Në kuadër të Projektit të Binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejshëm i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës”, të enjten dhe të premten është mbajtur trajnimi lidhur me udhëzimet e rekomandimeve të auditimit.
Trajnimi dy ditorë për udhëzimet e rekomandimeve të auditimit është përqendruar në temat si: Moszbatimi i rekomandimeve të ZKA-së; Shkaqet e brendshme dhe të jashtme; Referenca themelore – Interesi publik; Strukturat kyçe të rekomandimit: Gjetja; Rreziku; Kërkimi për mbështetje në teknologji digjitale; Përqendrimi i veçantë në statusin e të zbatuarit si dhe Prezantim i rekomandimeve në ueb faqe të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Secila nga këto temat është diskutuar në punëtori, duke u mbuluar me detajet e nevojshme dhe duke iu referuar shembujve konkret bazuar në raportet e auditimit nga ZKA-ja.
Ky trajnim është ndjekur nga Ndihmësit e Auditorit të Përgjithshëm, Udhëheqësit e Auditimit, Udhëheqës të Ekipeve të Auditimit, Departamenti për Metodologji dhe Sigurimin e Cilësisë si dhe Departamenti për Komunikimi dhe Zhvillim Profesional.
Ndikimi i auditimit matet me nivelin e zbatimit të rekomandimeve. Niveli i zbatimit të rekomandimit është treguesi më i mirë për të kuptuar nëse menaxhmenti po përmirëson proceset ekzistuese dhe kontrollet në fushat ku janë identifikuar gabimet dhe parregullsitë. Rekomandimet e dhëna në raportet e auditimit përshkruajnë veprimet e nevojshme për të korrigjuar situatën, prandaj që të kenë efektin e dëshiruar ato duhet të jenë të përgatitura me kujdes, të shkruara dhe strukturuara mirë dhe të orientuar drejt rezultateve.
Me qëllim të rritjes së numrit të rekomandimeve të zbatuara dhe rritjes së ndikimit të ZKA-së, përmes projektit “Fuqizimi i mëtejshëm i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës”, është duke u zhvilluara dhe së shpejti pritet të finalizohet databaza e rekomandimeve të auditimit e cila do të jetë e qasshme për publike përmes ueb faqes së ZKA-së. Prandaj, një pjesë e këtij trajnimi është fokusuar në demonstrimin e konceptit mbi të cilin është duke u zhvilluar kjo databazë.