Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/14/2020 8:16:08 PM

ZKA-ja prezanton auditimin ndaj shpenzimeve publike të ndërlidhura me Covid-19

Përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca dhe drejtoresha e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj, morën pjesë në punëtorinë virtuale “Auditimi i shpenzimeve të lidhura me Covid-19” të organizuar nga SIGMA në kuadër të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për Bashkimin Evropian dhe Gjykata Evropiane e Audituesve. Pjesëmarrësit e kësaj punëtorie nga shtatë Institucione Supreme të Auditimit diskutuan lidhur me rritjen e përgjegjësisë dhe transparencës së fondeve publike të shpenzuara në emër të Covid-19. Me këtë rast Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca, tha se sikurse në vendet e tjera edhe në Kosovë pandemia Covid-19, në perspektivën e financave publike dhe ekonomisë në përgjithësi kishte ndikim të rëndësishëm në të hyrat dhe shpenzimet. Spanca përmendi masat e ndërmarra nga shteti për t’iu përgjigjur situatës emergjente, përfshirë rishikimin e buxhetit, pakon e emergjencës fiskale dhe miratimin e Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike. Spanca bëri më dije se me qëllim të rritjes së përgjegjësisë dhe transparencës së shpenzimeve publike në lidhje me Covid-19, Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës ka adaptuar planin e saj vjetor të auditimit dhe ka marrë masa për auditimin e shpenzimeve të lidhura me Covid-19. Spanca tha se këtë vit, ZKA po zbaton metodologjinë e përditësuar të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë, kështu që shpenzimet në lidhje me Covid-19 do të testohen nga perspektiva financiare dhe e pajtueshmërisë. Gjithashtu, ZKA ka një marrëveshje për të audituar pasqyrat financiare të projekteve të financuara nga Banka Botërore dhe për vitin 2020 do të auditojë 11 projekte, nga të cilat tri janë projekte që lidhen me menaxhimin e situatës pandemike. “Kjo është nga perspektiva e auditimit financiar dhe pajtueshmërisë, ndërsa në planin e saj vjetor të auditimit, ZKA ka prezantuar edhe auditimin e performancës së menaxhimit të Covid-19. Përmes këtij auditimi, ZKA do të vlerësojë nëse institucionet publike shëndetësore kanë menaxhuar siç duhet pandeminë Covid-19. Synimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit është që përmes auditimeve cilësore të ndikojë në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës publike si dhe përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës e me këtë rast përmirësimin e menaxhimit të situatave emergjente siç është kjo me Covid-19”, deklaroi Spanca.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Zyra Kombëtare e Auditimit në mesin e institucioneve që u vlerësuan për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

Zyra Kombëtare e Auditimit në mesin e institucioneve që u vlerësuan për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

Zyra e Komisionerit për gjuhët (ZKGJ) në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE), kanë ndarë çmimin “Praktika më e mirë në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”. Në mesin e institucioneve të vlerësuara që kanë treguar praktikë të shkëlqyeshme të përkthimit duke respektuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ishte edhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). Ndarja e çmimit për institucionet e shpërblyera u bë në një ceremoni online ku morën pjesë shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë ambasadori Jan Braathu, Komisioneri për gjuhët, Slavisa Mladenovic si dhe përfaqësues të institucioneve përkatëse. Në emër të Zyrës Kombëtare të Auditimit, drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Zhvillim Profesional në ZKA, Saranda Husaj Baraliu, falënderoj Zyra e Komisionerit për gjuhët (ZKGJ) si dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE) për këtë vlerësim. “Ky shpërblim tregon përkushtimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për të respektuar detyrimet kushtetuese e ligjore në përdorimin e gjuhëve zyrtare. Ky vlerësim na inkurajon që të punojmë dhe avancojmë tutje promovimin e vlerave të diversitetit gjuhësor dhe të shërbejmë si shembull për institucionet e Republikës së Kosovës”, deklaroi Husaj Baraliu. Ndarja e çmimit është bërë  në bazë të monitorimit të përdorimit të gjuhëve zyrtare në ueb faqet zyrtare të institucioneve përkatëse duke përfshirë edhe rrjetet sociale. Fitues të çmimit  të parë u shpallen Ministria e Financave, Komuna e Prishtinës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Gjykata Kushtetuese dhe Banka Qendrore e Kosovës. Ndërsa për praktikë të shkëlqyeshme të përkthimit duke respektuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve me një certifikatë dhe disa pajisje të vogla u shpërblyen Zyra Kombëtare e Auditimit, Avokati i Popullit, Komisioni Qendror Zgjedhor etj. Kjo është ceremonia e dytë vjetore e organizuar nga Zyra e Komisionerit për gjuhët (ZKGJ) në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE).
Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm rekomandon Kuvendin të mbajë llogaridhënëse Qeverinë e Kosovës për zbatimin e rekomandimeve

