Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/28/2020 3:46:41 PM

Komunat duhet t’i marrin më seriozisht rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm

Të mërkurën në Komunën e Shtimes u mbajt debati i radhës në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës" i mbështetur nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë. Në këtë debat morën pjesë kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismaili, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, Udhëheqësi i Auditimit, Bujar Bajraktari, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë të kësaj komune. Me këtë rast, Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Bujar Bajraktari, tha se debatet e tilla ndikojnë në përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe në rritjen e transparencës e llogaridhënies. Bajraktari tha se për vitin 2019 kjo komunë ka marrë opinion të pamodifikuar, megjithatë janë evidentuar disa mangësi. Kurse sa i përket zbatimit të rekomandimeve ai bërë me dije se nga 17 rekomandimet e dhëna në vitin e kaluar, 7 janë zbatuar plotësisht, 1 pjesërisht, 4 nuk janë zbatuar fare kurse 5 janë konsideruar të mbyllura. “Zyra Kombëtare e Auditimit edhe këtë vit ka kryer auditimin mandator për Komunën e Shtimes dhe për pasqyrat financiare ka dhënë  një opinion të pamodifikuar që do të thotë se pasqyrat kanë qenë të prezantuara drejt në të gjitha aspektet materiale. Megjithatë gjatë auditimit janë vërejtur disa mangësi të cilat janë evidentuar në raport dhe janë dhënë edhe rekomandimet për përmirësim. Sa i takon zbatimit të rekomandimeve, nga 17 sa ishin gjithsej, prej tyre 7 janë zbatuar plotësisht, 1 pjesërisht, 4 nuk janë zbatuar fare dhe 5 janë konsideruar të mbyllura. Ndërsa, për vitin 2019 janë dhënë 10 rekomandime”, deklaroi Bajraktari. Ndërkaq, kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, vlerësoj se raporti i auditimit për vitin 2019 është një prej raporteve më të mira që ka pranuar komuna. Sipas tij, kjo tregon se pasqyrat financiare pasqyrojnë në përpikëri atë që është planifikuar dhe shpenzuar. Ismajli shtoi se komunat qëndrojnë keq sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit për shkak të disa ligjeve dhe marrëveshjeve që behën nga niveli qendror. Ai tha se komunat nuk mund t’i kryejmë obligimet që i prodhojnë kontratat kolektive. “Komuna e Shtimes ka marrë opinionin më të  mirë të mundshëm për pasqyrat financiare dhe kjo tregon se pasqyrat financiare pasqyrojnë në përpikëri gjithë atë që është planifikuar dhe shpenzuar. Shumica e rekomandimeve për vitin 2019 janë teknike dhe jo të gjitha janë në dorën tonë, prandaj pavarësisht performancës prapë do të ketë rekomandime. Komunat qëndrojnë keq sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve për shkak se niveli qëndror bën ligje dhe marrëveshje në dëm të nivelit lokal. Në veçanti në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit arrihen marrëveshje të cilat prodhojnë obligime të pa realizueshme për nivelin komunal”, deklaroi Ismajli, Kurse redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, vlerësoj se ka përparim në Komunën e Shtimes meqë në të kaluarën kjo komunë në vazhdimësi ka pasur opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes. Mirëpo ai tha se komunat në përgjithësi qëndrojnë më keq sa i përket zbatimit të rekomandimeve të auditorit krahasuar me institucionet e tjera. “Në dy vitet e fundit kjo nuk është përsëritur, pra nuk ka theksim të çështjes në raportin e auditimit të Shtimes. Kjo është pozitive dhe tregon se pasqyrat financiare të Shtimes janë të vërteta dhe paraqesin gjendjen reale. Kurse sa i përket numrit të rekomandimeve që Komuna e Shtimes ka pranuar nga Auditori i Përgjithshëm kemi një keqësim të situatës. Komunat në përgjithësi qëndrojnë më keq sa i përket zbatimit të rekomandimeve të auditorit krahasuar me institucionet e tjera. Ky është një sinjal që komunat duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim dhe t’i marrin me seriozisht rekomandimet e auditorit”, theksoi Prebreza. Ai bërë me dije se gjatë procesit të auditimit dobësi janë gjetur në prokurim, të punësimi me kontrata mbi vepër si dhe të emërimi i menaxherëve të kontratave.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Zyra Kombëtare e Auditimit mbetet e përkushtuar të përmbush misionin e saj kushtetues dhe ligjor

