Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës ?Hasan Prishtina? mbajtën seminar me temën ?Auditimi dhe sfidat në realitetin e ri në Kosovë?. Prezantues në këtë seminar ishin Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, profesorë nga Universiteti i Prishtinës si dhe prezantues të tjerë të abstrakteve për auditimin të përgatitura për këtë seminar. Seminari online ishte i hapur për studentët dhe publikun. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani në fjalën e tij është shprehur së është i lumtur që do të ketë mundësi të ngritet ritmi i bashkëpunimit në mes të Institucionit Suprem të Auditimit dhe botës akademike, gjegjësisht Fakultetit Ekonomik - si një prej adresave më të rëndësishme të kontabiliteti dhe auditimit në vend. Osmani prezantoj para pjesëmarrësve rëndësinë e auditimit publik në Kosovë, rolin, misionin dhe mënyrën se si funksionon Zyra Kombëtare e Auditimit. Prezantimin e ka vazhduar duke shpjeguar detaje të tjera rreth procesit të auditimit, që nga planifikimi e deri te publikimi i raporteve. Osmani poashtu, theksoi rëndësinë e kompetencës profesionale të auditorëve. ?Për të qenë një auditor publik, është shumë e rëndësishme të keni njohuri të shkëlqyeshme të administratës publike, Standardeve të Kontabilitetit dhe Auditimit, kornizës ligjore dhe praktikave të mira, si dhe njohuri të shkëlqyeshme të shkrimit? tha Osmani. Një Institucion Suprem i Auditimit siç është ZKA-ja, synon t’ju ndihmojë krerëve të institucioneve të audituara të përmirësojnë punën e tyre dhe këtë e bën përmes rekomandimeve konkrete; të shtoj vlerën për para; të forcoj qeverisjen e mirë dhe menaxhimin e shëndoshë financiar si dhe të ofrohen shërbime të mira për qytetarët, theksoj ndër të tjera Osmani. Raportet e ZKA-së promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për t’u kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore. Mirëpo, sipas Osmanit, sfida kryesore ne auditimin publik, vazhdon të mbetet niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve, i cili është rreth 40%. Auditori i Përgjithshëm, tutje ka theksuar rëndësinë e madhe që ka partneriteti i ZKA-së me shoqërinë civile, mediat dhe institucionet akademike. ?Marrëdhënia e ZKA-së me këta partnerë është e vendosur në tri dimensione: ZKA-ja si organizatë publike i nënshtrohet nevojës për të qenë e hapur me palët e jashtme lidhur me përdorimin e fondeve dhe pasurisë që i është besuar nga Kuvendi për kryerjen e funksioneve të veta; ZKA si organizatë e vetme dhe e pavarur audituese duhet të bashkëpunojë me palët e interesit, në mënyrë që informacioni i përçuar në publik, të bëhet në mënyrë të saktë, të paanshme dhe profesionale. Është e rëndësisë së vecantë, edhe absorbimi i informatave të vlefshme, për fushat me interes të lartë publik që duhen audituar? tha ai. Në anën tjetër, Dekani i Fakultetit Ekonomik, Fatos Ukaj theksoj rëndësinë e bashkëpunimit në mes të institucioneve, me ç'rast falënderoj Auditorin e Përgjithshëm për bashkëpunimin, duke shpresuar që ky bashkëpunim të avancojë tutje. Ndërsa, Muhamet Aliu, Profesor në Fakultetin Ekonomik, ka prezantuar në detaje procesin e auditimit dhe sfidat e aplikimit të tij në Kosovë. Seminari ka vazhduar punimet me prezantimin e abstrakteve nga pjesëmarrësit, me temat: Rëndësia e kontrollit të brendshëm në vlerësimin e rreziqeve të brendshme dhe të jashtme; Auditimi në marketing; Etika dhe tarifat e auditimit në Kosovë; Auditimi i përputhshmërisë si formë e nevojshme në aktivitetet e auditimit në Kosovë dhe Efekti i karakteristikave individuale të auditorit në cilësinë e auditimit. Në fund të seminarit pjesëmarrësit dhe prezantuesit patën mundësi të bashkëbisedojnë dhe shkëmbejnë përvojat e tyre në auditim. Të gjithë pjesëmarrësit me abstrakte në seminar, do të pajisen me certifikata. ZKA-ja dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë marrëveshje të bashkëpunimit që nga viti 2017. Kjo marrëveshje, ka për qëllim bashkëpunimin ndër institucional, shkëmbimet e ndihmës profesionale e akademike, si dhe të angazhimit të studentëve në punë praktike.