Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/7/2021 4:12:21 PM

ZKA-ja dhe Helvetas angazhohen për intensifikim të bashkëpunimit në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca dhe drejtori i departamentit të auditimit, Zukë Zuka kanë pritur të martën në takim drejtoreshën e re të HELVETAS Swiss Intercooperation në Kosovë Celestine Krosschell, menaxherin e projektit DEMOS Ertan Munoglu dhe zëvendës menaxheren e projektit Majlinda Jupolli.  Më këtë rast, palët kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin e deritanishëm në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Helvetas, projekti DEMOS - Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave. Falë këtij bashkëpunimi dhe mbështetjes së vazhdueshme dhe praktike nga Helvetas dhe donatorë të tjerë ndërkombëtarë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur një nivel të lartë profesional dhe është një nga institucionet më kredibile të Kosovës, e përkushtuar për të ndihmuar entitet publike të Kosovës të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin llogaridhënien. Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka deklaruar se marrë parasysh që grantet komunale bazuar në performancë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës publike në komuna, ZKA-ja ka kryer auditimin e performancës të këtij granti. Spanca theksoi se auditimi ka konkluduar se granti në përgjithësi i ka ndihmuar komunat në arritjen e objektivave strategjike dhe është arritur qëllimi për të ofruar shërbime më të mira të infrastrukturës komunale për qytetarët, megjithatë menaxhimi i projekteve dhe fondeve ka nevojë për vëmendje më të madhe duke filluar nga vendosja e prioriteteve, realizimi i projekteve dhe rezultatet e arritura. Më tej Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit edhe në të ardhmen me Helvetas, në veçanti në identifikimin dhe vendosjen e mekanizmave mbikëqyrës në qeverisjen lokale për të rritur ndikimin e auditimit, përkatësisht në rritjen e nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca u prit në takim nga Kryeministri Albin Kurti

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca u prit në takim nga Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur të enjten në takim Auditoren e Përgjithshme, Vlora Spanca. Me këtë rast kryeministri Kurti ka shprehur mbështetjen për punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik. Gjithashtu z. Kurti  ka theksuar përkushtimin e tij për zbatimin e rekomandimeve të auditimit, për përdorim efektiv, efikas dhe ekonomik të fondeve publike. Nga ana tjetër Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca e ka njoftuar kryeministrin e vendit Albin Kurti lidhur me planin auditues të Zyrës Kombëtare të Auditimit 2021-2022, duke shprehur përkushtimin e saj se do të punoj në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies publike. Po ashtu gjatë këtij takimi znj. Spanca ka ritheksuar kërkesën për akomodimin e ZKA-së në objekt publik meqë aktualisht është duke operuar në një pronë private. Auditorja e Përgjithshme ka thënë se operimi i ZKA-së në një objekt publik do të mundësonte që paratë e dedikuara për qiradhënie do të ishin shfrytëzuar për rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati si dhe këshilltarja ligjore e kryeministrit, Tea Blakaj.
Lexo më shumë
ZKA-ja: Komunat duhet t’i kushtojnë vëmendje më të madhe menaxhimit të projekteve nga Granti i Performancës Komunale

ZKA-ja: Komunat duhet t’i kushtojnë vëmendje më të madhe menaxhimit të projekteve nga Granti i Performancës Komunale

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Projektet e financuara nga Granti i Performancës Komunale SDC/DEMOS për vitin fiskal 2020”. Granti është bashkëfinancuar nga Fondacioni Zviceran në Kosovë/Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave. Qëllimi këtij auditimit ka qenë që  të vlerësojë nëse shpenzimet dhe menaxhimi i projekteve kapitale të Grantit të Performancës Komunale janë në harmoni me kërkesat e donatorëve dhe nëse kanë arritur rezultatet e synuara. Subjekt i auditimit kanë qenë komunat: Pejë, Gjakovë, Mitrovicë e Jugut dhe Kllokot. Auditimi ka konkluduar se komunat në përgjithësi  kanë aplikuar rregullat në fuqi ndërsa Granti i Performancës Komunale i ka ndihmuar komunat në arritjen e objektivave strategjike. Ai ishte në funksion të qëllimit për të ofruar shërbime më të mira të infrastrukturës komunale për qytetarët. Megjithatë menaxhimi i projekteve dhe fondeve nga Granti ka nevojë për vëmendje më të madhe duke filluar nga vendosja e prioriteteve, realizimi i projekteve dhe rezultatet e arritura. Rezultatet e këtij auditimit tregojnë se procesi i prokurimit ende ka hapësirë për përmirësim në disa aspekte siç janë: përfshirja e projektit në planin e prokurimit publik, përllogaritja e përafërt e vlerës së parashikuar të kontratës, evidentimi i pozicioneve të ndryshuara dhe trajtim i drejtë i operatorëve ekonomik në proceset tenderuese. Po ashtu gjysma e projekteve të audituara nuk ishin realizuar me kohë dhe nuk janë në shfrytëzim të plotë nga qytetarët. Arsyet për vonesa në realizimin e projekteve ndërlidhen me mos shpronësimet me kohë të pronave private dhe pengesat për shkak të zhvillimit të dy projekteve në kohë dhe zonë të njëjtë. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka vlerësuar se Granti i Performancës Komunale në përgjithësi i ka ndihmuar komunat në arritjen e objektivave strategjike duke ju ofruar qytetarëve projekte në lokacione të favorshme dhe qasje të lehtë në shfrytëzimin e tyre. Megjithatë mungesa e efikasitetit në realizimin e kontratave dhe mangësitë tjera të identifikuara zbehin rëndësinë e projekteve dhe pengojnë maksimizimin e përfitimit nga Granti i përcaktuar. Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar komunat e audituara që të forcojnë procesin e menaxhimit të projekteve nga Granti i Performancës Komunale, duke filluar me planifikimin e duhur dhe me kohë të prokurimit deri te forcimi i kontrolleve për menaxhimin e kontratave duke siguruar realizimin e tyre sipas kushteve dhe specifikave të kontraktuara. Ky auditim është realizuar në bazë të marrëveshjes në mes Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, (përmes Decentralizimit dhe Përkrahjes Komunale). Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.  
Lexo më shumë