Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/5/2024 5:03:00 PM

Menaxhimi i bazuar në rezultate - qasje e re e bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë

Pas një bashkëpunimi afatgjatë dhe të suksesshëm, Institucionet Supreme të Auditimit nga Kosova dhe Suedia janë pajtuar të bashkëpunojnë edhe për pesë vitet e ardhshme në kuadër të projektit të ri i cili synon zhvillimin institucional dhe forcimin e mëtejmë të kapaciteteve organizative të ZKA-së. 

Për t’i diskutuar dhe identifikuar nevojat e ZKA-së për mbështetje në kuadër të këtij projekti, menaxhmenti i lartë i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë në datat 2-4 dhjetor 2024 mbajtën punëtorinë treditore në Istog.  

Në këtë punëtori pjesëmarrësit u angazhuan për zbatimin e menaxhimit të bazuar në rezultate dhe zhvillimin e teorisë së ndryshimit që përfshin grupet e synuara dhe rezultatet e pritshme. Po ashtu u diskutua për vlerësimin e fushëveprimit të bashkëpunimit për projektin e ri, identifikimin e boshllëqeve, vlerësimin e rrezikut, monitorimin e zbatimit dhe vlerësimin e ndikimit, sipas fushave kryesore të projektit: menaxhimi strategjik, udhëheqja dhe komunikimi i brendshëm si dhe auditimi i performancës.

Bashkëpunimi në kuadër të projektit të ri do të  zhvillohet sipas parimeve të Menaxhimit të Bazuar në Rezultate (MBR) duke u përqendruar në sigurimin e qëndrueshmërisë në zhvillim për ZKA-në përmes menaxhimit të qëndrueshëm të proceseve organizative dhe trajnimeve profesionale për trajnerë.

Pjesë e punëtorisë ishin Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme Myrvete Gashi Morina, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Ramadan Gashi, Drejtori i Përgjithshëm Safet Berisha, Drejtori i Departamentit të Metodologjisë Naser Arllati, Drejtori i Departamentit për Sigurimin e Cilësisë Fitim Haliti, Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza Muhamet Balaj, Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Qendresa Mulaj si dhe Specialisti i Auditimit Arben Selimi. Ndërsa nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë ishin Isabelle Berglund, Këshilltare e Lartë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Udhëheqëse e Projektit, Hazim Sabanovic, Zyrtar Ndërlidhës dhe Roland Svensson, Konsulent për Zhvillimin e Menaxhimit të Bazuar në Rezultate.

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës dhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë në vazhdimësi kanë konfirmuar  angazhimin për një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm i cili daton që nga viti 2011 kur ishte arritur marrëveshja e parë e bashkëpunimit. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

OSBE-ja dhe ZKA-ja mbajtën punëtorinë e fundit për këtë vit për përmirësimin e praktikave komunale të auditimit dhe rritjen e ndikimit

OSBE-ja dhe ZKA-ja mbajtën punëtorinë e fundit për këtë vit për përmirësimin e praktikave komunale të auditimit dhe rritjen e ndikimit

Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) të hënën në Prishtinë organizuan punëtorinë e dytë me temën “Praktikat komunale të auditimit dhe ndikimi i raporteve të auditimit për vitin 2023”.

 

Në këtë punëtori, të fundit për këtë vit, morën pjesë Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Agron Fetiu, Drejtoresha e Departamentit të Auditimit Blerina Krasniqi, zyrtari i lartë i OSBE-s Fatmir Zylfijaj, si dhe kryesues të kuvendeve komunale, drejtorë të financave, zyrtarë kryesorë financiarë dhe auditorë të brendshëm nga 19 komuna.

Punëtoria pati për qëllim diskutimin e praktikave të auditimit të komunave dhe ndikimin e raporteve të auditimit për vitin 2023. Pjesëmarrësit folën për sfidat kryesore në zbatimin e rekomandimeve të auditimit, hartimin e planeve të veprimit, si dhe përmirësimin e raportimit në kuvendet komunale.

Lexo më shumë
ZKA-ja dhe Prokuroria e Shtetit angazhohen për rritjen e bashkëpunimit në mbrojtjen e parasë publike

ZKA-ja dhe Prokuroria e Shtetit angazhohen për rritjen e bashkëpunimit në mbrojtjen e parasë publike

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe me mbështetjen e USAID- KMI të martën mbajtën punëtorinë me temën “Harmonizimi i Përkufizimeve të Shkeljeve dhe Udhëzimet për Identifikimin e Veprave Penale”,  ku u trajtuan çështjet ligjore që ndërlidhen me mashtrimet e mundshme të identifikuara gjatë procesit të auditimit. Përveç drejtuesve të lartë dhe përfaqësuesve tjerë të dy institucioneve dhe Projektit  USAID- KMI të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Ambasada e Amerikës.