Zyra Kombëtare e Auditimit mbetet e përkushtuar të përmbush misionin e saj kushtetues dhe ligjor

Me aktivitete simbolike Zyra Kombëtare e Auditimit të premten ka shënuar shtatëmbëdhjetë vjetorin e themelimit. Në kuadër të këtyre aktiviteteve është mbajtur edhe një takim online si dhe janë ndarë mirënjohje për tridhjetë punonjës të cilët kanë mbushur 10 vjet punë në ZKA. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, përgëzoj stafin për punën dhe sukseset e arritura gjatë këtyre viteve, me ç ‘rast tha se falë profesionalizmit dhe paanshmërisë, ZKA-ja gëzon kredibilitet të lartë dhe është vlerësuar si një ndër institucionet më të besueshme në Kosovë. Ai vlerësoi se sukseset përgjatë këtyre viteve nuk kanë munguar, mirëpo sipas tij, ka ende shumë punë për t’u bërë meqenëse kërkesat për llogaridhënie po rriten gjithnjë e më shumë. “Për të gjitha arritjet, aksionarë kryesor jeni ju auditor dhe punonjës të tjerë të Zyrës, që me përkushtim dhe profesionalizëm të lart po përmbushni misionin e ZKA-së si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar në Republikën e Kosovës. Prandaj jam thellësisht mirënjohës secilit prej jush për punën e palodhshme, e veçanërisht gjatë kohës së pandemisë ku paralelisht me ruajtjen e shëndetit tuaj keni arritur të realizoni punë cilësore brenda afateve ligjore. Sukseset e arritura përgjatë këtyre viteve na bëjnë të ndihemi krenar, por jemi të vetëdijshëm se duhet bërë shumë më tepër meqenëse kërkesat për llogaridhënie po rriten gjithnjë e më shumë”, u shpreh Osmani. Tutje ai bëri me dije se ZKA-ja këtë vit ka shënuar një sukses tjetër sa i përket procesit të digjitalizimit të punës audituese, duke zhvilluar sistemin elektronik për menaxhimin e auditimit i quajtur SITA. Osmani tha se ky sistem është një mjet i shkëlqyeshëm për të siguruar aplikim më efikas të metodologjisë audituese, për të rritur produktivitetin si dhe për të garantuar cilësi, veçanërisht në auditimet komplekse ku kërkohet siguri e lartë dhe pajtueshmëri me standardet, ligjet dhe rregulloret. Ai tha se ZKA-ja mbetet e përkushtuar në përmbushjen e misionit kushtetues e ligjor, duke kryer auditime relevante, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Zyra Kombëtare e Auditmit që nga themelimi në mënyrë të vazhdueshme ka zhvilluar kapacitetet profesionale me qëllim të ofrimi të informacionit të besueshëm mbi menaxhimin e financave publike dhe performancën e organizatave buxhetore. Auditori i Përgjithshëm tha se ZKA-ja mbetet e përkushtuar që të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes qindra auditimeve cilësore dhe rekomandimeve konkrete. Pjesë e këtij takimi ishte edhe kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës, Hekuran Murati i cili me një fjalë rasti përshëndeti  të pranishmit si dhe vlerësoi Zyrën Kombëtare të Auditimit për punën e bërë gjatë këtyre 17 vitesh. Ai tha se do të vazhdojë bashkëpunimi i Kuvendit, përkatësisht i Komisionit për Buxhet e Transfere me Zyrën Kombëtare të Auditimit. Murati theksoi se Kuvendit dhe ligjvënësve u takon që të krijojnë mekanizma vepruese për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm. Tutje ai tha se ZKA-ja duhet të vazhdojë t’i shtojë kapacitetet profesionale në mënyrë që në të ardhmen të auditohen të gjitha subjektet të cilat financohen nga paraja publike. “Ju uroj 17-vjetorin dhe ju përgëzoj për punën dhe sukseset e arritura”, tha Murati. Kurse Violeta Kupa Smajlaj, Këshilltare e lartë për bashkëpunim me Kuvendin, e cila përfaqësoj grupin prej 30 punonjësve që morën mirënjohje jubilare, tha se është kënaqësi, ndër dhe përgjegjësi të punosh në Zyrën Kombëtare të Auditimit. “Rrugëtimi im 10 vjeçar së bashku me ZKA-në ka qenë sa sfidues aq edhe i bukur. Kur shoh entuziazmin e kolegëve të mi, jam e bindur për suksese të reja dhe për një të ardhme të ndritur. Paçim shëndet dhe festofshim gjatë së bashku. Ditë të mira na presin!”, tha Kupa Smajlaj.
