Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/16/2021 3:34:17 PM

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Planin Vjetor të Auditimit 2021/22

Plani Vjetor i Auditimit për sezonin 2021/22 i Zyrës Kombëtare të Auditimit është shqyrtuar të martën në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Para deputetëve Plani në mënyrë të detajuar është prezantuar nga Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës Vlora Spanca. Fillimisht znj. Spanca i ka siguruar deputetët se nën udhëheqjen e saj ZKA-ja do të kryej auditime cilësore dhe me interes për Kuvendin, qytetarët si dhe në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit. “Zyra Kombëtare e Auditimit tashmë ka përvojën e mjaftueshme t’i kryej detyrat e veta, por gjatë mandatit tim mendoj se mund t’i realizojë në mënyrë edhe më efikase dhe më efektive”, është shprehur znj. Spanca. Më pas Auditorja e Përgjithshme ka prezantuar Planin Vjetor të Auditimit, duke bërë më dije se për sezonin auditues 2021/2022 janë planifikuar 131 auditime dhe 4 auditime te papërfunduara nga sezoni i kaluar. Prej tyre janë 118 auditime financiare dhe te pajtueshmërisë për pasqyrat financiare për vitin 2021 përfshirë auditimin e raportit vjetor financiar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasqyrave financiare për institucionet publike siç janë: ministritë, institucionet e pavarura, komunat, ndërmarrjet publike si dhe fondet e donatorëve. Tek auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë të institucioneve publike është përfshirë edhe auditimi i pasqyrave financiare të Radio Televizionit të Kosovës. Tutje znj. Spanca ka treguar se përzgjedhja e ndërmarrjeve publike për auditim është bërë bazuar në madhësinë e buxhetit, kompleksitetin e ndërmarrjeve, nivelin e përfaqësimit, rrezikun e auditimit, llojit të veprimtarive dhe interesin e publikut. Ndërsa sa i përket auditimeve të performancës, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se janë 10 auditime performancës dhe se këtë vit auditimet e performancës janë shtrirë edhe tek Ndërmarrjet Publike si Korporata Energjetike e Kosovës, KOSTT-i dhe Trepça e po ashtu edhe auditimi i performancës se Radio Televizionit të Kosovës.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme dhe Komisionerja për Informim dhe Privatësi bien dakord për të rritur bashkëpunimin mes institucioneve që udhëheqin

Auditorja e Përgjithshme dhe Komisionerja për Informim dhe Privatësi bien dakord për të rritur bashkëpunimin mes institucioneve që udhëheqin

Sot, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka pritur në takim Komisioneren për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku. Në këtë takim, Auditorja e Përgjithshme, e ka uruar znj. Sogojeva Dermaku, me rastin e zgjedhjes së saj si Komisionere për Informim dhe Privatësi, dhe ka vlerësuar se bashkëpunimi në mes të dy institucioneve që udhëheqin është i domosdoshëm. Spanca më tutje e ka njoftuar Komisioneren rreth mandatit dhe rolit kushtetues të Zyrës Kombëtare të Auditimit, duke u përqendruar sidomos tek procesi i mbledhjes dhe trajtimit të  informatave për nevoja të auditimit. Sogojeva Dermaku nga ana e saj, ka vlerësuar se rezultatet e punës audituese kanë një rol të pashmangshëm në rritjen e transparencës dhe informimit publik por njëkohësisht përmes rekomandimeve të auditimit edhe në rritjen e ndikimit tek institucionet publike për respektimin e normave ligjore sikurse janë ato për mbrojtjen e privatësisë por edhe për sigurimin e qasjes në dokumente publike. Auditorja e Përgjithshme dhe Komisionerja për Informim dhe Privatësi u dakorduan që bashkëpunimi në mes të institucioneve që udhëheqin duhet të rritet për qëllime të interesit të përbashkët sidomos në aspektin e promovimit të transparencës dhe të drejtës për informim. Në këtë takim morën pjesë edhe Safet Berisha, Drejtor i Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit në ZKA dhe Loreta Salihu nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme priti në takim ambasadoren e Suedisë

Auditorja e Përgjithshme priti në takim ambasadoren e Suedisë

Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny e shoqëruar nga shefja e Bashkëpunimit për Zhvillim, Nasrin Pourghazian të mërkurën kanë vizituar Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), me ç’rast janë pritur në takim nga Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Ilir Salihu dhe drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Qëndresa Mulaj. Auditorja e Përgjithshme e Kosovës Vlora Spanca ka vlerësuar lartë partneritetin e ndërtuar tash e një dekadë në mes Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe asaj të Suedisë. Znj. Spanca ka thënë se falë mbështetjes së vazhdueshme dhe praktike nga Zyra  e Auditimit të Suedisë, ZKA-ja ka arritur një nivel të lartë profesional dhe është një nga institucionet më kredibile të Kosovës, e përkushtuar për të ndihmuar institucionet publike që të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin llogaridhënien. Po ashtu Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e ka informuar diplomaten suedeze për vizionin strategjik të ZKA-së, duke thënë se synimi kryesor është rritja e mëtejshme e portofolit të auditimeve të performancës veçanërisht auditimet e Teknologjisë së Informacionit dhe Ndërmarrjeve Publike; prezantimi i qasjes së auditimit të bazuar në rrezik;  investimi i  mëtutjeshëm në edukimin profesional të auditorëve; si dhe  intensifikimi i bashkëpunimit me Kuvendin, sistemin e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat. Më tutje znj. Spanca e ka njoftuar mysafiren edhe për aktivitetet e ZKA-së, me theks të veçantë për fillimin e sezonit të ri 2021/22.  Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se ZKA-ja në baza vjetore prodhon dhe publikon  mbi 130 raporte të auditimit, megjithatë sfidë mbetet niveli i pamjaftueshëm i zbatimit të rekomandimeve të auditimit. Ndërsa ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, ka vlerësuar bashkëpunimin e gjatë në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Me këtë rast diplomatja suedeze ka folur edhe për rëndësinë  e pavarësisë së ZKA-së dhe punës profesionale si dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen mes Ambasadës së Suedisë në Kosovë dhe ZKA-së.  
Lexo më shumë