartuar planin e veprimit për rekomandimet e dhëna në raport dhe jemi zotuar se do të zbatojmë ato dhe do të mbikëqyrim zbatimin e tyre një nga një”, theksoi Gavazi. Ai tha se komuna ka ndërmarr masa ndaj atyre që kanë bërë shkelje. Ndërsa redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza tha se zbatimi i rekomandimeve të auditimit e ngrit mirëqenien e qytetarëve, nivelin e qeverisjes dhe mbi të gjitha e ruan buxhetin.  Ai shtoi se në Komunën e Ferizajt janë vërejtur dobësi në të gjitha hallkat e prokurimit, niveli i lartë i borxheve ndaj operatorëve si dhe nënshkrimi i kontratave mbi vepër pa kritere. “Këtë vit ka një përmirësim të opinionit për shkak se ka një opinion të pamodifikuar por me theksim të çështjes. Komuna e Ferizajt ka një numër shumë të madh të rekomandimeve që ka pranuar nga Auditori i Përgjithshëm. Vitin e kaluar ka pranuar 25 rekomandime, kurse këtë vit ka pranuar 20 rekomandime. Megjithatë Ferizaj nuk qëndron mirë me nivelin e zbatimit të rekomandimeve. Prej 25 rekomandime vetëm 6 prej tyre janë zbatuar plotësisht që është jashtëzakonisht pak, prandaj ka shumë punë për tu bërë në mënyrë që niveli i zbatimit të rekomandimeve të jetë shumë më i lartë”, deklaroi Prebreza.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Zyra Kombëtare e Auditimit -17 vjet punë, sfida dhe suksese!

Zyra Kombëtare e Auditimit -17 vjet punë, sfida dhe suksese!

Shtatëmbëdhjetë vite më parë kur nisi rrugëtimin Zyra Kombëtare e Auditimit, çdo tetor e dëshmon domosdonë e themelimit të saj si institucion i rëndësishëm për mbikëqyrjen e fondeve publike dhe rritjen e kontrollit ekonomik dhe financiar në shtetin e Kosovës. Rrugëtimi i Zyrës përgjatë gjithë këtyre viteve u  karakterizua me shumë punë dhe angazhim, ndërsa sukseset shtatëmbëdhjetë vite më pas janë të dukshme. Gati dy dekada më parë Zyra Kombëtare e Auditimit kishte nisur punën e vet si institucion publik, me një numër të kufizuar të punonjësve dhe duke kryer dhjetëra auditime, kryesisht të rregullsisë. Tani ky institucion është rritur profesionalisht dhe ka në gjirin e vet rreth 170 të punësuar dhe realizon më shumë se 120 auditime në vit,  përfshirë auditimet e performancës dhe të ndërmarrjeve publike. Falë profesionalizmit, integritetit dhe paanshmërisë, ZKA-ja sot gëzon kredibilitet të lartë dhe është vlerësuar si një ndër institucionet më të besueshme në Kosovë. Ka shënuar rezultate të kënaqshme edhe në nivelin ndërkombëtarë. Padyshim se një prej tyre, është anëtarësimi i ZKA-së me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Ky anëtarësim përbën arritjen më të madhe në historinë e auditimit të jashtëm, të sektorit publik të Republikës së Kosovës. Sikurse deri më tani, Zyra Kombëtare e Audtimit, do të mbetet institucion i pavarur i sektorit publik, duke rritur cilësinë e punës së saj dhe duke i ofruar Kuvendit e publikut raporte kredibile dhe relevante. Përmes punës audituese dhe rritjes së ndikimit te institucionet shtetërore për të zbatuar rekomandimet e auditimit, ZKA synon të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Në përvjetorin e 17-të ndanë me të gjithë bashkëpunëtorët krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm që ZKA-ja ka bërë ndër vite. Pjekuria dhe përgjegjshmëria e lartë profesionale, që karakterizon institucionin dhe punonjësit e saj, do të mundësojë një zhvillim edhe më të shpejtë e të shumëdëshiruar. Zyra Kombëtare e Auditimit këtë përvjetor do ta shënojë në mënyrë simbolike, përmes aktiviteteve virtuale, për shkak të pandemisë dhe me qëllim të respektimit të masave për mbrojtje nga Covid-19.
Lexo më shumë
Zyra Kombëtare e Auditimit mbetet e përkushtuar të përmbush misionin e saj kushtetues dhe ligjor

Zyra Kombëtare e Auditimit mbetet e përkushtuar të përmbush misionin e saj kushtetues dhe ligjor