Lexo më shumë
Kuvendi i Kosovës shqyrtoi Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2019

Kuvendi i Kosovës shqyrtoi Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2019

Auditori i Përgjithshëm paraqiti në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit  për vitin fiskal 2019 Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, prezantoi para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit për vitin fiskal 2019. Ky raport përmban rezultatet kryesore të punës audituese përfshirë opinionin, të gjeturat si dhe rekomandimet e ZKA-së. Osmani tha se fokusi kryesor i këtij procesi të auditimit ka qenë në vlerësimet për cilësinë e raportimit financiar, efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Para deputetëve Auditori i Përgjithshëm theksoi se konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se në fushën e raportimit financiar nuk janë identifikuar mangësi serioze te organizatat buxhetore, përderisa në fushën e pajtueshmërisë me ligjet vazhdon të ketë dobësi të theksuara. Kurse te Ndërmarrjet Publike raportimi financiar ashtu si edhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor kanë mangësi serioze. Fjalimi i plotë i Auditorit të Përgjithshëm, Besnik Osmani, para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës: E nderuar Kryetare, të nderuar deputetë, I nderuar Kryeministër, të nderuar Ministra Kam kënaqësinë të prezantoj para jush Raportin e Auditimit të buxhetit të shtetit për vitin fiskal 2019. Në këtë auditim, fokusi ynë ka qenë në vlerësimet për: -    Cilësinë e raportimit financiar -    Efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe -   Pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Konkluzioni i Përgjithshëm i auditimit është se në fushën e raportimit financiar, nuk janë identifikuar mangësi serioze te organizatat buxhetore, përderisa në fushën e pajtueshmërisë me ligjet vazhdon të ketë mangësi/dobësi të theksuara. Ndërsa, te Ndërmarrjet Publike raportimi financiar ashtu si edhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor kanë mangësi serioze. Raporti është rezultat i auditimit të Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë për vitin 2019 dhe i 131 raporteve individuale, nga të cilat:
  • 95 organizata buxhetore;
  • 14 Ndërmarrje Publike;
  • 9 projekte të donatorëve; dhe
  • 13 auditime të performancës.
Në raportet e auditimit, kemi dhënë:
  • 69 opinione të pamodifikuara;
  • 27 të pamodifikuara me theksim të çështjes; dhe
  • 13 opinione të modifikuara.
Ndërsa për Pasqyrat e Buxhetit të shtetit është dhënë: opinion i pamodifikuar me theksim të çështjes. Kjo për arsye se:
  • Të hyrat ishin mbivlerësuar për 23 milionë euro. Shkaku i këtij gabimi ishte se e njëjta shumë e të hyrave vetjake ishte mbledhur gjatë vitit 2018, ndërsa në planin buxhetor 2019 ishte parashikuar sërish si e hyrë; dhe
  • Shpenzimet prej 15 milionë eurosh ishin klasifikuar nëpër kategori joadekuate, me ligjin e buxhetit, përkundër një përmirësimi prej 7 milionë eurosh nga viti paraprak.
