Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/9/2020 7:37:45 PM

Komunës së Pejës i kërkohet t’i adresojë rekomandimet e auditorit

Të mërkurën në Komunën e Pejës u mbajt debati i radhës në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” i mbështetur nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë. Në debat morën pjesë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Emine Fazilu, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë të kësaj komune. Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Emine Fazliu, tha se për vitin 2019 Komuna e Pejës ka marrë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes. Pavarësisht realizimit të  mirë të buxhetit prej 97 për qind, komuna ka treguar dobësi në menaxhimin e shpenzimeve sidomos atyre përmes prokurimit. Dobësi janë vërejtur edhe në regjistrimin e pasurisë si dhe në menaxhimin e detyrimeve dhe llogarive të arkëtueshme.“Opinioni i pamodifikuar do të thotë se këto pasqyra prezantojnë  një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale në përputhje me standardet ndërkombëtar për sektorin publik sipas kontabilitetit të bazuar në paranë e gatshme. Theksimi i çështjes ka të bëjë me klasifikim joadekuat të shpenzimeve në vlerë prej 515 mijë euro, ku komuna përmes vendimeve gjyqësore ka paguar dhe regjistruar shpenzimet në kategori ekonomike joadekuate”, deklaroi Fazliu. Fazliu tha se në nivel të përgjithshëm Komuna e Pejës ka zbatuar 35 për qind të rekomandimeve që është nën mesataren e zbatimit të përgjithshëm të rekomandimeve në nivel lokal që është 37 për qind. Kurse në vitin 2019 ZKA-ja ka dhënë 15 rekomandime. “Rekomandimet e dhëna nga Auditori i Përgjithshëm kanë për qëllim përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe forcimin e kontrolleve të brendshme të komunës. Zbatimi i plotë i rekomandimeve ndikon në rritjen e performancës së komunës dhe cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve”, tha Fazliu. Ndërsa kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se kjo komunë nuk ka bërë planifikim të gabuar të buxhetit. “Komuna e Pejës asnjëherë nuk ka bërë planifikim të gabuar të buxhetit. Do me thënë kategoritë e planifikimit të buxhetit i kemi pas të caktuara siç duhet. Pra nuk kemi paguar diçka që është kanë e caktuar mallra dhe shërbime, e me qenë e planifikuar si investim kapital”, tha Muhaxheri.  Ai bërë me dije se sfidë mbeten pagesat përmes vendimeve gjyqësore si dhe menaxhimi i kontratave për shkak se kërkohet staf më i madh. Muhaxheri u zotua se pavarësisht sfidave, Komuna e Pejës do t’i zbatojë 50 për qind të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm. “Po besoj që 50 për qind të rekomandimeve do të t’i zbatojmë përkundër pandemisë dhe sfidave që i kemi”, theksoi ai. Kurse redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza tha se Komuna e Pejës ka bërë përmirësime në disa fusha, mirëpo ka ende dobësi në disa sektor, prandaj duhet të adresohen rekomandimet e auditorit. Kurse sa i përket rekomandimeve, nga 17 rekomandime janë zbatuar vetëm 6. Megjithatë në vitin 2019 Komuna e Pejës ka marrë më pak rekomandime dhe kjo është gjë pozitive. Prebreza tha se presim nga të gjitha komunat që të kenë më pak rekomandime sepse numri më i vogël i rekomandimeve nënkupton se ka dobësi më pak të identifikuara. “Prokurimi vazhdon me pas çalime për shkak se ka disa rekomandime që janë dhënë për këtë fushë, dhe këto rekomandime lidhen pothuajse me të gjitha fazat e prokurimit”, deklaroi Prebreza.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Kryetari i Komunës së Rahovecit zotohet se do t’i zbatoj me përpikëri rekomandimet e auditorit

Kryetari i Komunës së Rahovecit zotohet se do t’i zbatoj me përpikëri rekomandimet e auditorit

