Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/16/2021 6:57:37 PM

ZKA-ja ndanë përvojën e saj të bashkëpunimit me Parlamentin para komunitetit ndërkombëtar të auditimit

-Bashkëpunimi i ZKA-së me Kuvendin e Kosovës në fokus të punëtorisë “Puna me parlamentet, në veçanti Komisionet e Llogarive Publike” Në kuadër të Komitetit të INTOSAI-t për Ngritjen e Kapaciteteve, është mbajtur punëtoria “Puna me parlamentet, në veçanti Komisionet e Llogarive Publike” në të cilën Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës ka  prezantuar përvojat e saj sa i përket punës dhe bashkëpunimit me palët e rëndësishme të interesit, në veçanti me parlamentin. Në këtë punëtori ZKA-ja është përfaqësuar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu dhe drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj. Më këtë rast Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu ka prezantuar përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës për bashkëpunimin me Parlamentin, veçanërisht me Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publikë (KMFP) dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT). Para të pranishmëve Salihu ka theksuar se Zyra Kombëtare të Auditimit funksionon sipas modelit westminster, dhe se kjo kërkon bashkëpunim aktiv me Kuvendin. Përfshirja aktive e Kuvendit sidomos në sigurimin e zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm është e domosdoshme. Tutje ai ka bërë me dije se ZKA-ja ka intensifikuar bashkëpunimin me Parlamentin e Kosovës, duke thënë se në vazhdimësi deputetët mbahen të informuar për rezultatet dhe sfidat e ZKA-së gjatë gjithë vitit. Salihu i ka njoftuar pjesëmarrësit se Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publikë ka shqyrtuar këtë vit  24 raporte të auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu, ka thënë se përkundër progresit të arritur sfidë mbetet mungesa e vullnetit të subjekteve të audituara për të vepruar në adresimin e gjetjeve dhe për të zbatuar rekomandimet e auditimit si dhe mungesa e një sistemi efektiv monitorimi për të përcjellë ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Prokurimi publik në Korporatën Energjetike të Kosovës në fokus të auditimit të performancës

Prokurimi publik në Korporatën Energjetike të Kosovës në fokus të auditimit të performancës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka filluar auditimin e performancës në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) me temën “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020)”. Fokus kryesor i auditimit janë aktivitetet e prokurimit, përmes së cilave janë shpenzuar shuma të konsiderueshme të parave. Në fakt, KEK-u është organizata me pjesëmarrjen më të madhe në prokurim publik në Kosovë. Përmes tenderëve publik, gjatë viteve 2018-2020, KEK-u kishte lidhur 1,060 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 181.5 milionë euro. Aktivitetet e prokurimit në KEK, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik, që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi për mallra, shërbime dhe punë e arrin qëllimin e përcaktuar. Duke qenë shoqëri aksionare 100% në pronësi të Republikës së Kosovës, aktivitetet e KEK-ut janë interes publik prandaj Zyra Kombëtare e Auditimit ka vendosur që t'i bëhet një vlerësim i përgjithshëm i performancës së KEK-ut nga aspekti i prokurimit. Objektivi i këtij auditimi është të vlerësojë nëse gjatë viteve 2018-2020, KEK-u ka arritur objektivat e paracaktuara të prokurimit dhe nëse po, a i ka arritur duke kombinuar burimet në mënyrën më të mirë të mundshme. Fushëveprimi i auditimit të performancës përfshin kontratat e prokurimit të lidhura gjatë viteve 2018-2020 me fokus të veçantë në kontratat e lidhura përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, vlera e të cilave arrin afër 33 milion euro, që përfaqëson 18% të vlerës totale të kontratave të lidhura nga KEK-u në këtë periudhë. Nga këto, kemi përzgjedhur gjithsej 108 kontrata në vlerë 7.75 milion euro për t'i audituar. Edhe kontratat e lidhura me procedurë të hapur janë pjesë e fushëveprimit nga të cilat 55 milion euro (39 kontrata) do të auditohen. Nga to gjashtë janë kontrata për punë, 33 kontrata të tjera janë kontrata për furnizim. Auditimi synon t’i trajtojë çështjet në vijim:
  • Identifikimin e nevojave dhe planifikimin e prokurimit;
  • Hartimin e specifikimit teknik;
  • Parashtrimin e kërkesave të përshtatshmërisë profesionale dhe teknike;
  • Menaxhimin e kontratave; dhe
  • Vlerësimin që KEK-u i ka bërë proceseve të prokurimit.
Ky auditim synon të rris llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e aktiviteteve të prokurimit publik në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe aty ku është e nevojshme të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë më efektive dhe efikase.
Lexo më shumë
Projektet kapitale të KOSTT-it i nënshtrohen auditimit publik

