Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
8/9/2021 12:07:24 PM

Zyra Kombëtare e Auditimit renditet në mesin e 17 Institucioneve Supreme të Auditimit në botë, me pavarësi të lartë

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka mirëpritur gjetjet e Raportit të Bankës Botërore lidhur me pavarësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit, duke nënvizuar se kjo e arritur e madhe është rezultat i punës profesionale dhe përkushtimit të personelit, përkrahjes nga publiku kosovar dhe ndihmës së partnerëve ndërkombëtar. Përfundimisht, shembulli i Zyrës Kombëtare të Auditimit është mesazhi më i qartë se Republika e Kosovës ka kapacitete për të ndërtuar institucione kredibile në rang botëror. Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës është renditur në mesin e Institucioneve Supreme të Auditimit që gëzojnë pavarësi të lartë në botë. Raporti i Bankës Botërore “Indeksi i Pavarësisë së Institucioneve Supreme të Auditimit”, ka listuar ZKA-në në mesin e 17-të Institucioneve Supreme të Auditimit të cilat kanë pavarësi të lartë. Rezultatet e këtij raporti, tregojnë se Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës dhe ajo e Kroacisë qëndrojnë më mirë se institucionet homologe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sa i përket pavarësisë institucionale. Ky vlerësim ka përfshirë 118 vende të botës dhe është bazuar në 10 indikatorë të pavarësisë, bazuar në standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira: Kushtetuta dhe korniza ligjore, transparenca në emërimin e kreut të ISA-ve, pavarësia financiare, llojet e auditimit, pavarësia operacionale, pavarësia e stafit, mandati i auditimit, pavarësia në fushëveprimin e auditimit, qasja në të dhëna dhe informata, të drejtat dhe përgjegjësitë në raportet e auditimit. Sipas, raportit vetëm 2 nga 118 vende u vlerësuar me 10 pikë, pra me pavarësi shumë të lartë, 17 vende kishin pavarësi të lartë; 33 vende kishin pavarësi thelbësore; 37 vende kishin pavarësi të kënaqshme dhe 29 vende kishin pavarësi të ulët. Raportin e plotë mund ta gjeni në këtë link: Indeksi i Pavarësisë së Instutucionet Supreme të Auditimit  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në tryezën “Ndikimi i subvencioneve dhe granteve në prodhimin bujqësor”

Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në tryezën “Ndikimi i subvencioneve dhe granteve në prodhimin bujqësor”

Instituti GAP ka mbajtur tryezën e  diskutimit me temën “Ndikimi i subvencioneve dhe granteve në prodhimin bujqësor” ku u prezantua Raporti për grante dhe ai për subvencione. Në këtë tryezë morën pjesë drejtori i hulumtimeve në Institutin GAP, Jeton Mehmeti,  Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë si dhe Gentian Gashi hulumtues në GAP. Drejtor i hulumtimeve në Institutin GAP, Jeton Mehmeti, ka thënë se raporti ka pasur për qëllim analizimin e politikave zhvillimore për bujqësinë, duke qenë se bujqësia luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e bilancit tregtar, rritjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik. Por, përkundër skemave mbështetëse financiare nga ana e Qeverisë së Kosovës, të dhënat tregojnë se nuk janë arritur rezultatet e pritura. Ndërsa Auditor i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka thënë se  Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) duke pas parasysh rëndësinë e sektorit të bujqësisë në zhvillimin ekonomik të vendit, përveç që në baza vjetore kryen auditimin e rregullsisë për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, poashtu ka kryer edhe dy auditime të veçanta të performancës dhe teknologjisë së informacionit, ?Procesi i Menaxhimit të Granteve dhe Subvencioneve në Sektorin e Bujqësisë? dhe ?Sistemet elektronike për menaxhimin e granteve dhe subvencioneve në AZhB-MBPZhR?. Osmani ka theksuar se gjetjet e këtyre raporteve, tregojnë se ka nevojë për përmirësime në të gjitha proceset,  që nga pikëpamja strategjike, e planit operativ, mungesën e monitorimit dhe vlerësimit të ndikimit që kanë grantet dhe subvencionet në sektorin e bujqësisë. Pra, ZKA-ja ka identifikuar se ka politika jo adekuate, menaxhim jo të duhur të fondeve, koordinim minimal mes nivelit qendror dhe njësive respektive si dhe komunave. Ai ka shtuar se gjithashtu mungon sistemi adekuat për matjen e rezultateve dhe monitorimin e përmbushjes së kontratave dhe se qëllimi nuk është zvogëlimi i fondeve për sektorin bujqësor, por përmirësimi i procesit së dhënies së këtyre fondeve. Tutje Osmani ka deklaruar se rezultatet e auditimit tregojnë se aplikacionet e teknologjisë së informacionit nuk i përmbajnë standardet e kërkuara që të menaxhojnë në mënyrë efikase dhe të sigurt proceset për shpërndarjen e granteve dhe subvencioneve bujqësore. Lidhur me këto mangësi Osmani ka bërë me dije se ZKA-ja ka dhënë  36 rekomandime, zbatimi i së cilave do të përmirësojë gjendjen në këtë sektor. Këto rekomandime janë po aq të rëndësishme edhe për Komisionin për Bujqësi sepse i sjellin një informacion të detajuar se cilat janë çështjet e rëndësishme që kërkojnë intervenim dhe Kuvendi duhet t’i mbaj në llogaridhënie Qeverinë për t’i adresuar këto rekomandime. Kurse Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë në Kuvendin e Kosovës, Fitore Pacolli,  ka thënë se deri tani bujqësia nuk është trajtuar si sektor për mbrojtjen e ushqimit, prandaj janë duke u rishikuar një mori ligjesh ekzistuese. Ajo ka thënë se Komisioni është  në angazhim të vazhdueshëm me ministrinë për krijimin e strategjive të reja të cilat do të mundësonin edhe akreditimin në mënyrë që të shfrytëzohen edhe fondet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë  Gentian Gashi, hulumtues në Institutin GAP, ka prezantuar të gjeturat e raportit duke theksuar se nga viti 2015 deri më 2019 janë shpërndarë rreth 134.7 milionë euro në pagesa direkte (subvencione) dhe 104.5 milionë euro grante nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) në prodhime bujqësore. Mungesa e arritjes së rezultateve të pritura përkundër përkrahjes së lartë financiare vë në pikëpyetje efektshmërinë e politikave bujqësore apo mënyrën e shpërndarjes së tyre. Saranda Ramaj, Gazetare në “Koha Ditore” ka shprehur shqetësimin se dëmi mund të jetë ende më i lartë, duke i parë rastet e fundit korruptive të administratës në Ministrinë e Bujqësisë, ku raportet ekzistuese mund të tregojnë vlera jo reale.
Lexo më shumë
Vlora Spanca emërohet Auditore e Përgjithshme e Republikës së Kosovës