Në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” i mbështetur nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, BIRN Kosova të hënën organizoi debatin e radhës në Komunën e Rahovecit. Në debat morën pjesë kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, Udhëheqësi i Auditimit, Bujar Bajraktari, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë të kësaj komune. Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Bujar Bajraktari, tha se bazuar në raportin e fundit të auditimit në përgjithësi Komuna e Rahovecit ka një progres në krahasim me vitet paraprake. “Në vitin 2017 Komuna e Rahovecit ka marrë opinion të kualifikuar me theksim të çështjes, ndërsa në vitin 2018 dhe në vitin 2019 ka marrë opinion të pakualifikuar me theksim të çështjes. Theksimi i çështjes për 2019 ka qenë për shkak të keqklasifikimit të shpenzimeve dhe kjo nuk është vetëm për fajin e komunës, mirëpo në këtë aspekt duhet bashkëpunim me nivelin qendror”, deklaroi Bajraktari. Bajraktari tha se gjetjet e auditimit për vitin 2019 tregojnë se në fushën e prokurimit ka më shumë dobësi dhe fokusi duhet të jetë në përmirësimin e çështjeve të evidentuar. Ai tha se sa i përket menaxhimit të pasurisë duhet të shtohen aktivitetet, meqë disa gjetje po paraqiten për vite me radhë. Ndërsa sa i përket zbatimit të rekomandimeve Bajraktari tha se 5 rekomandime janë zbatuar plotësisht dhe 11 të tjera kanë qenë në proces. Ai bëri me dije se për vitin 2019 është përgatitur me kohë plani i veprimit si dhe pastaj është dërguar një raport lidhur me progresin e zbatimit të rekomandimeve. Kurse kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, vlerësoi se ka përmirësim të zbatimit të rekomandimeve nga vitet e kaluara. Ai u zotua se do të zbatohen me përpikëri rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm. “Ka pasur një progres komuna jonë në vitin 2019 në krahasim me vitin 2018. Këtu e kemi planin e zbatimit të rekomandimeve me të dhënat e nevojshme që tregon se kemi caktuar grupin punues për zbatimin me përpikëri të rekomandimeve të ZKA-ja”, theksoi Latifi duke shtuar se disa rekomandime nuk varen nga komuna meqë ndërlidhen me nivelin qendror. Në këtë kontekst ai tha se keqklasifikim që po ju adresohet komunave, është gabim për shkak se komunat nuk duhet ta kenë barrë pagesën e shujtave dhe pagave jubilare sepse kontrata kolektive i obligon institucionet qendror të ndajnë buxhet për këtë çështje. Duke folur për gjetjet e raportit të auditimit për vitin 2019, Latifi tha se nuk do të ketë në të ardhmen pagesa pa dëshmi, dhënie të kontratave për operator të papërgjegjshëm si dhe kontrata  pa menaxher dhe pa plan të menaxhimit. Ndërkaq redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, vlerësoi se zvogëlimi i numrit të rekomandimeve nënkupton më pak shkelje dhe gjetje nga auditori. “Komuna e Rahovecit ka pranuar 14 rekomandime apo 7 më pak se sa në raportin 2018. Ky është një sinjal se ka një përmirësim, sepse vitin e kaluar situata ka qenë me keq meqë kanë qenë 21 rekomandime. Këtë vit kemi një theksim të çështjes që është kryesisht keqklasifikimi, por shpeshherë keqklasifikimet kanë ardhur për shkak të obligimeve që ju kanë venë barrë komunave nga qeveria, njëra prej tyre është detyrimi për t’i paguar mësimdhënësit për pagat jubilare dhe pagat përcjellëse që rrjedhin prej kontratës kolektive të nënshkruar nga qeveria”, deklaroi Prebreza. Ai tha se Rahoveci është njëra prej komunave që ka një ekzekutim të mirë të buxhetit prej 97 për qind. Kurse sa i përket dobësive të evidentuara Prebreza tha se ato kanë të bëjnë kryesisht me prokurimin dhe menaxhimin e kontratave ndaj operatorëve.
Lexo më shumë
Zyra Kombëtare e Auditimit në mesin e institucioneve që u vlerësuan për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

Zyra Kombëtare e Auditimit në mesin e institucioneve që u vlerësuan për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

Zyra e Komisionerit për gjuhët (ZKGJ) në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE), kanë ndarë çmimin “Praktika më e mirë në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”. Në mesin e institucioneve të vlerësuara që kanë treguar praktikë të shkëlqyeshme të përkthimit duke respektuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ishte edhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). Ndarja e çmimit për institucionet e shpërblyera u bë në një ceremoni online ku morën pjesë shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë ambasadori Jan Braathu, Komisioneri për gjuhët, Slavisa Mladenovic si dhe përfaqësues të institucioneve përkatëse. Në emër të Zyrës Kombëtare të Auditimit, drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Zhvillim Profesional në ZKA, Saranda Husaj Baraliu, falënderoj Zyra e Komisionerit për gjuhët (ZKGJ) si dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE) për këtë vlerësim. “Ky shpërblim tregon përkushtimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për të respektuar detyrimet kushtetuese e ligjore në përdorimin e gjuhëve zyrtare. Ky vlerësim na inkurajon që të punojmë dhe avancojmë tutje promovimin e vlerave të diversitetit gjuhësor dhe të shërbejmë si shembull për institucionet e Republikës së Kosovës”, deklaroi Husaj Baraliu. Ndarja e çmimit është bërë  në bazë të monitorimit të përdorimit të gjuhëve zyrtare në ueb faqet zyrtare të institucioneve përkatëse duke përfshirë edhe rrjetet sociale. Fitues të çmimit  të parë u shpallen Ministria e Financave, Komuna e Prishtinës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Gjykata Kushtetuese dhe Banka Qendrore e Kosovës. Ndërsa për praktikë të shkëlqyeshme të përkthimit duke respektuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve me një certifikatë dhe disa pajisje të vogla u shpërblyen Zyra Kombëtare e Auditimit, Avokati i Popullit, Komisioni Qendror Zgjedhor etj. Kjo është ceremonia e dytë vjetore e organizuar nga Zyra e Komisionerit për gjuhët (ZKGJ) në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE).
Lexo më shumë