Auditori i Përgjithshëm rekomandon Kuvendin të mbajë llogaridhënëse Qeverinë e Kosovës për zbatimin e rekomandimeve

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar “Raportin e  vlerësimit për zbatimin e rekomandimeve të auditimeve të performancës të vitit 2017”. Qëllimi i këtij raporti është që t’i ofroj Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës një informacion lidhur me veprimet e ndërmarra nga institucionet publike për zbatimin e rekomandimeve të auditimit. Subjekt i Raportit të vlerësimit kanë qenë 166 rekomandime të dhëna në  shtatë raporte të  auditimit të performancës të publikuara në vitin 2017, ku kanë qenë të përfshira 35 institucione publike. Raporti i vlerësimit, konstaton se institucionet e  audituara nuk janë angazhuar mjaftueshëm për të zbatuar rekomandimet e dhëna. Rezultatet e këtij vlerësimi tregojnë se zbatimi i rekomandimeve për auditime të performancës nuk është në nivel të kënaqshëm. Nga 166 rekomandime të dhëna, vetëm 36% e tyre janë zbatuar plotësisht, 10% janë në fazën finale të zbatimit, 13% kanë filluar zbatimin si dhe 10% e rekomandimeve nuk janë adresuara fare. Kurse  për 31% të rekomandimeve entitetet nuk kanë dorëzuar informatat. Nga 35 institucione të audituara vetëm katër prej tyre kanë përgatitur dhe dorëzuar planin e veprimit, ndërsa pyetësorit të vlerësimit të ZKA-së i janë përgjigjur 23 apo 66 për qind. Mungesa e përgatitjes së planit të veprimit, mosgatishmëria e institucioneve t’i përgjigjen vlerësimit dhe numri i ulët i zbatimit të plotë të rekomandimeve, tregojnë mungesën e përkushtimit  të institucioneve publike për të përmirësuar performancën e tyre  edhe rrjedhimisht menaxhimin me paranë publike. Përveç mangësive, Raporti konstaton se janë ndërmarrë disa veprime nga entitetet dhe kjo mund të rezultojë në përmirësimin e aktiviteteve në fushën e gjyqësorit, zhvillimit ekonomik, arsimit dhe shëndetësisë. Lidhur me rezultatet e këtij vlerësimi, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani i rekomandon Kuvendit të Republikës së Kosovës, të mbajë llogaridhënëse Qeverinë e Kosovës për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të performancës, të kërkoj përgatitjen e planeve të veprimit  si dhe të monitoroj  progresin e zbatimit të rekomandimeve të  institucioneve të audituara. Tutje Auditori i Përgjithshëm i rekomandon Qeverisë së e Kosovës që të ketë një angazhim proaktiv në adresimin e të gjitha çështjeve të cilat ndërlidhen me gjetjet e auditimeve të performancës duke ndërtuar mekanizma llogaridhënës për zbatimin e rekomandimeve. Vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve është një proces përcjellës gjatë të cilit auditorët vlerësojnë përshtatshmërinë, efektivitetin dhe afatet kohore të veprimeve të ndërmarra nga menaxhmenti i organizatës së audituar për të adresuar çdo rekomandim të auditimit. Këto procese bazohen në Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.
Lexo më shumë