Në auditimet për vitin 2019 kemi dhënë 1,068 rekomandime. Ndërkaq, nga 1,174 rekomandime të dhëna në vitin paraprak, përqindja e zbatimit të tyre ishte 41%, që paraqet një përmirësim të lehtë krahasuar me vitin 2017. Kjo shkallë e ulët e adresimit të rekomandimeve kërkon rritje të përgjegjësisë në institucionet publike dhe zhvillimin e një procesi formal për monitorimin sistematik të planeve të veprimit për zbatimin e rekomandimeve. Në fund të vitit 2019, bilanci bankar në para të gatshme ishte 458 milion euro dhe krahasuar me vitin paraprak, kemi një rritje prej 70 milionë euro apo rreth 18%. Rezervat shtetërore në para të gatshme janë rreth 5% e Bruto Produkti Vendor  dhe në pajtim me rregullat fiskale. Borxhi i përgjithshëm ka arritur në 1,2 miliardë që krahasuar me vitin paraprak, një rritje prej 108 milionësh apo rreth 10%, pa përfshirë këtu garancitë shtetërore prej rreth 43 milionë eurosh. Në raport me Bruto Produktin Vendor për vitin 2019, borxhi ishte 17.46% nga 40% i lejuar me ligj. Megjithatë, shkalla e shpenzimit të fondeve të huazuara është e ulët dhe për shkak të vonesave në shfrytëzimin e kredive, Qeveria ka paguar tarifa rreth 740 mijë euro. Deficiti i planifikuar buxhetor ishte 2% e Bruto Produktit Vendor, përderisa deficiti aktual në fund të vitit 2019 ishte 0.47%, që është brenda kufirit të përcaktuar me ligj. Të nderuar deputetë, Më lejoni që tani t’ju paraqes konkluzionet kryesore të raportit që kërkojnë një vëmendje të shtuar në fushat si vijon: -           Vlera e obligimeve të papaguara, përfshirë edhe obligimet për shpronësime në fund të vitit 2019 ishte rreth 310 milionë euro. Krahasuar me vitin paraprak, detyrimet janë rritur rreth 20%, derisa detyrimet kontingjente janë rreth 197 milionë. -           Vlera e llogarive të arkëtueshme është 637 milionë euro nga të cilat 452 milionë euro në nivelin qendror dhe 185 milionë euro në nivelin lokal. Pjesa dërmuese apo 89% të llogarive të arkëtueshme të nivelit qendror i bie në barrë Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës. -           Pranimet e parashikuara me buxhet final gjatë vitit ishin realizuar në vlerë prej 2,2 miliardë euro apo rreth 90% nga planifikimi prej 2.5 miliardë euro. Krahasuar me vitin paraprak, ishin realizuar 10.6% më shumë. -           Shpenzimi i përgjithshëm për vitin 2019 ishte 2.15 miliardë euro apo rreth 85% e buxhetit. Në strukturën e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore, pagat marrin pjesë me rreth 29%, mallra dhe shërbimet me rreth 14%, subvencionet dhe transferet rreth 29% dhe për investime kapitale rreth 25% si dhe 3% pagesa tjera. Të nderuar deputetë, Në vijim po prezantoj një përmbledhje të gjetjeve dhe mangësive të identifikuara sipas kategorive ekonomike: Paga dhe mëditje -           Pagesat e pagave jubilare dhe pagave pas pensionimit të realizuara me vendim të gjykatave, e të paguara nga kategoria mallra dhe shërbime; -           Mangësi në mbajtjen e evidencave të kujdestarive, vijueshmërisë në punë dhe pagesën e shujtave; -           Shpallje e konkurseve në mospajtim me katalogun e vendeve të punës; -           Avancim i brendshëm i stafit pa plan paraprak të rekrutimit dhe -           Kompensimi i pagave jo në pajtim me Aktet e Emërimit; Mallra dhe shërbime -           Mosmbyllja e avanseve konform kërkesave ligjore; -           Lidhja e kontratave pa zotim të fondeve; -           Përdorimi i procedurave të negociuar pa publikim dhe kufizimi i konkurrencës; -           Aplikimi i aneks kontratave pa mbështetje ligjore; -           Tejkalimi i vlerës se kontratës kornize; -           Vonesa në liferimin e mallrave dhe furnizimeve; dhe Subvencione dhe transfere -           Mbështetja financiare për OJQ-të pa shpallje publike; -           Mosrespektimi i kritereve nga komisionet e vlerësimit; -           Dhënia e subvencioneve për përfituesit njëjtë; -           Përfitimi i pensioneve apo ndihmave sociale nga persona të cilët punojnë; Investime Kapitale -           Planifikimet joadekuate dhe aprovimet e shpenzimeve si “kapitale”, ndërkohë që të njëjtat nuk përmbushin kriteret të trajtohen si të tilla, -           Procedurat e prokurimit shpesh iniciohen pa projekte të gatshme ekzekutive, -           Mbikëqyrja e dobët e projekteve në fazën e ekzekutimit;  dhe -           Certifikimi i pagesave për punët e pakryera dhe furnizimet e papranuara. Menaxhimi i pasurisë publike vazhdon të mbetet një ndër fushat më sfiduese, sepse:
  • regjistrimi i saj është i papërfunduar;
  • inventarizimet vjetore nuk janë te plota;
  • rivlerësimi i pasurisë nuk është kryer.
