Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/12/2021 4:45:37 PM

Auditorja e Përgjithshme dhe Komisionerja për Informim dhe Privatësi bien dakord për të rritur bashkëpunimin mes institucioneve që udhëheqin

Sot, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka pritur në takim Komisioneren për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku. Në këtë takim, Auditorja e Përgjithshme, e ka uruar znj. Sogojeva Dermaku, me rastin e zgjedhjes së saj si Komisionere për Informim dhe Privatësi, dhe ka vlerësuar se bashkëpunimi në mes të dy institucioneve që udhëheqin është i domosdoshëm. Spanca më tutje e ka njoftuar Komisioneren rreth mandatit dhe rolit kushtetues të Zyrës Kombëtare të Auditimit, duke u përqendruar sidomos tek procesi i mbledhjes dhe trajtimit të  informatave për nevoja të auditimit. Sogojeva Dermaku nga ana e saj, ka vlerësuar se rezultatet e punës audituese kanë një rol të pashmangshëm në rritjen e transparencës dhe informimit publik por njëkohësisht përmes rekomandimeve të auditimit edhe në rritjen e ndikimit tek institucionet publike për respektimin e normave ligjore sikurse janë ato për mbrojtjen e privatësisë por edhe për sigurimin e qasjes në dokumente publike. Auditorja e Përgjithshme dhe Komisionerja për Informim dhe Privatësi u dakorduan që bashkëpunimi në mes të institucioneve që udhëheqin duhet të rritet për qëllime të interesit të përbashkët sidomos në aspektin e promovimit të transparencës dhe të drejtës për informim. Në këtë takim morën pjesë edhe Safet Berisha, Drejtor i Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit në ZKA dhe Loreta Salihu nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme dhe Sindikata kanë në fokus shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve të ZKA-së

Auditorja e Përgjithshme dhe Sindikata kanë në fokus shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve të ZKA-së

Sot, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka takuar përfaqësuesit e sapo zgjedhur të Kryesisë së Sindikatës së Punëtorëve të ZKA-së. Me këtë rast, Spanca ka deklaruar përkushtimin e saj për të respektuar të drejtat dhe obligimet që dalin nga ligjet në fuqi dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta të Zyrës Kombëtare të Auditimit.  Në veçanti ajo ka theksuar interesimin e saj për ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së punonjësve të ZKA-së në situatën pandemike me virusin Covid-19. Ernes Beka, Kryetar i Sindikatës së ZKA-së, në emrin e tij si dhe të anëtarësisë, ka falënderuar Auditoren e Përgjithshme për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e saj për të ndërmarrë masat e duhura në të mirë të punonjësve të ZKA-së. Gjatë takimit, përveç tjerash biseda u fokusua në gjetjen e mundësive për zgjidhjen e qëndrueshme për objektin e ZKA-së dhe të sigurimit të kushteve më të mira të punës për punonjësit, shqetësim ky i vazhdueshëm. Palët u dakorduan se një dialog i vazhdueshëm mes tyre, i kontribuon avancimit të pozitës së punonjësve të ZKA-së, rrjedhimisht edhe ngritjes së cilësisë së punës audituese.
Lexo më shumë
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Planin Vjetor të Auditimit  2021/22

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Planin Vjetor të Auditimit 2021/22

Plani Vjetor i Auditimit për sezonin 2021/22 i Zyrës Kombëtare të Auditimit është shqyrtuar të martën në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Para deputetëve Plani në mënyrë të detajuar është prezantuar nga Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës Vlora Spanca. Fillimisht znj. Spanca i ka siguruar deputetët se nën udhëheqjen e saj ZKA-ja do të kryej auditime cilësore dhe me interes për Kuvendin, qytetarët si dhe në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit. “Zyra Kombëtare e Auditimit tashmë ka përvojën e mjaftueshme t’i kryej detyrat e veta, por gjatë mandatit tim mendoj se mund t’i realizojë në mënyrë edhe më efikase dhe më efektive”, është shprehur znj. Spanca. Më pas Auditorja e Përgjithshme ka prezantuar Planin Vjetor të Auditimit, duke bërë më dije se për sezonin auditues 2021/2022 janë planifikuar 131 auditime dhe 4 auditime te papërfunduara nga sezoni i kaluar. Prej tyre janë 118 auditime financiare dhe te pajtueshmërisë për pasqyrat financiare për vitin 2021 përfshirë auditimin e raportit vjetor financiar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasqyrave financiare për institucionet publike siç janë: ministritë, institucionet e pavarura, komunat, ndërmarrjet publike si dhe fondet e donatorëve. Tek auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë të institucioneve publike është përfshirë edhe auditimi i pasqyrave financiare të Radio Televizionit të Kosovës. Tutje znj. Spanca ka treguar se përzgjedhja e ndërmarrjeve publike për auditim është bërë bazuar në madhësinë e buxhetit, kompleksitetin e ndërmarrjeve, nivelin e përfaqësimit, rrezikun e auditimit, llojit të veprimtarive dhe interesin e publikut. Ndërsa sa i përket auditimeve të performancës, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se janë 10 auditime performancës dhe se këtë vit auditimet e performancës janë shtrirë edhe tek Ndërmarrjet Publike si Korporata Energjetike e Kosovës, KOSTT-i dhe Trepça e po ashtu edhe auditimi i performancës se Radio Televizionit të Kosovës.
Lexo më shumë