 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se angazhimi i përbashkët në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit është e vetmja mënyrë për ruajtjen dhe menaxhimin më të mirë të financave publike. Ajo tha se ky qëllim arrihet duke rritur llogaridhënien dhe transparencën në sektorin publik. “Zyra Kombëtare e Auditimit vazhdon të kontribuojë fuqishëm për të siguruar që institucionet publike mbahen përgjegjëse për veprimet e tyre karshi menaxhimit të parasë dhe pasurisë publike. Në baza vjetore dërgojmë të organet për zbatimin e ligjit rastet me elemente të mundshme të mashtrimit apo keqpërdorimit të cilat identifikohen gjatë auditimit”, deklaroi ajo.

 

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, tha se mbajtja e kësaj punëtorie është një mundësi e mirë për të diskutuar për punën tonë të përditshme, si dhe ky angazhim është në fokus dhe interes të dy institucioneve. Ai tha se ka raste që duken të thjeshta për t’i trajtuar por ato kërkojnë kohë dhe angazhim. Në këtë aspekt z. Kelmendi tha se ZKA-ja shpeshherë është e shqetësuar për rastet e dërguara dhe ne i mirëkuptojmë sepse secili që ngrit një rast ka të drejtë të dije së çka ka ndodhur më të. “Ne pranojmë informata bazike nga auditorët dhe pastaj duhet të bëjmë kërkime të tjera e në disa raste edhe të kthehemi të auditorët për të kërkuar informata shtesë. Në vazhdimësi jemi duke u angazhuar për të rritur efikasin e trajtimit të rasteve”, deklaroi Kelmendi.  

 

Drejtoresha e Projektit të USAID – Integriteti i Komunave të Kosovës (KMI), Aferdita Mekuli, vlerësoi mbajtjen e kësaj punëtorie dhe angazhimin e dy institucioneve në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. “Për neve është shumë e rëndësishme të shohim se po ndodh kjo ngjarje, sepse angazhohemi vazhdimisht për të mbështetur institucionet në luftimin e korrupsionit dhe mashtrimit. Ne kemi mbështetur ZKA-në në themelimin e Njësisë Kundër Mashtrimit dhe do të vazhdojmë përkrahjen tonë. Diskutimi i sotëm është një përpjekje pozitive për të diskutuar për një qasje kohezive nga të dy institucionet”, theksoi Mekuli.

 

Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimeve në ZKA, Minire Begaj-Balaj, tha se kjo punëtori i kontribuon forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjes së kapaciteteve profesionale në trajtimin e rasteve dhe qartësimit të përkufizimit të shkeljeve ligjore, si dhe adresimin e sfidave në proces.

Zëvendës Auditor i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, foli për rolin e auditimit dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në identifikimin e mashtrimeve në sektorin publik: sfidat dhe mundësitë për përmirësim. Ai tha se është e domosdoshme që të ketë përkufizime të qarta dhe qasje të harmonizuar për të identifikuar dhe trajtuar në mënyrë efektive rastet me elemente të mundshme të mashtrimit dhe korrupsionit. Z. Halilaj tregoi se gjatë viteve 2018 - 2023 në Prokurori të Shtetit janë dërguar rreth 377 raste me elemente të mashtrimit dhe korrupsionit, ndërsa vetëm për vitin 2023 janë dërguar mbi 50 sosh.  

 

Prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, theksoi se është me interes për të dy institucionet të ketë sukses në luftimin e korrupsionit dhe mashtrimit. Ai bëri me dije se Prokuroria e Shtetit është e interesuar që rastet e dërguara nga Zyra Kombëtare e Auditimit të mos mbeten në sirtarë. “Sot do të kemi rastin të diskutojmë dhe të kuptojmë se jo çdo rast përmban elemente të veprës penale. Sa i përket procedimit të rasteve duhet të bëjmë hapa progresiv. Ne jemi të interesuar për më tepër, të na jepni elemente të veprës penale për faktin që informatat e ngritura të mos jenë thjeshtë të karakterit administrativ”, theksoi z. Hyseni. 

 

ZKA-ja dhe PSH u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe të sigurojnë koordinim të qëndrueshëm në shkëmbimin e informatave për rastet e identifikuara, të vazhdohet me mbajtjen e punëtorive të tjera si dhe të angazhohen për zhvillimin e platformës elektronike për rastet e mashtrimit dhe kthimin e informacionit  ndërmjet dy institucioneve.  

Lexo më shumë