Kjo gjendje, lë mundësinë e hapur për keqpërdorime. Të nderuar deputetë, Sistemi i menaxhimit financiar dhe kontrollit në Ndërmarrje Publike ka mangësi të mëdha dhe nevojë për përmirësime thelbësore. Këtë e dëshmon fakti se për 13 Ndërmarrje kemi dhënë opinione të modifikuara. Gjetjet kryesore të auditimit në këto ndërmarrje janë:
  • Gjashtë (6) Ndërmarrje Publike kishin prezantuar rezultat negativ financiar që në total paraqesin humbje prej mbi 28 milionë euro.
  • Të gjitha Ndërmarrjet e audituara së bashku, kanë afër 90 milionë euro detyrime afatshkurtra dhe mbi 71 milionë detyrime afatgjata.
Kthimi i këtyre detyrimeve është mjaft i pasigurt, pasi që pothuajse të gjitha prej këtyre ndërmarrjeve operojnë me humbje dhe nuk e kanë të sigurt vazhdimin e veprimtarisë. Për të vlerësuar nëse fondet publike po shfrytëzohen në mënyrë efikase dhe efektive kemi realizuar 13 auditime të performancës në fusha të ndryshme me interes shoqëror, si: mirëqenie sociale, ekonomi, shëndetësi, siguri, teknologji të informacionit dhe në fushën e prokurimit publik. Përmes këtyre auditimeve kemi konkluduar që: - ka nevojë për rritjen e kontrollit të cilësisë së naftës - për përmirësimin e mirëmbajtjes së institucioneve publike arsimore - për përafrimin e aftësimit profesional me nevojat dhe kërkesat e tregut të punës, si dhe - për rritjen e shkallës së sigurisë në trafikun rrugor. Në të gjitha çështjet e përmendura më lart, në raporte individuale, por edhe në këtë raport, janë dhënë kriteret, të gjeturat, shkaktarët dhe rekomandimet konkrete se si të përmirësohen proceset dhe të zvogëlohen papajtueshmëritë me kuadrin ligjor e rregullativ. Të nderuar deputetë, Me zhvillimin e teknologjisë së informacionit është rritur nevoja për auditimin e tyre për t’i siguruar qytetarët dhe Kuvendin se këto janë në funksion të ofrimit të shërbimeve më të mira ndaj tyre. Në vitin 2017 kemi filluar me ngritjen e kapaciteteve në fushën e teknologjisë së informacionit si dhe zhvillimin e metodologjisë së punës për këtë fushë. Krahas kësaj, paralelisht kemi realizuar 8 auditime të ndërlidhura me sistemet e informacionit në nivel vendi. Përveç publikimit si raporte të veçanta, çështjet kyçe nga këto auditime i kemi vendosur edhe në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2019, me qëllim që të tërheqim vëmendjen e institucioneve më të larta shtetërore - Qeverisë dhe Kuvendit. Auditimet kanë nxjerrë në pah mangësi të theksuara në lidhje me menaxhimin e sistemeve të informacionit, sigurinë e sistemeve dhe kontrollet e aplikacioneve-qasjet në sistemet e informacionit. Sipas vlerësimit tonë rreth 70% e institucioneve kanë mungesë të strategjisë, politikave dhe procedurave për zhvillimin e mirëmbajtjen e këtyre sistemeve. Për të përmirësuar mënyrën ekzistuese të menaxhimit, kemi dhënë 153 rekomandime për organizata të ndryshme buxhetore të audituara. Përkundër kësaj, jo të gjitha institucionet e audituara kanë marrë veprime për përmirësimin e gjendjes. Për më shumë, disa nuk kanë përmbushur as kërkesën ligjore për të hartuar dhe dorëzuar Planin e veprimit. Me këtë rast, ftojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës që të kërkojë rritjen e përgjegjësisë llogaridhënëse nga institucionet e audituara në mënyrë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për zbatimin e rekomandimeve dhe adresimin e mangësive të raportuara. Ju faleminderit për vëmendjen!
Lexo më shumë