Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/5/2021 4:12:48 PM

Homologët urojnë Auditorin e Përgjithshëm për suksesin e ZKA-së

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani pranon urime për anëtarësimin e ZKA-së me të drejta të plota në EUROSAI Në punimet e Kongresit të XI-të të Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), të mbajtur me 14 dhe 15 prill 2021, pasi u ndërmorën të gjitha veprimet e nevojshme, Kongresi si organi më i lartë i organizatës, ka bërë të plotfuqishëm vendimin e Bordit Drejtues për pranimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës (ZKA) në këtë organizatë. Me këtë rast, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka pranuar urime të shumta nga homologët e tij për këtë arritje të rëndësishme për ZKA-në. Osmani ka marrë telegrame urimi nga Presidenti i EUROSAI-t, z. Miloslav Kala njëherësh President i Institucionit Suprem të Auditimit të Republikës së Çekisë, nga z. Seyit Ahmet Bas, President i Gjykatës Turke të Llogarive, njëherësh Nën President i EUROSAI-t, Auditori i Përgjithshëm i Britanisë së Madhe, z. Gareth Davies, nga Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, z. Arben Shehu. Gjithashtu ka pranuar telefonata të shumta urimi nga homologë të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe kolegë e miq tjerë ndërkombëtar, si nga Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Maksim Acevski, ai i Kroacisë, z. Ivan Klešic, Presidenti i Institucionit Supreme të Auditimit të Polonisë, z. Marian Banas etj. Presidenti i EUROSAI-t, z. Miloslav Kala, në letrën e tij drejtuar z. Osmani, ka thënë se është i lumtur që në Kongresin e XI të EUROSAI-t është vulosur anëtarësimi i plotë i ZKA-së në këtë organizatë. Ai ka rikujtuar se rruga për t’u bërë pjesë e EUROSAI-t ishte e gjatë dhe me pengesa, por falë përpjekjeve të përbashkëta dhe bashkëpunimit  të ngushtë është  shënuar ky sukses. “Ky është një moment historik për ZKA-në, bashkëpunimi miqësor dhe i frytshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen në mes të dy organizatave tona. Gjatë mandatit tim të presidencës, unë do të theksoja domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndarjen e njohurive midis anëtarëve të EUROSAI-t”, ka shkruar Kala. Urime të përzemërta Osmani ka marrë edhe nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, Arben Shehu. Në letrën e urimit z. Shehu ka thënë se Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ndan të njëjtat parime dhe vlera me të gjitha vendet anëtare të EUROSAI-t në lidhje me transparencën, mirëqeverisjen, llogaridhënien dhe zhvillimin e kompetencave profesionale në fushën e auditimit të sektorit publik, duke u bërë anëtari i 51-të i kësaj organizate. “Angazhimi i vazhdueshëm në mbështetje të ZKA-së do të shërbej për intensifikimin dhe rritjen cilësore të bashkëpunimit midisi dy institucioneve tona në fushat me interes të përbashkët edhe në të ardhmen”, është shprehur Shehu. Po ashtu edhe Auditori i Përgjithshëm i Britanisë së Madhe, Gareth Davies, ka përgëzuar Auditorin e Përgjithshëm Besnik Osmanin lidhur me anëtarësimin e ZKA-së në EUROSAI, duke thënë se kjo mundëson shkëmbimin e eksperiencave dhe njohurive ndërmjet anëtarëve. “Ne e mbështesim Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe presim që të punojmë edhe më tutje në ngritjen e marrëdhënieve të mira në mes të organizatave tona, veçanërisht punën që lidhet me procesin e auditimit për Covid 19”, thuhet ndër të tjera në urimin e Davies.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori i Përgjithshëm dorëzon në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020