Me aktivitete simbolike Zyra Kombëtare e Auditimit të premten ka shënuar shtatëmbëdhjetë vjetorin e themelimit. Në kuadër të këtyre aktiviteteve është mbajtur edhe një takim online si dhe janë ndarë mirënjohje për tridhjetë punonjës të cilët kanë mbushur 10 vjet punë në ZKA. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, përgëzoj stafin për punën dhe sukseset e arritura gjatë këtyre viteve, me ç ‘rast tha se falë profesionalizmit dhe paanshmërisë, ZKA-ja gëzon kredibilitet të lartë dhe është vlerësuar si një ndër institucionet më të besueshme në Kosovë. Ai vlerësoi se sukseset përgjatë këtyre viteve nuk kanë munguar, mirëpo sipas tij, ka ende shumë punë për t’u bërë meqenëse kërkesat për llogaridhënie po rriten gjithnjë e më shumë. “Për të gjitha arritjet, aksionarë kryesor jeni ju auditor dhe punonjës të tjerë të Zyrës, që me përkushtim dhe profesionalizëm të lart po përmbushni misionin e ZKA-së si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar në Republikën e Kosovës. Prandaj jam thellësisht mirënjohës secilit prej jush për punën e palodhshme, e veçanërisht gjatë kohës së pandemisë ku paralelisht me ruajtjen e shëndetit tuaj keni arritur të realizoni punë cilësore brenda afateve ligjore. Sukseset e arritura përgjatë këtyre viteve na bëjnë të ndihemi krenar, por jemi të vetëdijshëm se duhet bërë shumë më tepër meqenëse kërkesat për llogaridhënie po rriten gjithnjë e më shumë”, u shpreh Osmani. Tutje ai bëri me dije se ZKA-ja këtë vit ka shënuar një sukses tjetër sa i përket procesit të digjitalizimit të punës audituese, duke zhvilluar sistemin elektronik për menaxhimin e auditimit i quajtur SITA. Osmani tha se ky sistem është një mjet i shkëlqyeshëm për të siguruar aplikim më efikas të metodologjisë audituese, për të rritur produktivitetin si dhe për të garantuar cilësi, veçanërisht në auditimet komplekse ku kërkohet siguri e lartë dhe pajtueshmëri me standardet, ligjet dhe rregulloret. Ai tha se ZKA-ja mbetet e përkushtuar në përmbushjen e misionit kushtetues e ligjor, duke kryer auditime relevante, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Zyra Kombëtare e Auditmit që nga themelimi në mënyrë të vazhdueshme ka zhvilluar kapacitetet profesionale me qëllim të ofrimi të informacionit të besueshëm mbi menaxhimin e financave publike dhe performancën e organizatave buxhetore. Auditori i Përgjithshëm tha se ZKA-ja mbetet e përkushtuar që të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes qindra auditimeve cilësore dhe rekomandimeve konkrete. Pjesë e këtij takimi ishte edhe kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës, Hekuran Murati i cili me një fjalë rasti përshëndeti  të pranishmit si dhe vlerësoi Zyrën Kombëtare të Auditimit për punën e bërë gjatë këtyre 17 vitesh. Ai tha se do të vazhdojë bashkëpunimi i Kuvendit, përkatësisht i Komisionit për Buxhet e Transfere me Zyrën Kombëtare të Auditimit. Murati theksoi se Kuvendit dhe ligjvënësve u takon që të krijojnë mekanizma vepruese për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm. Tutje ai tha se ZKA-ja duhet të vazhdojë t’i shtojë kapacitetet profesionale në mënyrë që në të ardhmen të auditohen të gjitha subjektet të cilat financohen nga paraja publike. “Ju uroj 17-vjetorin dhe ju përgëzoj për punën dhe sukseset e arritura”, tha Murati. Kurse Violeta Kupa Smajlaj, Këshilltare e lartë për bashkëpunim me Kuvendin, e cila përfaqësoj grupin prej 30 punonjësve që morën mirënjohje jubilare, tha se është kënaqësi, ndër dhe përgjegjësi të punosh në Zyrën Kombëtare të Auditimit. “Rrugëtimi im 10 vjeçar së bashku me ZKA-në ka qenë sa sfidues aq edhe i bukur. Kur shoh entuziazmin e kolegëve të mi, jam e bindur për suksese të reja dhe për një të ardhme të ndritur. Paçim shëndet dhe festofshim gjatë së bashku. Ditë të mira na presin!”, tha Kupa Smajlaj.
Lexo më shumë