Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/8/2021 1:08:47 PM

ZKA-ja: Komunat duhet t’i kushtojnë vëmendje më të madhe menaxhimit të projekteve nga Granti i Performancës Komunale

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Projektet e financuara nga Granti i Performancës Komunale SDC/DEMOS për vitin fiskal 2020”. Granti është bashkëfinancuar nga Fondacioni Zviceran në Kosovë/Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave. Qëllimi këtij auditimit ka qenë që  të vlerësojë nëse shpenzimet dhe menaxhimi i projekteve kapitale të Grantit të Performancës Komunale janë në harmoni me kërkesat e donatorëve dhe nëse kanë arritur rezultatet e synuara. Subjekt i auditimit kanë qenë komunat: Pejë, Gjakovë, Mitrovicë e Jugut dhe Kllokot. Auditimi ka konkluduar se komunat në përgjithësi  kanë aplikuar rregullat në fuqi ndërsa Granti i Performancës Komunale i ka ndihmuar komunat në arritjen e objektivave strategjike. Ai ishte në funksion të qëllimit për të ofruar shërbime më të mira të infrastrukturës komunale për qytetarët. Megjithatë menaxhimi i projekteve dhe fondeve nga Granti ka nevojë për vëmendje më të madhe duke filluar nga vendosja e prioriteteve, realizimi i projekteve dhe rezultatet e arritura. Rezultatet e këtij auditimit tregojnë se procesi i prokurimit ende ka hapësirë për përmirësim në disa aspekte siç janë: përfshirja e projektit në planin e prokurimit publik, përllogaritja e përafërt e vlerës së parashikuar të kontratës, evidentimi i pozicioneve të ndryshuara dhe trajtim i drejtë i operatorëve ekonomik në proceset tenderuese. Po ashtu gjysma e projekteve të audituara nuk ishin realizuar me kohë dhe nuk janë në shfrytëzim të plotë nga qytetarët. Arsyet për vonesa në realizimin e projekteve ndërlidhen me mos shpronësimet me kohë të pronave private dhe pengesat për shkak të zhvillimit të dy projekteve në kohë dhe zonë të njëjtë. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka vlerësuar se Granti i Performancës Komunale në përgjithësi i ka ndihmuar komunat në arritjen e objektivave strategjike duke ju ofruar qytetarëve projekte në lokacione të favorshme dhe qasje të lehtë në shfrytëzimin e tyre. Megjithatë mungesa e efikasitetit në realizimin e kontratave dhe mangësitë tjera të identifikuara zbehin rëndësinë e projekteve dhe pengojnë maksimizimin e përfitimit nga Granti i përcaktuar. Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar komunat e audituara që të forcojnë procesin e menaxhimit të projekteve nga Granti i Performancës Komunale, duke filluar me planifikimin e duhur dhe me kohë të prokurimit deri te forcimi i kontrolleve për menaxhimin e kontratave duke siguruar realizimin e tyre sipas kushteve dhe specifikave të kontraktuara. Ky auditim është realizuar në bazë të marrëveshjes në mes Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, (përmes Decentralizimit dhe Përkrahjes Komunale). Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja dhe Helvetas angazhohen për intensifikim të bashkëpunimit në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve

ZKA-ja dhe Helvetas angazhohen për intensifikim të bashkëpunimit në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca dhe drejtori i departamentit të auditimit, Zukë Zuka kanë pritur të martën në takim drejtoreshën e re të HELVETAS Swiss Intercooperation në Kosovë Celestine Krosschell, menaxherin e projektit DEMOS Ertan Munoglu dhe zëvendës menaxheren e projektit Majlinda Jupolli.  Më këtë rast, palët kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin e deritanishëm në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Helvetas, projekti DEMOS - Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave. Falë këtij bashkëpunimi dhe mbështetjes së vazhdueshme dhe praktike nga Helvetas dhe donatorë të tjerë ndërkombëtarë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur një nivel të lartë profesional dhe është një nga institucionet më kredibile të Kosovës, e përkushtuar për të ndihmuar entitet publike të Kosovës të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin llogaridhënien. Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka deklaruar se marrë parasysh që grantet komunale bazuar në performancë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës publike në komuna, ZKA-ja ka kryer auditimin e performancës të këtij granti. Spanca theksoi se auditimi ka konkluduar se granti në përgjithësi i ka ndihmuar komunat në arritjen e objektivave strategjike dhe është arritur qëllimi për të ofruar shërbime më të mira të infrastrukturës komunale për qytetarët, megjithatë menaxhimi i projekteve dhe fondeve ka nevojë për vëmendje më të madhe duke filluar nga vendosja e prioriteteve, realizimi i projekteve dhe rezultatet e arritura. Më tej Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit edhe në të ardhmen me Helvetas, në veçanti në identifikimin dhe vendosjen e mekanizmave mbikëqyrës në qeverisjen lokale për të rritur ndikimin e auditimit, përkatësisht në rritjen e nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit.
Lexo më shumë
Institucionet që nuk i dorëzuan me kohë planet e veprimit për zbatimin e rekomandimeve, kanë shpërfillur kërkesat ligjore

