Ferizaj ka qenë komuna e radhës ku të mërkurën është mbajtur debati për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm. Të pranishëm në debat kanë qenë nënkryetari i komunës, Arton Gavazi, Udhëheqësi i Auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Faruk Rrahmani, Visar Prebreza nga BIRN-i si dhe këshilltarët komunal.
Me këtë rast Udhëheqësi i Auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Faruk Rrahmani, ka bërë me dije se opinioni i auditimit për vitin 2020 për Komunën e Ferizajt është i kualifikuar për shkak të mos evidentimit të pasurive në vlerë mbi dy milionë e 300 mijë euro. Ai ka thënë se edhe pasuritë nën një mijë euro nuk janë të evidentuara në sistemin E-pasuria tash e katër vite. Prandaj Rrahmani ka bërë thirrje që ky problem të adresohet sepse mund të ndikoj në kualifikimin e opinionit edhe në vitet e ardhshme.
Po ashtu Rrahmani ka thënë se borxhet e komunës ndaj operatorëve ekonomik vazhdojnë të përcjellin komunat në përgjithësi, prandaj problemi më i madh është se nëse ndaj operatorëve ekonomik nuk kryhen pagesat brenda afatit kohor atëherë edhe performanca e punëve që do të kryhen do të jetë në nivel më të ulët. Sipas tij, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë rekomandimin lidhur me këtë çështje dhe se komuna duhet ta zbatojë atë në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.
Ndërsa nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Arton Gavazi, ka folur për rëndësinë dhe ndikimin e raportit të auditorit në përmirësimin e kualitetit të shërbimeve për qytetarët. Ai ka thënë se raportet e auditorit dhe zbatimi i rekomandimeve ndikojnë në përmirësimin e qeverisjes dhe arritjen e objektivave.
Gavazi ka theksuar se për vitin 2020 ndonëse opinioni ka qenë i kualifikuar kanë pranuar më pak rekomandime dhe sipas tij, janë në rrugë të drejt në përmbushjen e obligimeve që dalin nga raporti i auditimit. Gavazi ka bërë me dije se janë pajtuar me gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm dhe brenda afatit kohor do të dorëzojnë planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve. Sipas Gavazit, në përgjithësi zbatimi i rekomandimeve në nivel vendi nuk është i kënaqshëm dhe se pandemia ka ndikuar që Komuna e Ferizajt të ketë më pak rekomandime të zbatuara.
Kurse Visar Prebreza nga BIRN-i ka deklaruar se Ferizaj është një prej komunave që ka numrin më të madh të rekomandimeve të pranuara gjatë tri viteve të fundit, 25 rekomandime kanë në vitin 2018, 20 në vitin 2019 si dhe 18 për vitin 2020. Ai ka bërë thirrje që ë adresohen të gjitha gjetjet e auditorit.
Sa i përket gjetjeve të auditorit, Prebreza ka thënë se është shqetësuese fakti që komuna është treguar borxhli ndaj bizneseve dhe në 11 raste ka pasur vonesë të faturave për më shumë së 30 ditë; pastaj angazhimi i personave me kontratat mbi vepër; shkeljet në prokurim që nga planifikimi deri të menaxhimi i kontratës si dhe borxhet që qytetarët dhe bizneset i kanë ndaj komunës të cilat kanë arritur vlerën prej 11.8 milionë euro.
Ky debat është organizuar nga BIRN Kosova në kuadër të Projektit me USAID TEAM i cili ju ka ndihmuar komunave që t’i zbatojnë rekomandimet e auditorit. Debati ka për qellim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e raporteve të auditimit dhe zbatimin e rekomandimeve.