Vlora Spanca emërohet Auditore e Përgjithshme e Republikës së Kosovës

Kuvendi i Kosovës, në seancën e sotme, me shumicë votash, ka zgjedhur Vlora Spancën, Auditore të Përgjithshme të Republikës së Kosovës, me mandat pesëvjeçar. Pas marrjes së detyrës, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është zotuar se do të vazhdoj të punojë në fuqizimin e rolit dhe ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik. Auditori i deritanishëm Besnik Osmani, e ka uruar znj. Spanca për marrjen e detyrës së re, duke shprehur besimin që Zyra Kombëtare e Auditimit do të vazhdoj të mbetet një ndër institucionet më të besueshme në Kosovë. Znj. Spanca është Auditorja e pestë me radhë, që nga themelimi i institucionit të Auditorit të Përgjithshëm, në vitin 2003. Biografia e znj. Spanca Vlora Spanca që nga muaji gusht i vitit 2017 ishte Ndihmës Auditor i Përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Ajo ishte përgjegjëse për Divizionin e një portofoli të departamenteve të auditimit, që përfshin: Departamentin e Auditimit të Performancës, Departamentin e Auditimit të Performancës dhe Teknologjisë Informativ, si dhe Departamentin e Auditimit për Prokurimin dhe Menaxhimin e Projektit.Po ashtu, ka qenë përgjegjëse për auditimin financiar të projekteve të financuara nga donatorë të ndryshëm, si Banka Botërore dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim. Gjatë periudhës 2017-2019, Spanca ka qenë koordinatore për implementim të projektit të financuar nga Banka Botërore për zhvillimin e kapaciteteve audituese në fushën e prokurimit publik. Në Zyrën Kombëtare të Auditimit është punësuar në vitin 2007 dhe që nga viti 2009 deri në vitin 2016, Spanca ishte drejtoreshë e Departamentit të Auditimit për auditime të rregullsisë, që përfshin Ministritë dhe Agjencitë e Pavarura të krijuara nga Kuvendi i Kosovës. Gjatë periudhës 2015 – 2016, Spanca ishte përgjegjëse për auditimin e Pasqyrës Vjetore Financiare të Buxhetit të Kosovës. Para se të punësohej në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Spanca ka punuar për katër vjet me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, për Zyrën e Zëvendës-Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Ajo ishte përgjegjëse kryesisht për mbështetjen e veprimtarive administrative për Zyrat Ndërlidhëse me Trupat Mbrojtëse të Kosovës, Strukturën e Përkohshme Administrative të Kosovës, si dhe për Drejtorinë për Çështje Rurale. Spanca ka përfunduar studimet universitare në drejtimin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Është Auditor i certifikuar në sektorin publik dhe është certifikuar si menaxher i cilësisë së sistemit nga “Quality Austria”.
Lexo më shumë