Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/30/2020 12:44:33 PM

Zyra Kombëtare e Auditimit mbetet e përkushtuar të përmbush misionin e saj kushtetues dhe ligjor

Me aktivitete simbolike Zyra Kombëtare e Auditimit të premten ka shënuar shtatëmbëdhjetë vjetorin e themelimit. Në kuadër të këtyre aktiviteteve është mbajtur edhe një takim online si dhe janë ndarë mirënjohje për tridhjetë punonjës të cilët kanë mbushur 10 vjet punë në ZKA. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, përgëzoj stafin për punën dhe sukseset e arritura gjatë këtyre viteve, me ç ‘rast tha se falë profesionalizmit dhe paanshmërisë, ZKA-ja gëzon kredibilitet të lartë dhe është vlerësuar si një ndër institucionet më të besueshme në Kosovë. Ai vlerësoi se sukseset përgjatë këtyre viteve nuk kanë munguar, mirëpo sipas tij, ka ende shumë punë për t’u bërë meqenëse kërkesat për llogaridhënie po rriten gjithnjë e më shumë. “Për të gjitha arritjet, aksionarë kryesor jeni ju auditor dhe punonjës të tjerë të Zyrës, që me përkushtim dhe profesionalizëm të lart po përmbushni misionin e ZKA-së si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar në Republikën e Kosovës. Prandaj jam thellësisht mirënjohës secilit prej jush për punën e palodhshme, e veçanërisht gjatë kohës së pandemisë ku paralelisht me ruajtjen e shëndetit tuaj keni arritur të realizoni punë cilësore brenda afateve ligjore. Sukseset e arritura përgjatë këtyre viteve na bëjnë të ndihemi krenar, por jemi të vetëdijshëm se duhet bërë shumë më tepër meqenëse kërkesat për llogaridhënie po rriten gjithnjë e më shumë”, u shpreh Osmani. Tutje ai bëri me dije se ZKA-ja këtë vit ka shënuar një sukses tjetër sa i përket procesit të digjitalizimit të punës audituese, duke zhvilluar sistemin elektronik për menaxhimin e auditimit i quajtur SITA. Osmani tha se ky sistem është një mjet i shkëlqyeshëm për të siguruar aplikim më efikas të metodologjisë audituese, për të rritur produktivitetin si dhe për të garantuar cilësi, veçanërisht në auditimet komplekse ku kërkohet siguri e lartë dhe pajtueshmëri me standardet, ligjet dhe rregulloret. Ai tha se ZKA-ja mbetet e përkushtuar në përmbushjen e misionit kushtetues e ligjor, duke kryer auditime relevante, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Zyra Kombëtare e Auditmit që nga themelimi në mënyrë të vazhdueshme ka zhvilluar kapacitetet profesionale me qëllim të ofrimi të informacionit të besueshëm mbi menaxhimin e financave publike dhe performancën e organizatave buxhetore. Auditori i Përgjithshëm tha se ZKA-ja mbetet e përkushtuar që të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes qindra auditimeve cilësore dhe rekomandimeve konkrete. Pjesë e këtij takimi ishte edhe kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës, Hekuran Murati i cili me një fjalë rasti përshëndeti  të pranishmit si dhe vlerësoi Zyrën Kombëtare të Auditimit për punën e bërë gjatë këtyre 17 vitesh. Ai tha se do të vazhdojë bashkëpunimi i Kuvendit, përkatësisht i Komisionit për Buxhet e Transfere me Zyrën Kombëtare të Auditimit. Murati theksoi se Kuvendit dhe ligjvënësve u takon që të krijojnë mekanizma vepruese për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm. Tutje ai tha se ZKA-ja duhet të vazhdojë t’i shtojë kapacitetet profesionale në mënyrë që në të ardhmen të auditohen të gjitha subjektet të cilat financohen nga paraja publike. “Ju uroj 17-vjetorin dhe ju përgëzoj për punën dhe sukseset e arritura”, tha Murati. Kurse Violeta Kupa Smajlaj, Këshilltare e lartë për bashkëpunim me Kuvendin, e cila përfaqësoj grupin prej 30 punonjësve që morën mirënjohje jubilare, tha se është kënaqësi, ndër dhe përgjegjësi të punosh në Zyrën Kombëtare të Auditimit. “Rrugëtimi im 10 vjeçar së bashku me ZKA-në ka qenë sa sfidues aq edhe i bukur. Kur shoh entuziazmin e kolegëve të mi, jam e bindur për suksese të reja dhe për një të ardhme të ndritur. Paçim shëndet dhe festofshim gjatë së bashku. Ditë të mira na presin!”, tha Kupa Smajlaj.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Komunës së Ferizajt i kërkohet të rris nivelin e zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm

Komunës së Ferizajt i kërkohet të rris nivelin e zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm

Drejtuesit e Komunës së Ferizajt duhet t’i adresojnë dhe zbatojnë rekomandimet e dhëna nga Auditori i Përgjithshëm. Kështu u tha të hënën në debatin e mbajtur në Ferizaj në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës" i mbështetur nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë. Të pranishëm në këtë debat ishin nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Arton Gavazi, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, Udhëheqësi i Auditimit, Bujar Bajraktari, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë komunal. Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Bujar Bajraktari, prezantoi raportin dhe nxori në pah se  Komuna e Ferizajt ka marrë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes. “Theksimi i çështjes është për shkak të keq-klasifikimit të shpenzimeve të cilat kryesisht kanë ndodhur nga pagesat e bëra direkt nga Thesari përmes procedurave përmbarimore. Përveç opinionit në raport kemi ngritur disa çështje që mbulojnë fusha të ndryshme të menaxhimit financiar, përfshirë të hyrat, shpenzimet, menaxhimin e pasurive, detyrimet etj. Po ashtu janë dhënë 20 rekomandime”, tha Bajraktari, duke shtuar se sa i përket zbatimit të rekomandimeve, nga 25 rekomandime sa kanë qenë në 2018, prej tyre 6 janë zbatuar plotësisht 2 pjesërisht, 12 nuk janë zbatuar si dhe 5 janë konsideruar të mbyllura. Ai foli edhe për bashkëpunimin me Komunën e Ferizajt gjatë kohës kur është realizuar auditimi, duke vlerësuar se krahasuar me vitin paraprak, bashkëpunimi me zyrtarët e komunës ishte dukshëm më i mirë. Nga ana tjetër nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Arton Gavazi, tha se raporti i auditimit i vitit 2019 për Komunën e Ferizajt tregon gjendje më të mirë se raporti për vitin paraprak dhe ka më pak rekomandime. Ai u zotua se të gjitha rekomandimet e dhëna nga Auditori i Përgjithshëm do të adresohen dhe zbatohen. “Opinioni i raportit të auditimit për Komunën e Ferizajt për vitin 2019 është ‘Opinion i pamodifikuar me theksim të çështjes’, pra është më i mirë se i vitit të kaluar. Kjo falë angazhimit dhe përkushtimit të të gjithëve. Por gabimet janë njerëzore dhe aty ku punohet mund të ketë gabime, sepse nuk jemi të përkryer. Bazuar në afatet ligjore ne kemi hartuar planin e veprimit për rekomandimet e dhëna në raport dhe jemi zotuar se do të zbatojmë ato dhe do të mbikëqyrim zbatimin e tyre një nga një”, theksoi Gavazi. Ai tha se komuna ka ndërmarr masa ndaj atyre që kanë bërë shkelje. Ndërsa redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza tha se zbatimi i rekomandimeve të auditimit e ngrit mirëqenien e qytetarëve, nivelin e qeverisjes dhe mbi të gjitha e ruan buxhetin.  Ai shtoi se në Komunën e Ferizajt janë vërejtur dobësi në të gjitha hallkat e prokurimit, niveli i lartë i borxheve ndaj operatorëve si dhe nënshkrimi i kontratave mbi vepër pa kritere. “Këtë vit ka një përmirësim të opinionit për shkak se ka një opinion të pamodifikuar por me theksim të çështjes. Komuna e Ferizajt ka një numër shumë të madh të rekomandimeve që ka pranuar nga Auditori i Përgjithshëm. Vitin e kaluar ka pranuar 25 rekomandime, kurse këtë vit ka pranuar 20 rekomandime. Megjithatë Ferizaj nuk qëndron mirë me nivelin e zbatimit të rekomandimeve. Prej 25 rekomandime vetëm 6 prej tyre janë zbatuar plotësisht që është jashtëzakonisht pak, prandaj ka shumë punë për tu bërë në mënyrë që niveli i zbatimit të rekomandimeve të jetë shumë më i lartë”, deklaroi Prebreza.
Lexo më shumë
Komunat duhet t’i marrin më seriozisht rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm

