Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/19/2021 4:56:36 PM

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca u prit në takim nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani Sadriu

Auditorja e Përgjithshme merr mbështetje nga Presidentja e vendit Auditorja e  Përgjithshme, Vlora Spanca, sot është pritur në takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu. Me këtë rast, znj. Spanca e ka njoftuar Presidenten për aktivitetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në veçanti për përfundimin e sezonit auditues 2020/2021 si dhe për planet për sezonin e ri  2021/22. Fillimisht Auditorja e Përgjithshme, e ka falënderuar Presidenten Osmani për besimin e dhënë, duke u zotuar se këtë besim do ta kthej në përkushtim institucional për ta avancuar rolin dhe ndikimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit të parasë publike në vendin tonë. Tutje znj. Spanca e ka informuar presidenten se Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer me sukses sezonin auditues 2020/21 dhe ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2020. Po ashtu Auditorja e Përgjithshme ka folur edhe për sezonin e ri auditues 2021/22, duke treguar se përveç auditimeve të obligueshme, në portofolin e auditimit janë përfshirë Ndërmarrjet Publike që paraqesin shkallë më të lartë të rrezikut, si dhe tek auditimet e performancës janë përzgjedh tema të reja me interes për publikun. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, nga ana e saj ka theksuar rolin e rëndësishëm të Zyrës Kombëtare të Auditimit, dhe ka inkurajuar Auditoren e Përgjithshme që të punoj në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies publike. Presidentja po ashtu ka theksuar nevojën e përmbushjes së mandatit kushtetues e ligjor të ZKA-së, duke siguruar që paraja publike të menaxhohet si duhet.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2020

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2020

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka prezantuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Raportin Vjetor të Auditimit 2020 i cili përfshinë opinionin, gjetjet kryesore dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar po bëjnë përmirësime të lehta nga viti në vit, ndonëse shpalosjet lidhur me informatat financiare kanë ende mangësi të theksuara. Po ashtu, gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaft të përhapura dhe domethënëse. Znj. Spanca ka deklaruar se gjendje më e rënduar ekziston te ndërmarrjet publike - ku si raportimi financiar ashtu edhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor, vazhdojnë të kenë të meta serioze. Ndërsa, sa i përket Sistemit Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës, përkundër përmirësimeve të ndërmarra, ende nevojitet të forcohen mekanizmat e sigurisë, në mënyrë që sistemet e informacionit të jenë më të mbrojtura. Duke prezantuar para deputetëve Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2020, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka treguar se janë publikuar 126 raporte të auditimit për 90 organizata buxhetore; 12 ndërmarrje publike; 13 auditime të projekteve të Bankës Botërore dhe të donatorëve tjerë; dhe 11 auditime të performancës. “Në raportet e auditimit për organizatat buxhetore janë dhënë 63 opinione të pamodifikuara dhe 27 të kualifikuara. Për ndërmarrjet publike janë dhënë 2 opinione të pamodifikuara, 2 të kualifikuara si dhe 8 opinione të kundërta. Ndërsa për Pasqyrat Financiare të Qeverisë është dhënë  opinion i kualifikuar”, është shprehur Auditorja e Përgjithshme. Kurse sa i përket rekomandimeve znj. Spanca ka bërë më dije se në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2020 janë dhënë 654 rekomandime. Ndërkaq, nga 803 rekomandime të dhëna në vitin 2019, përqindja e zbatimit të tyre ishte 45%, që paraqet një përmirësim prej 5%, krahasuar me vitin 2018. Në këtë takim mori pjesë edhe ministri Hekuran Murati i cili ka bërë me dije se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka përgatitur një plan me 38 rekomandime, të cilat ndërlidhen me llogaridhënien dhe transparencën. Komisioni ka vendosur që deri më 20 tetor, anëtarët t’i dërgojnë rekomandimet e tyre të dala nga shqyrtimi i Raportit Vjetor 2020, në mënyrë që në mbledhjen e ardhshme të bëhet miratimi final i tyre.
Lexo më shumë
Raporti i Progresit vlerëson arritjet e ZKA-së, në veçanti anëtarësimin në EUROSAI si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile për rritjen e ndikimit të punës audituese

Raporti i Progresit vlerëson arritjet e ZKA-së, në veçanti anëtarësimin në EUROSAI si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile për rritjen e ndikimit të punës audituese

Anëtarësimi në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile për të përmirësuar ndikimin e punës së auditimit si dhe rritja e përqindjes së zbatimit të rekomandimeve janë disa prej arritjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit të cilat janë prezantuar në Raportin e Progresit për Kosovën të vitit 2021, i publikuar të martën nga Komisioni Evropian në kuadër të Pakos së Zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE). Ndër të tjera në Raportin e Progresit është theksuar se në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, korniza kushtetuese dhe ligjore e Kosovës siguron pavarësinë funksionale, organizative dhe financiare të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Megjithatë kërkohet ndryshimi i Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm, gjë që mundëson që auditimet të përcaktohen bazuar në vlerësimin e nivelit të rrezikut të financave publike. Tutje theksohet se këto ndryshime do të rrisin numrin e auditimeve të Ndërmarrjeve Publike dhe auditimeve të performancës. “ZKA u bë anëtare e plotë e Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI) në Nëntor 2020. Ligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës duhet të modifikohet për të hequr detyrimin për të kryer auditime të rregullsisë çdo vit në të gjitha organizatat buxhetore (pavarësisht nga madhësia, kompleksiteti, rreziku, etj.); auditimet duhet të zgjidhen bazuar në vlerësimin e nivelit të rrezikut të financave publike. Këto ndryshime do të rrisin numrin e Auditimeve të Ndërmarrjeve Publike dhe auditimet e performancës”, thuhet në Raportin e Progresit për vitin 2021. Më tej në Raport, potencohet fakti se kapaciteti institucional i Zyrës Kombëtare të Auditimit mbeti kryesisht i qëndrueshëm me 171 punonjës, nga të cilët 141 janë staf auditues. Raporti i Progresit ka adresuar edhe zbatimin e Planit Strategjik të Zhvillimit 2018-2021, i cili përfshin objektivat, treguesit e performancës dhe një kuadër monitorimi. “Ai prezantoi procedurat e kontrollit dhe sigurimit të cilësisë së auditimit dhe vazhdoi të zbatojë një program certifikimi për auditorët”, theksohet në raport. Zyra Kombëtare e Auditimit është vlerësuar edhe për rritjen e numrit të auditimeve të performancës, duke kryer 11 sosh në vitin 2021, krahasuar me 8 të kryera në vitin 2020. Vlerësim pozitiv ZKA-ja ka marrë edhe sa i përket bashkëpunimit me shoqërinë civile për rritjen e ndikimit të punues audituese si dhe për rritjen e përqindjes rekomandimeve të zbatuara. “Ajo punoi me organizatat e shoqërisë civile, veçanërisht në nivel lokal, për të përmirësuar ndikimin e punës së auditimit. Sa i përket zbatimit të rekomandimeve të auditimit thuhet se përqindja e rekomandimeve të zbatuara plotësisht u rrit pak, nga 40% sa ishte në vitin e kaluar në 45% tani”, thuhet në raport. Në raport gjithashtu theksohet se qeveria dhe komisionet parlamentare duhet të sigurojnë shqyrtim më të madh të raporteve të auditimit të performancës si dhe të ketë një përcjellje më sistematike të tyre.
Lexo më shumë