Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny e shoqëruar nga shefja e Bashkëpunimit për Zhvillim, Nasrin Pourghazian të mërkurën kanë vizituar Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), me ç’rast janë pritur në takim nga Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Ilir Salihu dhe drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Qëndresa Mulaj.
Auditorja e Përgjithshme e Kosovës Vlora Spanca ka vlerësuar lartë partneritetin e ndërtuar tash e një dekadë në mes Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe asaj të Suedisë. Znj. Spanca ka thënë se falë mbështetjes së vazhdueshme dhe praktike nga Zyra e Auditimit të Suedisë, ZKA-ja ka arritur një nivel të lartë profesional dhe është një nga institucionet më kredibile të Kosovës, e përkushtuar për të ndihmuar institucionet publike që të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin llogaridhënien.
Po ashtu Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e ka informuar diplomaten suedeze për vizionin strategjik të ZKA-së, duke thënë se synimi kryesor është rritja e mëtejshme e portofolit të auditimeve të performancës veçanërisht auditimet e Teknologjisë së Informacionit dhe Ndërmarrjeve Publike; prezantimi i qasjes së auditimit të bazuar në rrezik; investimi i mëtutjeshëm në edukimin profesional të auditorëve; si dhe intensifikimi i bashkëpunimit me Kuvendin, sistemin e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat.
Më tutje znj. Spanca e ka njoftuar mysafiren edhe për aktivitetet e ZKA-së, me theks të veçantë për fillimin e sezonit të ri 2021/22. Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se ZKA-ja në baza vjetore prodhon dhe publikon mbi 130 raporte të auditimit, megjithatë sfidë mbetet niveli i pamjaftueshëm i zbatimit të rekomandimeve të auditimit.
Ndërsa ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, ka vlerësuar bashkëpunimin e gjatë në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Me këtë rast diplomatja suedeze ka folur edhe për rëndësinë e pavarësisë së ZKA-së dhe punës profesionale si dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen mes Ambasadës së Suedisë në Kosovë dhe ZKA-së.