Auditori i Përgjithshëm dorëzon në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, të premten është pritur në takim nga kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT), Armend Muja. Osmani e ka informuar z. Muja për finalizimin e procesit të auditimit për sezonin 2020/21 dhe për vështirësitë me të cilat është duke u ballafaquar ZKA-ja në realizimin e planit të auditimit. Ata kanë biseduar për modalitetet e bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së dhe KBPT-së me qellim që rezultatet e auditimit të përmirësojnë qeverisjen dhe shërbimet ndaj qytetarëve. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm/Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) e ka dorëzuar  në Kuvendin e Kosovës edhe Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020. Pas dorëzimit, raporti është publikuar në uebfaqen e ZKA-së. Raporti Vjetor i Performancës përmban informata të rëndësishme rreth performancës së institucionit të Auditorit të Përgjithshëm në përmbushjen e obligimeve të tij kushtetuese e ligjore, në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA). Puna e  Zyrës gjatë vitit 2020 është mbështetur në Planin Strategjik 2018-2021, Planin Vjetor të Auditimit 2019/20, që paraprakisht i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës, si dhe në Planin Operativ 2020. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, në fjalën e tij brenda raportit ka thënë se pavarësisht se viti 2020 ka qenë sfidues për shkak të ndikimit të pandemisë COVID 19, Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur t’i përmbush të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën audituese, duke forcuar mbulueshmërinë dhe cilësinë e auditimit. Madje gjatë vitit 2020 ka kryer numrin më të lartë të auditimeve të rregullsisë që nga themelimi. Ai ka thënë se përmes rekomandimeve praktike, ZKA-ja ka shtrirë më tej ndikimin e saj, ku është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të auditimit. “Janë audituar 95 organizata buxhetore me një buxhet të përgjithshëm rreth 2.5 miliardë euro, 14 ndërmarrje publike kryesisht në fushën e telekomunikimit, furnizimit me ujë dhe trajtimit të mbeturinave, 8 auditime të performancës me fokus tema komplekse, si dhe 9 projekte të financuara nga fondet e donatorëve”, është shprehur Osmani. Paralelisht, janë përditësuar doracakët dhe letrat e punës sipas Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe praktikave të mira ndërkombëtare si dhe është  digjitalizuar procesi i punës audituese me lansimin e sistemit elektronik të auditimit SITA, përmes së cilit do të racionalizohet koha në auditim, rritet cilësia dhe siguria e auditimeve si dhe forcohet transparenca. Kurse sukseset në rrafshin ndërkombëtar kanë kulmuar me integrimin e ZKA-së si anëtare në dy organizata ndërkombëtare, Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) dhe në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI). Ndërkaq, me Planin Vjetor për sezonin e auditimit 2020/21, ZKA-ja është duke kryer 116 auditime të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë) si dhe tetë (8) auditime të performancës. Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2020 mund ta gjeni këtu.
Lexo më shumë
ZKA-ja mban trajnimin për Rekomandimet e auditimit

ZKA-ja mban trajnimin për Rekomandimet e auditimit

Në kuadër të Projektit të Binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejshëm i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës”, të enjten dhe të premten është mbajtur trajnimi lidhur me udhëzimet e rekomandimeve të auditimit. Trajnimi dy ditorë për udhëzimet e rekomandimeve të auditimit është përqendruar në temat si: Moszbatimi i rekomandimeve të ZKA-së; Shkaqet e brendshme dhe të jashtme;  Referenca themelore – Interesi publik; Strukturat kyçe të rekomandimit: Gjetja; Rreziku; Kërkimi për mbështetje në teknologji digjitale; Përqendrimi i veçantë në statusin e të zbatuarit si dhe Prezantim i rekomandimeve në ueb faqe të Zyrës Kombëtare të Auditimit.  Secila nga këto  temat është diskutuar në punëtori, duke u mbuluar me detajet e nevojshme dhe duke iu referuar shembujve konkret bazuar në raportet e auditimit nga ZKA-ja. Ky trajnim është ndjekur nga Ndihmësit e Auditorit të Përgjithshëm, Udhëheqësit e Auditimit, Udhëheqës të Ekipeve të Auditimit, Departamenti për Metodologji dhe Sigurimin e Cilësisë si dhe Departamenti për Komunikimi dhe Zhvillim Profesional. Ndikimi i auditimit matet me nivelin e zbatimit të rekomandimeve. Niveli i zbatimit të rekomandimit është treguesi më i mirë për të kuptuar nëse menaxhmenti po përmirëson proceset ekzistuese dhe kontrollet në fushat ku janë identifikuar gabimet dhe parregullsitë. Rekomandimet e dhëna në raportet e auditimit përshkruajnë veprimet e nevojshme për të korrigjuar situatën, prandaj që të kenë efektin e dëshiruar ato duhet të jenë të përgatitura me kujdes, të shkruara dhe strukturuara mirë dhe të orientuar drejt rezultateve. Me qëllim të rritjes së numrit të rekomandimeve të zbatuara dhe rritjes së ndikimit të ZKA-së, përmes projektit “Fuqizimi i mëtejshëm i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës”, është duke u zhvilluara dhe së shpejti pritet të finalizohet databaza e rekomandimeve të auditimit e cila do të jetë e qasshme për publike përmes ueb faqes së ZKA-së. Prandaj, një pjesë e këtij trajnimi është fokusuar në demonstrimin e konceptit mbi të cilin është duke u zhvilluar kjo databazë.  
Lexo më shumë