Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/27/2021 12:04:37 PM

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani priti në takim Auditorin e Përgjithshëm të Autoritetit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA

Auditor i Përgjithshëm i Autoritetit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA, Adem Curi i shoqëruar nga këshilltari  për auditimin e programeve të financuara nga BE dhe bashkëpunimin ndërkombëtar Ivan Ignjatov të martën zhvilluan një vizitë pune në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Osmani dhe Curi folën për rëndësinë e auditimit të fondeve të Bashkimit Evropian me qellim që ato të shpenzohen në mënyrë efektive dhe në dobi të qytetarëve dhe për modalitetet e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në mënyrë që Kosova gradualisht të përgatitet në ngritjen e këtyre strukturave krahas progresit të vendit në procesin e integrimeve evropiane. Përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit, njoftuan delegacionin e Autoritetit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA lidhur me zbatimin e Planit Strategjik të Zyrës Kombëtare të Auditimit 2018-2021 dhe Planit aktual vjetor të auditimit; Procesin e Auditimit, Kontrollin e cilësisë dhe Sigurimin e cilësisë; Zhvillimin Profesional dhe Komunikimi me palët  e interesit; bashkëpunimin me organet e drejtësisë dhe organizmat përkatëse për luftimin e korrupsionit; si dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar. Edhe përfaqësuesit e Autoritetit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA bën një prezantim të këtij institucioni duke treguar për mandatin, detyrat dhe përgjegjësitë e tij. Të dy institucionet e vlerësuan të rëndësishëm bashkëpunimin e mëtutjeshëm në mes tyre dhe shkëmbimin e ideve dhe përvojave të tyre.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në konferencën ndërkombëtare shkencore dhe praktike të INTOSAI-t

Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në konferencën ndërkombëtare shkencore dhe praktike të INTOSAI-t

Organizata  Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) me 21 dhe 22 prill mbajti konferencën ndërkombëtare shkencore dhe praktike. Për shkak të pandemisë Covid 19 konferenca u mbajt në platformën online. Punimet e kësaj konference janë ndjekur edhe nga përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, ku janë diskutuar tema të ndryshme për praktikat e auditimit në sektorin publik, kryesisht përgjatë situatës aktuale të pandemisë. Në ditën e parë të konferencës tema kryesore e diskutimit ka qenë “Auditimi në sektorin publik dhe përparimi i praktikave të qeverisjes gjatë dhe pas emergjencës”. Më pas në kuadër të kësaj teme diskutimi i pjesëmarrësve ka vazhduar me shpalosjen e praktikave të Institucioneve Supreme të Auditimit lidhur me “Auditimi i kujdesit shëndetësor dhe kujdesit shoqëror: mjete të reja për komunitetin e INTOSAI-t”; Prokurimi publik dhe risitë në auditim: Zgjidhje të reja për probleme të vjetra;  si dhe “Gjithëpërfshirja: objektivi i auditimit ose kriteret e auditimit”. Ndërsa në ditën e dytë konferenca shkencore e INTOSAI-t ka vazhduar punimet me temën “Mësimi online: Normë e re, apo zgjidhje e përkohshme?”; për të vazhduar më tutje diskutimet për “Auditimi strategjik”; “Analitika e të dhënave në punën e ISA-ve”; “Hapja (transparenca) e ISA-së; si dhe “Auditimi i synimeve për zhvillim të qëndrueshëm (SZhQ)”.
Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm dorëzon në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020

Auditori i Përgjithshëm dorëzon në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, të premten është pritur në takim nga kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT), Armend Muja. Osmani e ka informuar z. Muja për finalizimin e procesit të auditimit për sezonin 2020/21 dhe për vështirësitë me të cilat është duke u ballafaquar ZKA-ja në realizimin e planit të auditimit. Ata kanë biseduar për modalitetet e bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së dhe KBPT-së me qellim që rezultatet e auditimit të përmirësojnë qeverisjen dhe shërbimet ndaj qytetarëve. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm/Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) e ka dorëzuar  në Kuvendin e Kosovës edhe Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020. Pas dorëzimit, raporti është publikuar në uebfaqen e ZKA-së. Raporti Vjetor i Performancës përmban informata të rëndësishme rreth performancës së institucionit të Auditorit të Përgjithshëm në përmbushjen e obligimeve të tij kushtetuese e ligjore, në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA). Puna e  Zyrës gjatë vitit 2020 është mbështetur në Planin Strategjik 2018-2021, Planin Vjetor të Auditimit 2019/20, që paraprakisht i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës, si dhe në Planin Operativ 2020. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, në fjalën e tij brenda raportit ka thënë se pavarësisht se viti 2020 ka qenë sfidues për shkak të ndikimit të pandemisë COVID 19, Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur t’i përmbush të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën audituese, duke forcuar mbulueshmërinë dhe cilësinë e auditimit. Madje gjatë vitit 2020 ka kryer numrin më të lartë të auditimeve të rregullsisë që nga themelimi. Ai ka thënë se përmes rekomandimeve praktike, ZKA-ja ka shtrirë më tej ndikimin e saj, ku është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të auditimit. “Janë audituar 95 organizata buxhetore me një buxhet të përgjithshëm rreth 2.5 miliardë euro, 14 ndërmarrje publike kryesisht në fushën e telekomunikimit, furnizimit me ujë dhe trajtimit të mbeturinave, 8 auditime të performancës me fokus tema komplekse, si dhe 9 projekte të financuara nga fondet e donatorëve”, është shprehur Osmani. Paralelisht, janë përditësuar doracakët dhe letrat e punës sipas Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe praktikave të mira ndërkombëtare si dhe është  digjitalizuar procesi i punës audituese me lansimin e sistemit elektronik të auditimit SITA, përmes së cilit do të racionalizohet koha në auditim, rritet cilësia dhe siguria e auditimeve si dhe forcohet transparenca. Kurse sukseset në rrafshin ndërkombëtar kanë kulmuar me integrimin e ZKA-së si anëtare në dy organizata ndërkombëtare, Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) dhe në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI). Ndërkaq, me Planin Vjetor për sezonin e auditimit 2020/21, ZKA-ja është duke kryer 116 auditime të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë) si dhe tetë (8) auditime të performancës. Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020 mund ta gjeni këtu.
Lexo më shumë