Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/18/2021 10:14:55 AM

Shefi i Zyrës së BE-së uron Auditoren e Përgjithshme, thotë se ZKA-ja ka krijuar një reputacion të mirë të profesionalizmit

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pranuar letër urimi nga Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësues i Posaçëm i BE-së, Tomáš Szunyog, me rastin e marrjes së detyrës. Në letrën e urimit dërguar znj. Spanca, Ambasadori Szunyog ka vlerësuar se roli i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës është i domosdoshëm në mirëmbajtjen e menaxhimit të shëndoshë financiar publik, mbikëqyrjen dhe kontrollin financiar në Kosovë. Szunyog ka theksuar se Bashkimi Evropian dhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës tashmë kanë ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë ndër vite, veçanërisht përmes punës së përbashkët për të zhvilluar kapacitetet profesionale të ZKA-së me qëllim të përmirësimit të mëtejshëm të punës së saj, si dhe bashkëpunimin për të rritur zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së. “Në Kosovë, por edhe ndërkombëtarisht, Zyra Kombëtare e Auditimit ka krijuar një reputacion të mirë të profesionalizmit. Kjo është një trashëgimi e vlefshme për tu respektuar dhe vazhduar. BE -ja është e përkushtuar të bashkëpunojë me Zyrën tuaj për të forcuar më tej këtë punë të rëndësishme që do të ndihmojë Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Më lejoni edhe një herë t'ju uroj gjithë të mirat dhe një mandat të suksesshëm që do t'ju lejojë të bëni përparim të mëtejshëm në rrugën evropiane të Kosovës”, është thënë në letrën e urimit të shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë  Tomáš Szunyog. Me dëshirën që edhe më tej të forcohet bashkëpunimi në mes dy institucioneve,  Ambasadori Szunyog, ka shprehur interesimin e tij për të takuar Auditoren e Përgjithshme të Kosovës, Vlora Spanca në një të ardhme të afërt.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja dhe IKAF-i angazhohen për rritjen e bashkëpunimit

ZKA-ja dhe IKAF-i angazhohen për rritjen e bashkëpunimit

Auditorja e Përgjithshme: Bashkëpunimi me shoqatat profesionale është tejet i rëndësishëm   Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca dhe drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Ramadan Gashi, kanë pritur të premten në takim drejtorin Ekzekutiv të Institutit për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF), Bujar Krasniqi me bashkëpunëtorët, Mejreme  Sadiku, Udhëheqëse e Departamentit për Shërbime të  Përgjithshme dhe Sebahate Rexha nga Departamenti për Edukim  dhe Zhvillim  Profesional. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se trajnimi dhe zhvillimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore mbetet një ndër prioritetet kryesore të ZKA-së, pasi që me zhvillimin e këtyre kapaciteteve kontribuohet në cilësi më të mirë, profesionalizëm më të lartë dhe qasje më të organizuar ndaj punës. Në këtë kontekst znj. Spanca e ka vlerësuar të rëndësishëm bashkëpunimin në mes të ZKA-së dhe shoqatave profesionale, në këtë rast me IKAF-in, me theks të veçantë në fushën e auditimeve të Teknologjisë se Informacionit. Nga ana tjetër drejtori Ekzekutiv i IKAF-it, Bujar Krasniqi, ka shprehur interesimin për rritjen e  bashkëpunimit profesional me Zyrën Kombëtare të Auditimit, duke thënë se udhëheqja e ZKA-së nga znj. Spanca do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të llogaridhënies në administratën publike  për një përdorim efektiv, efikas dhe ekonomik të burimeve kombëtare. Tutje Krasniqi e ka informuar Auditoren e Përgjithshme për aktivitetin, të  arriturat dhe kontributin e IKAF-it në fushën e financave, kontabilitetit, auditimit, kontrollit dhe vlerësimeve; për sfidat me të cilat ballafaqohen shoqatat profesionale; si dhe për nevojën e përkrahjes nga institucionet publike.
Lexo më shumë
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2020

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2020

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka prezantuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Raportin Vjetor të Auditimit 2020 i cili përfshinë opinionin, gjetjet kryesore dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar po bëjnë përmirësime të lehta nga viti në vit, ndonëse shpalosjet lidhur me informatat financiare kanë ende mangësi të theksuara. Po ashtu, gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaft të përhapura dhe domethënëse. Znj. Spanca ka deklaruar se gjendje më e rënduar ekziston te ndërmarrjet publike - ku si raportimi financiar ashtu edhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor, vazhdojnë të kenë të meta serioze. Ndërsa, sa i përket Sistemit Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës, përkundër përmirësimeve të ndërmarra, ende nevojitet të forcohen mekanizmat e sigurisë, në mënyrë që sistemet e informacionit të jenë më të mbrojtura. Duke prezantuar para deputetëve Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2020, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka treguar se janë publikuar 126 raporte të auditimit për 90 organizata buxhetore; 12 ndërmarrje publike; 13 auditime të projekteve të Bankës Botërore dhe të donatorëve tjerë; dhe 11 auditime të performancës. “Në raportet e auditimit për organizatat buxhetore janë dhënë 63 opinione të pamodifikuara dhe 27 të kualifikuara. Për ndërmarrjet publike janë dhënë 2 opinione të pamodifikuara, 2 të kualifikuara si dhe 8 opinione të kundërta. Ndërsa për Pasqyrat Financiare të Qeverisë është dhënë  opinion i kualifikuar”, është shprehur Auditorja e Përgjithshme. Kurse sa i përket rekomandimeve znj. Spanca ka bërë më dije se në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2020 janë dhënë 654 rekomandime. Ndërkaq, nga 803 rekomandime të dhëna në vitin 2019, përqindja e zbatimit të tyre ishte 45%, që paraqet një përmirësim prej 5%, krahasuar me vitin 2018. Në këtë takim mori pjesë edhe ministri Hekuran Murati i cili ka bërë me dije se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka përgatitur një plan me 38 rekomandime, të cilat ndërlidhen me llogaridhënien dhe transparencën. Komisioni ka vendosur që deri më 20 tetor, anëtarët t’i dërgojnë rekomandimet e tyre të dala nga shqyrtimi i Raportit Vjetor 2020, në mënyrë që në mbledhjen e ardhshme të bëhet miratimi final i tyre.
Lexo më shumë