Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
8/12/2021 3:18:36 PM

Vlora Spanca emërohet Auditore e Përgjithshme e Republikës së Kosovës

Kuvendi i Kosovës, në seancën e sotme, me shumicë votash, ka zgjedhur Vlora Spancën, Auditore të Përgjithshme të Republikës së Kosovës, me mandat pesëvjeçar. Pas marrjes së detyrës, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është zotuar se do të vazhdoj të punojë në fuqizimin e rolit dhe ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik. Auditori i deritanishëm Besnik Osmani, e ka uruar znj. Spanca për marrjen e detyrës së re, duke shprehur besimin që Zyra Kombëtare e Auditimit do të vazhdoj të mbetet një ndër institucionet më të besueshme në Kosovë. Znj. Spanca është Auditorja e pestë me radhë, që nga themelimi i institucionit të Auditorit të Përgjithshëm, në vitin 2003. Biografia e znj. Spanca Vlora Spanca që nga muaji gusht i vitit 2017 ishte Ndihmës Auditor i Përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Ajo ishte përgjegjëse për Divizionin e një portofoli të departamenteve të auditimit, që përfshin: Departamentin e Auditimit të Performancës, Departamentin e Auditimit të Performancës dhe Teknologjisë Informativ, si dhe Departamentin e Auditimit për Prokurimin dhe Menaxhimin e Projektit.Po ashtu, ka qenë përgjegjëse për auditimin financiar të projekteve të financuara nga donatorë të ndryshëm, si Banka Botërore dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim. Gjatë periudhës 2017-2019, Spanca ka qenë koordinatore për implementim të projektit të financuar nga Banka Botërore për zhvillimin e kapaciteteve audituese në fushën e prokurimit publik. Në Zyrën Kombëtare të Auditimit është punësuar në vitin 2007 dhe që nga viti 2009 deri në vitin 2016, Spanca ishte drejtoreshë e Departamentit të Auditimit për auditime të rregullsisë, që përfshin Ministritë dhe Agjencitë e Pavarura të krijuara nga Kuvendi i Kosovës. Gjatë periudhës 2015 – 2016, Spanca ishte përgjegjëse për auditimin e Pasqyrës Vjetore Financiare të Buxhetit të Kosovës. Para se të punësohej në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Spanca ka punuar për katër vjet me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, për Zyrën e Zëvendës-Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Ajo ishte përgjegjëse kryesisht për mbështetjen e veprimtarive administrative për Zyrat Ndërlidhëse me Trupat Mbrojtëse të Kosovës, Strukturën e Përkohshme Administrative të Kosovës, si dhe për Drejtorinë për Çështje Rurale. Spanca ka përfunduar studimet universitare në drejtimin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Është Auditor i certifikuar në sektorin publik dhe është certifikuar si menaxher i cilësisë së sistemit nga “Quality Austria”.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Zyra Kombëtare e Auditimit renditet në mesin e 17 Institucioneve Supreme të Auditimit në botë, me pavarësi të lartë

Zyra Kombëtare e Auditimit renditet në mesin e 17 Institucioneve Supreme të Auditimit në botë, me pavarësi të lartë

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka mirëpritur gjetjet e Raportit të Bankës Botërore lidhur me pavarësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit, duke nënvizuar se kjo e arritur e madhe është rezultat i punës profesionale dhe përkushtimit të personelit, përkrahjes nga publiku kosovar dhe ndihmës së partnerëve ndërkombëtar. Përfundimisht, shembulli i Zyrës Kombëtare të Auditimit është mesazhi më i qartë se Republika e Kosovës ka kapacitete për të ndërtuar institucione kredibile në rang botëror. Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës është renditur në mesin e Institucioneve Supreme të Auditimit që gëzojnë pavarësi të lartë në botë. Raporti i Bankës Botërore “Indeksi i Pavarësisë së Institucioneve Supreme të Auditimit”, ka listuar ZKA-në në mesin e 17-të Institucioneve Supreme të Auditimit të cilat kanë pavarësi të lartë. Rezultatet e këtij raporti, tregojnë se Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës dhe ajo e Kroacisë qëndrojnë më mirë se institucionet homologe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sa i përket pavarësisë institucionale. Ky vlerësim ka përfshirë 118 vende të botës dhe është bazuar në 10 indikatorë të pavarësisë, bazuar në standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira: Kushtetuta dhe korniza ligjore, transparenca në emërimin e kreut të ISA-ve, pavarësia financiare, llojet e auditimit, pavarësia operacionale, pavarësia e stafit, mandati i auditimit, pavarësia në fushëveprimin e auditimit, qasja në të dhëna dhe informata, të drejtat dhe përgjegjësitë në raportet e auditimit. Sipas, raportit vetëm 2 nga 118 vende u vlerësuar me 10 pikë, pra me pavarësi shumë të lartë, 17 vende kishin pavarësi të lartë; 33 vende kishin pavarësi thelbësore; 37 vende kishin pavarësi të kënaqshme dhe 29 vende kishin pavarësi të ulët. Raportin e plotë mund ta gjeni në këtë link: Indeksi i Pavarësisë së Instutucionet Supreme të Auditimit  
Lexo më shumë
Sindikata e ZKA-së mirëpret zgjedhjen e Auditores së Përgjithshme

Sindikata e ZKA-së mirëpret zgjedhjen e Auditores së Përgjithshme

Sindikata e Zyrës Kombëtare të Auditimit nëpërmjet një letër urimi ka përshëndetur emërimin e znj. Vlora Spanca në pozitën e Auditores së Përgjithshme të Kosovës. Anëtarësia sindikale ka uruar Auditoren e Përgjithshme për marrjen e detyrës si dhe i ka kërkuar menaxhim të suksesshëm të ZKA-së, me qëllim të ruajtjes së kredibilitetit institucional. Sindikata inkurajon znj. Spanca që gjatë mandatit pesëvjeçar në krye të ZKA-së, të ketë trajtim të dinjitetshëm dhe të barabartë për punonjësit si dhe të ofrojë kushte pune e avancime profesionale. “Besojmë që do të përpiqesh maksimalisht për të kryer me ndërgjegje e besnikëri misionin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, pra auditimin e buxhetit të shtetit, duke reflektuar dhe promovuar llogaridhënie, pavarësi profesionale, trajtim të dinjitetshëm dhe të barabartë për punëtorët, kushte pune dhe avancime profesionale për gjithë stafin e ZKA-së, gjithnjë duke respektuar rregullativën ligjore dhe standardet ndërkombëtare të auditimit. Përvoja juaj shumë vjeçare në ZKA, shpresojmë që do konvertohet në menaxhim të suksesshëm të këtij institucioni kredibil”, thuhet në letrën e urimit të Sindikatës së ZKA-së. Po ashtu, nëpërmjet një letre falënderimi, Sindikata e ZKA-së ka falënderuar edhe ish Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani, për punën, bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në menaxhimin e ZKA-së.
Lexo më shumë