Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/18/2021 3:58:53 PM

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2020

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka prezantuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Raportin Vjetor të Auditimit 2020 i cili përfshinë opinionin, gjetjet kryesore dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar po bëjnë përmirësime të lehta nga viti në vit, ndonëse shpalosjet lidhur me informatat financiare kanë ende mangësi të theksuara. Po ashtu, gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaft të përhapura dhe domethënëse. Znj. Spanca ka deklaruar se gjendje më e rënduar ekziston te ndërmarrjet publike - ku si raportimi financiar ashtu edhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor, vazhdojnë të kenë të meta serioze. Ndërsa, sa i përket Sistemit Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës, përkundër përmirësimeve të ndërmarra, ende nevojitet të forcohen mekanizmat e sigurisë, në mënyrë që sistemet e informacionit të jenë më të mbrojtura. Duke prezantuar para deputetëve Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2020, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka treguar se janë publikuar 126 raporte të auditimit për 90 organizata buxhetore; 12 ndërmarrje publike; 13 auditime të projekteve të Bankës Botërore dhe të donatorëve tjerë; dhe 11 auditime të performancës. “Në raportet e auditimit për organizatat buxhetore janë dhënë 63 opinione të pamodifikuara dhe 27 të kualifikuara. Për ndërmarrjet publike janë dhënë 2 opinione të pamodifikuara, 2 të kualifikuara si dhe 8 opinione të kundërta. Ndërsa për Pasqyrat Financiare të Qeverisë është dhënë  opinion i kualifikuar”, është shprehur Auditorja e Përgjithshme. Kurse sa i përket rekomandimeve znj. Spanca ka bërë më dije se në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2020 janë dhënë 654 rekomandime. Ndërkaq, nga 803 rekomandime të dhëna në vitin 2019, përqindja e zbatimit të tyre ishte 45%, që paraqet një përmirësim prej 5%, krahasuar me vitin 2018. Në këtë takim mori pjesë edhe ministri Hekuran Murati i cili ka bërë me dije se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka përgatitur një plan me 38 rekomandime, të cilat ndërlidhen me llogaridhënien dhe transparencën. Komisioni ka vendosur që deri më 20 tetor, anëtarët t’i dërgojnë rekomandimet e tyre të dala nga shqyrtimi i Raportit Vjetor 2020, në mënyrë që në mbledhjen e ardhshme të bëhet miratimi final i tyre.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Shefi i Zyrës së BE-së uron Auditoren e Përgjithshme, thotë se ZKA-ja ka krijuar një reputacion të mirë të profesionalizmit

Shefi i Zyrës së BE-së uron Auditoren e Përgjithshme, thotë se ZKA-ja ka krijuar një reputacion të mirë të profesionalizmit

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pranuar letër urimi nga Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësues i Posaçëm i BE-së, Tomáš Szunyog, me rastin e marrjes së detyrës. Në letrën e urimit dërguar znj. Spanca, Ambasadori Szunyog ka vlerësuar se roli i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës është i domosdoshëm në mirëmbajtjen e menaxhimit të shëndoshë financiar publik, mbikëqyrjen dhe kontrollin financiar në Kosovë. Szunyog ka theksuar se Bashkimi Evropian dhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës tashmë kanë ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë ndër vite, veçanërisht përmes punës së përbashkët për të zhvilluar kapacitetet profesionale të ZKA-së me qëllim të përmirësimit të mëtejshëm të punës së saj, si dhe bashkëpunimin për të rritur zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së. “Në Kosovë, por edhe ndërkombëtarisht, Zyra Kombëtare e Auditimit ka krijuar një reputacion të mirë të profesionalizmit. Kjo është një trashëgimi e vlefshme për tu respektuar dhe vazhduar. BE -ja është e përkushtuar të bashkëpunojë me Zyrën tuaj për të forcuar më tej këtë punë të rëndësishme që do të ndihmojë Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Më lejoni edhe një herë t'ju uroj gjithë të mirat dhe një mandat të suksesshëm që do t'ju lejojë të bëni përparim të mëtejshëm në rrugën evropiane të Kosovës”, është thënë në letrën e urimit të shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë  Tomáš Szunyog. Me dëshirën që edhe më tej të forcohet bashkëpunimi në mes dy institucioneve,  Ambasadori Szunyog, ka shprehur interesimin e tij për të takuar Auditoren e Përgjithshme të Kosovës, Vlora Spanca në një të ardhme të afërt.
Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca u prit në takim nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani Sadriu

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca u prit në takim nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani Sadriu

Auditorja e Përgjithshme merr mbështetje nga Presidentja e vendit Auditorja e  Përgjithshme, Vlora Spanca, sot është pritur në takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu. Me këtë rast, znj. Spanca e ka njoftuar Presidenten për aktivitetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në veçanti për përfundimin e sezonit auditues 2020/2021 si dhe për planet për sezonin e ri  2021/22. Fillimisht Auditorja e Përgjithshme, e ka falënderuar Presidenten Osmani për besimin e dhënë, duke u zotuar se këtë besim do ta kthej në përkushtim institucional për ta avancuar rolin dhe ndikimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit të parasë publike në vendin tonë. Tutje znj. Spanca e ka informuar presidenten se Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer me sukses sezonin auditues 2020/21 dhe ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2020. Po ashtu Auditorja e Përgjithshme ka folur edhe për sezonin e ri auditues 2021/22, duke treguar se përveç auditimeve të obligueshme, në portofolin e auditimit janë përfshirë Ndërmarrjet Publike që paraqesin shkallë më të lartë të rrezikut, si dhe tek auditimet e performancës janë përzgjedh tema të reja me interes për publikun. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, nga ana e saj ka theksuar rolin e rëndësishëm të Zyrës Kombëtare të Auditimit, dhe ka inkurajuar Auditoren e Përgjithshme që të punoj në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies publike. Presidentja po ashtu ka theksuar nevojën e përmbushjes së mandatit kushtetues e ligjor të ZKA-së, duke siguruar që paraja publike të menaxhohet si duhet.
Lexo më shumë