Komunat duhet t’i marrin më seriozisht rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm

Të mërkurën në Komunën e Shtimes u mbajt debati i radhës në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës" i mbështetur nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë. Në këtë debat morën pjesë kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismaili, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, Udhëheqësi i Auditimit, Bujar Bajraktari, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë të kësaj komune. Me këtë rast, Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Bujar Bajraktari, tha se debatet e tilla ndikojnë në përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe në rritjen e transparencës e llogaridhënies. Bajraktari tha se për vitin 2019 kjo komunë ka marrë opinion të pamodifikuar, megjithatë janë evidentuar disa mangësi. Kurse sa i përket zbatimit të rekomandimeve ai bërë me dije se nga 17 rekomandimet e dhëna në vitin e kaluar, 7 janë zbatuar plotësisht, 1 pjesërisht, 4 nuk janë zbatuar fare kurse 5 janë konsideruar të mbyllura. “Zyra Kombëtare e Auditimit edhe këtë vit ka kryer auditimin mandator për Komunën e Shtimes dhe për pasqyrat financiare ka dhënë  një opinion të pamodifikuar që do të thotë se pasqyrat kanë qenë të prezantuara drejt në të gjitha aspektet materiale. Megjithatë gjatë auditimit janë vërejtur disa mangësi të cilat janë evidentuar në raport dhe janë dhënë edhe rekomandimet për përmirësim. Sa i takon zbatimit të rekomandimeve, nga 17 sa ishin gjithsej, prej tyre 7 janë zbatuar plotësisht, 1 pjesërisht, 4 nuk janë zbatuar fare dhe 5 janë konsideruar të mbyllura. Ndërsa, për vitin 2019 janë dhënë 10 rekomandime”, deklaroi Bajraktari. Ndërkaq, kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, vlerësoj se raporti i auditimit për vitin 2019 është një prej raporteve më të mira që ka pranuar komuna. Sipas tij, kjo tregon se pasqyrat financiare pasqyrojnë në përpikëri atë që është planifikuar dhe shpenzuar. Ismajli shtoi se komunat qëndrojnë keq sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit për shkak të disa ligjeve dhe marrëveshjeve që behën nga niveli qendror. Ai tha se komunat nuk mund t’i kryejmë obligimet që i prodhojnë kontratat kolektive. “Komuna e Shtimes ka marrë opinionin më të  mirë të mundshëm për pasqyrat financiare dhe kjo tregon se pasqyrat financiare pasqyrojnë në përpikëri gjithë atë që është planifikuar dhe shpenzuar. Shumica e rekomandimeve për vitin 2019 janë teknike dhe jo të gjitha janë në dorën tonë, prandaj pavarësisht performancës prapë do të ketë rekomandime. Komunat qëndrojnë keq sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve për shkak se niveli qëndror bën ligje dhe marrëveshje në dëm të nivelit lokal. Në veçanti në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit arrihen marrëveshje të cilat prodhojnë obligime të pa realizueshme për nivelin komunal”, deklaroi Ismajli, Kurse redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, vlerësoj se ka përparim në Komunën e Shtimes meqë në të kaluarën kjo komunë në vazhdimësi ka pasur opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes. Mirëpo ai tha se komunat në përgjithësi qëndrojnë më keq sa i përket zbatimit të rekomandimeve të auditorit krahasuar me institucionet e tjera. “Në dy vitet e fundit kjo nuk është përsëritur, pra nuk ka theksim të çështjes në raportin e auditimit të Shtimes. Kjo është pozitive dhe tregon se pasqyrat financiare të Shtimes janë të vërteta dhe paraqesin gjendjen reale. Kurse sa i përket numrit të rekomandimeve që Komuna e Shtimes ka pranuar nga Auditori i Përgjithshëm kemi një keqësim të situatës. Komunat në përgjithësi qëndrojnë më keq sa i përket zbatimit të rekomandimeve të auditorit krahasuar me institucionet e tjera. Ky është një sinjal që komunat duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim dhe t’i marrin me seriozisht rekomandimet e auditorit”, theksoi Prebreza. Ai bërë me dije se gjatë procesit të auditimit dobësi janë gjetur në prokurim, të punësimi me kontrata mbi vepër si dhe të emërimi i menaxherëve të kontratave.
Lexo më shumë