Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/30/2021 3:01:50 PM

Auditori i Përgjithshëm dorëzon në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, të premten është pritur në takim nga kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT), Armend Muja. Osmani e ka informuar z. Muja për finalizimin e procesit të auditimit për sezonin 2020/21 dhe për vështirësitë me të cilat është duke u ballafaquar ZKA-ja në realizimin e planit të auditimit. Ata kanë biseduar për modalitetet e bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së dhe KBPT-së me qellim që rezultatet e auditimit të përmirësojnë qeverisjen dhe shërbimet ndaj qytetarëve. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm/Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) e ka dorëzuar  në Kuvendin e Kosovës edhe Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020. Pas dorëzimit, raporti është publikuar në uebfaqen e ZKA-së. Raporti Vjetor i Performancës përmban informata të rëndësishme rreth performancës së institucionit të Auditorit të Përgjithshëm në përmbushjen e obligimeve të tij kushtetuese e ligjore, në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA). Puna e  Zyrës gjatë vitit 2020 është mbështetur në Planin Strategjik 2018-2021, Planin Vjetor të Auditimit 2019/20, që paraprakisht i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës, si dhe në Planin Operativ 2020. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, në fjalën e tij brenda raportit ka thënë se pavarësisht se viti 2020 ka qenë sfidues për shkak të ndikimit të pandemisë COVID 19, Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur t’i përmbush të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën audituese, duke forcuar mbulueshmërinë dhe cilësinë e auditimit. Madje gjatë vitit 2020 ka kryer numrin më të lartë të auditimeve të rregullsisë që nga themelimi. Ai ka thënë se përmes rekomandimeve praktike, ZKA-ja ka shtrirë më tej ndikimin e saj, ku është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të auditimit. “Janë audituar 95 organizata buxhetore me një buxhet të përgjithshëm rreth 2.5 miliardë euro, 14 ndërmarrje publike kryesisht në fushën e telekomunikimit, furnizimit me ujë dhe trajtimit të mbeturinave, 8 auditime të performancës me fokus tema komplekse, si dhe 9 projekte të financuara nga fondet e donatorëve”, është shprehur Osmani. Paralelisht, janë përditësuar doracakët dhe letrat e punës sipas Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe praktikave të mira ndërkombëtare si dhe është  digjitalizuar procesi i punës audituese me lansimin e sistemit elektronik të auditimit SITA, përmes së cilit do të racionalizohet koha në auditim, rritet cilësia dhe siguria e auditimeve si dhe forcohet transparenca. Kurse sukseset në rrafshin ndërkombëtar kanë kulmuar me integrimin e ZKA-së si anëtare në dy organizata ndërkombëtare, Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) dhe në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI). Ndërkaq, me Planin Vjetor për sezonin e auditimit 2020/21, ZKA-ja është duke kryer 116 auditime të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë) si dhe tetë (8) auditime të performancës. Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020 mund ta gjeni këtu.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani priti në takim Auditorin e Përgjithshëm të Autoritetit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani priti në takim Auditorin e Përgjithshëm të Autoritetit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA

Auditor i Përgjithshëm i Autoritetit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA, Adem Curi i shoqëruar nga këshilltari  për auditimin e programeve të financuara nga BE dhe bashkëpunimin ndërkombëtar Ivan Ignjatov të martën zhvilluan një vizitë pune në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Osmani dhe Curi folën për rëndësinë e auditimit të fondeve të Bashkimit Evropian me qellim që ato të shpenzohen në mënyrë efektive dhe në dobi të qytetarëve dhe për modalitetet e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në mënyrë që Kosova gradualisht të përgatitet në ngritjen e këtyre strukturave krahas progresit të vendit në procesin e integrimeve evropiane. Përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit, njoftuan delegacionin e Autoritetit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA lidhur me zbatimin e Planit Strategjik të Zyrës Kombëtare të Auditimit 2018-2021 dhe Planit aktual vjetor të auditimit; Procesin e Auditimit, Kontrollin e cilësisë dhe Sigurimin e cilësisë; Zhvillimin Profesional dhe Komunikimi me palët  e interesit; bashkëpunimin me organet e drejtësisë dhe organizmat përkatëse për luftimin e korrupsionit; si dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar. Edhe përfaqësuesit e Autoritetit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA bën një prezantim të këtij institucioni duke treguar për mandatin, detyrat dhe përgjegjësitë e tij. Të dy institucionet e vlerësuan të rëndësishëm bashkëpunimin e mëtutjeshëm në mes tyre dhe shkëmbimin e ideve dhe përvojave të tyre.
Lexo më shumë
Homologët urojnë Auditorin e Përgjithshëm për suksesin e ZKA-së