Projektet kapitale të KOSTT-it i nënshtrohen auditimit publik

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në Ndërmarrjen Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) në fushën e prokurimit publik me temën “Auditimi i projekteve kapitale (2015-2021)”. Qëllimi kryesor i këtyre projekteve kapitale në KOSTT është që të kontribuojnë në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë. Trajtimi i kësaj teme të auditimit është e rëndësishme, pasi që KOSTT është shoqëri aksionare 100% në pronësi të Republikës së Kosovës, nuk është audituar nga ZKA që nga viti 2010 si dhe për arsye se projektet kapitale janë me interes të lartë publik dhe ndikim të gjerë social dhe ekonomik. Aktivitetet e prokurimit në KOSTT, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik dhe më gjerë, që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi arrin qëllimin e përcaktuar. Investimet kapitale në KOSTT bëhen nga fondet publike si dhe nga financimet e organizatave ndërkombëtare. Projektet e financuara nga fondet publike duhet të kryhen sipas ligjit të prokurimit publik në Kosovë, ndërsa në rastet kur projektet financohen nga organizatat e jashtme, procedurat e prokurimit zhvillohen në përputhje me rregullat dhe politikat e caktuara ndërkombëtare të prokurimit. Gjatë viteve 2015-2021, KOSTT ka realizuar projekte kapitale në vlerë prej 78,758,545€. Nga kjo vlerë 62,569,411€ e përbëjnë dy projektet ndërkombëtare, projekti i financuar nga Banka Gjermane “Përmirësimi i Rrjetit të Transmisionit Faza IV dhe V nga LOT 1 deri 4” dhe projekti i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) “Zhvillimi i Transmisionit të Kosovës LOT 1 deri 3”. Kurse vlera prej 16,189,134€ përfshinë grupin e projekteve të financuara nga buxheti i KOSTT të cilat po ashtu kanë të bëjnë me blerjet dhe rehabilitimin e rrjeteve të transmisioneve të Kosovës. Objektivi i këtij auditimi është të vlerësojmë nëse menaxhmenti i ndërmarrjes publike KOSTT është siguruar se projektet kapitale për vitet 2015-2021 janë prioritizuar dhe planifikuar në mënyrë të duhur si dhe nëse menaxhimi i proceseve të prokurimit është bërë konform legjislacionit në fuqi dhe janë arritur rezultatet e synuara të prokurimit. Subjekt i këtij auditimi është KOSTT me njësitë vartëse të ndërlidhura me zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve kapitale. Për qëllime të verifikimit dhe marrjes së informatave krahasuese do të përfshijmë edhe Drejtorinë për Çmime dhe Tarifa në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, pasi që kjo zyrë bënë koordinimin, aprovimin dhe monitorimin e KOSTT mbi këto nisma investive. Po ashtu, subjekt i auditimit është edhe Zyra e Inspektoriatit të Energjisë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë për të siguruar se kjo zyre ka bërë vlerësimin e disa nga pajisjeve elektroenergjetike të cilat bëjnë pjesë tek projektet kapitale fushëveprim i këtij auditimi. Fushëveprimi i këtij auditimi përfshinë kontratat e prokurimit të nënshkruara për periudhën 2015-2021, ku nga gjithsej 148 projekte kapitale të regjistruara, kemi përzgjedhur për auditim 42 projekte në vlerë prej 50,631,956€ duke përfshirë këtu edhe dy projektet me marrëveshje ndërkombëtare. Përzgjedhja e projekteve është bërë sipas gjykimit profesional, rëndësisë materiale dhe natyrës së projekteve. Ky auditim synon të rris llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e aktiviteteve lidhur me investimet kapitale në KOSTT dhe aty ku është e nevojshme të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë më efektive dhe efikase dhe të arrijnë qëllimet e synuara.
Lexo më shumë