Institucionet që nuk i dorëzuan me kohë planet e veprimit për zbatimin e rekomandimeve, kanë shpërfillur kërkesat ligjore

Rekomandimet e auditimit kanë për qëllim që t’i ndihmojnë institucionet publike të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin kontrollet për menaxhimin me paranë publike. Mënyra e zbatimit të këtyre rekomandimeve duke përfshirë kohën, masat dhe  resurset e nevojshme përcaktohen përmes Planit të Veprimit që përgatitet nga organizatat e audituara. Pavarësisht kësaj, dhjetëra organizatat buxhetore të audituara nuk e kanë kryer obligimin e ligjor (Ligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës Nr. 05/L-055) për dorëzimin e planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve, brenda afatit të përcaktuar me ligj, në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Sa i përket auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë nga institucionet të cilat i janë nënshtruar këtij procesi, gjashtëmbëdhjetë prej tyre (16) nuk i kanë dorëzuar planet e veprimit brenda afatit të përcaktuar. Kurse Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) nuk e ka dërguar fare planin e veprimit. Me vonesë planet e veprimit i kanë dorëzuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve; Ministria e Tregtisë dhe Industrisë; Ministria për Komunitete dhe Kthim; Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (Pjesa për Ambientin); Ministria e Infrastrukturës; Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; Komuna e Ferizajt, Komuna e Kaçanikut; Komuna e Deçanit; Komuna e Klinës; Komuna e Vushtrrisë; Posta e Kosovës; Bifurkacioni; Hidromorava si dhe Universiteti i Prishtinës. Edhe sa i përket auditimit të performancës, janë dhjetëra entitete që nuk i kanë dorëzuar planet për adresimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm. Gjithashtu dhjetëra sosh i kanë dërguar me vonesë. Për raportin e auditimit “Projektet e financuara nga Granti i Performancës Komunale për vitin fiskal 2019” planet e veprimit nuk i kanë dorëzuar Komuna e Obiliqit dhe e Vushtrrisë. Ndërsa për raportin e auditimit “Transparenca dhe llogaridhënia në procesin e financimit të organizatave jo-qeveritare” planin e veprimit nuk e ka dorëzuar Komuna e Prishtinës. Ndërkohë lidhur me raportin “Mbledhja, trajtimi dhe asgjësimi i mbeturinave komerciale” planet e veprimit nuk i kanë dorëzuar Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave në Kosovë; Komuna e Ferizajt; Komuna e Fushë Kosovës; si dhe Kompania Regjionale për Mbeturina “Pastrimi” dhe “Pastërtia”. Ndërkaq me vonesë planin e veprimit e ka dorëzuar Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Për raportin e auditimit “Sistemet elektronike për menaxhimin e granteve dhe subvencioneve në AZhB-MBPZhR” planin e veprimit me vonesë e ka  dorëzuar Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural - Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë. Kurse për raportin e auditimit “Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës”, planet e veprimit i kanë dorëzuar me vonesë Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. Ndërkohë lidhur me raportin “Parandalimi dhe reagimin e situatave emergjente: Vërshimet” planet e veprimit nuk i kanë dorëzuar Ministria e Punëve të Brendshme; Ministria e Mbrojtjes; Këshilli i Sigurisë së Kosovë; Komuna e Gjakovës; si dhe Komuna e Vushtrrisë. Kurse për raportin “Vlera për para në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale” planet e veprimit nuk i kanë dorëzuar Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (ish Ministria e Infrastrukturës); Komuna e Prishtinës; dhe Komuna e Malishevës. Ndërsa më vonesë planin e ka dorëzuar Komuna e Ferizajt. Ndërsa për raportin “Kontratat e centralizuara - Shërbimet e transportit ajror” planet e veprimit nuk i kanë dërguar: Zyra e Kryeministrit; Ministria e Punëve të Brendshme; Ministria e Drejtësisë; Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; Komuna e Gjilanit; Komuna Gjakovës; Komuna Vushtrrisë dhe Komuna Suharekës. Me vonesë planet i kanë dërguar: Agjencia Qendrore e Prokurimit; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe Policia e Kosovës. Plani i veprimit nuk është përcjell as për projektin “Përmirësimi i sistemit Edukativ në Kosovë”. Ndërkaq plani i veprimi me vonës është dorëzuar edhe sa i përket raportit të auditimit të Projektit “Programi Mjedisor i Kosovës”. Të gjitha planet e veprimit për vitin 2020 të pranuara nga organizatat buxhetore janë të publikuara këtu.
Lexo më shumë