Homologët urojnë Auditorin e Përgjithshëm për suksesin e ZKA-së

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani pranon urime për anëtarësimin e ZKA-së me të drejta të plota në EUROSAI Në punimet e Kongresit të XI-të të Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), të mbajtur me 14 dhe 15 prill 2021, pasi u ndërmorën të gjitha veprimet e nevojshme, Kongresi si organi më i lartë i organizatës, ka bërë të plotfuqishëm vendimin e Bordit Drejtues për pranimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës (ZKA) në këtë organizatë. Me këtë rast, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka pranuar urime të shumta nga homologët e tij për këtë arritje të rëndësishme për ZKA-në. Osmani ka marrë telegrame urimi nga Presidenti i EUROSAI-t, z. Miloslav Kala njëherësh President i Institucionit Suprem të Auditimit të Republikës së Çekisë, nga z. Seyit Ahmet Bas, President i Gjykatës Turke të Llogarive, njëherësh Nën President i EUROSAI-t, Auditori i Përgjithshëm i Britanisë së Madhe, z. Gareth Davies, nga Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, z. Arben Shehu. Gjithashtu ka pranuar telefonata të shumta urimi nga homologë të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe kolegë e miq tjerë ndërkombëtar, si nga Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Maksim Acevski, ai i Kroacisë, z. Ivan Klešic, Presidenti i Institucionit Supreme të Auditimit të Polonisë, z. Marian Banas etj. Presidenti i EUROSAI-t, z. Miloslav Kala, në letrën e tij drejtuar z. Osmani, ka thënë se është i lumtur që në Kongresin e XI të EUROSAI-t është vulosur anëtarësimi i plotë i ZKA-së në këtë organizatë. Ai ka rikujtuar se rruga për t’u bërë pjesë e EUROSAI-t ishte e gjatë dhe me pengesa, por falë përpjekjeve të përbashkëta dhe bashkëpunimit  të ngushtë është  shënuar ky sukses. “Ky është një moment historik për ZKA-në, bashkëpunimi miqësor dhe i frytshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen në mes të dy organizatave tona. Gjatë mandatit tim të presidencës, unë do të theksoja domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndarjen e njohurive midis anëtarëve të EUROSAI-t”, ka shkruar Kala. Urime të përzemërta Osmani ka marrë edhe nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, Arben Shehu. Në letrën e urimit z. Shehu ka thënë se Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ndan të njëjtat parime dhe vlera me të gjitha vendet anëtare të EUROSAI-t në lidhje me transparencën, mirëqeverisjen, llogaridhënien dhe zhvillimin e kompetencave profesionale në fushën e auditimit të sektorit publik, duke u bërë anëtari i 51-të i kësaj organizate. “Angazhimi i vazhdueshëm në mbështetje të ZKA-së do të shërbej për intensifikimin dhe rritjen cilësore të bashkëpunimit midisi dy institucioneve tona në fushat me interes të përbashkët edhe në të ardhmen”, është shprehur Shehu. Po ashtu edhe Auditori i Përgjithshëm i Britanisë së Madhe, Gareth Davies, ka përgëzuar Auditorin e Përgjithshëm Besnik Osmanin lidhur me anëtarësimin e ZKA-së në EUROSAI, duke thënë se kjo mundëson shkëmbimin e eksperiencave dhe njohurive ndërmjet anëtarëve. “Ne e mbështesim Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe presim që të punojmë edhe më tutje në ngritjen e marrëdhënieve të mira në mes të organizatave tona, veçanërisht punën që lidhet me procesin e auditimit për Covid 19”, thuhet ndër të tjera në urimin e Davies.
Lexo më shumë