Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/20/2021 12:44:32 PM

Projektet kapitale të KOSTT-it i nënshtrohen auditimit publik

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në Ndërmarrjen Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) në fushën e prokurimit publik me temën “Auditimi i projekteve kapitale (2015-2021)”. Qëllimi kryesor i këtyre projekteve kapitale në KOSTT është që të kontribuojnë në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë. Trajtimi i kësaj teme të auditimit është e rëndësishme, pasi që KOSTT është shoqëri aksionare 100% në pronësi të Republikës së Kosovës, nuk është audituar nga ZKA që nga viti 2010 si dhe për arsye se projektet kapitale janë me interes të lartë publik dhe ndikim të gjerë social dhe ekonomik. Aktivitetet e prokurimit në KOSTT, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik dhe më gjerë, që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi arrin qëllimin e përcaktuar. Investimet kapitale në KOSTT bëhen nga fondet publike si dhe nga financimet e organizatave ndërkombëtare. Projektet e financuara nga fondet publike duhet të kryhen sipas ligjit të prokurimit publik në Kosovë, ndërsa në rastet kur projektet financohen nga organizatat e jashtme, procedurat e prokurimit zhvillohen në përputhje me rregullat dhe politikat e caktuara ndërkombëtare të prokurimit. Gjatë viteve 2015-2021, KOSTT ka realizuar projekte kapitale në vlerë prej 78,758,545€. Nga kjo vlerë 62,569,411€ e përbëjnë dy projektet ndërkombëtare, projekti i financuar nga Banka Gjermane “Përmirësimi i Rrjetit të Transmisionit Faza IV dhe V nga LOT 1 deri 4” dhe projekti i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) “Zhvillimi i Transmisionit të Kosovës LOT 1 deri 3”. Kurse vlera prej 16,189,134€ përfshinë grupin e projekteve të financuara nga buxheti i KOSTT të cilat po ashtu kanë të bëjnë me blerjet dhe rehabilitimin e rrjeteve të transmisioneve të Kosovës. Objektivi i këtij auditimi është të vlerësojmë nëse menaxhmenti i ndërmarrjes publike KOSTT është siguruar se projektet kapitale për vitet 2015-2021 janë prioritizuar dhe planifikuar në mënyrë të duhur si dhe nëse menaxhimi i proceseve të prokurimit është bërë konform legjislacionit në fuqi dhe janë arritur rezultatet e synuara të prokurimit. Subjekt i këtij auditimi është KOSTT me njësitë vartëse të ndërlidhura me zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve kapitale. Për qëllime të verifikimit dhe marrjes së informatave krahasuese do të përfshijmë edhe Drejtorinë për Çmime dhe Tarifa në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, pasi që kjo zyrë bënë koordinimin, aprovimin dhe monitorimin e KOSTT mbi këto nisma investive. Po ashtu, subjekt i auditimit është edhe Zyra e Inspektoriatit të Energjisë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë për të siguruar se kjo zyre ka bërë vlerësimin e disa nga pajisjeve elektroenergjetike të cilat bëjnë pjesë tek projektet kapitale fushëveprim i këtij auditimi. Fushëveprimi i këtij auditimi përfshinë kontratat e prokurimit të nënshkruara për periudhën 2015-2021, ku nga gjithsej 148 projekte kapitale të regjistruara, kemi përzgjedhur për auditim 42 projekte në vlerë prej 50,631,956€ duke përfshirë këtu edhe dy projektet me marrëveshje ndërkombëtare. Përzgjedhja e projekteve është bërë sipas gjykimit profesional, rëndësisë materiale dhe natyrës së projekteve. Ky auditim synon të rris llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e aktiviteteve lidhur me investimet kapitale në KOSTT dhe aty ku është e nevojshme të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë më efektive dhe efikase dhe të arrijnë qëllimet e synuara.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja ndanë përvojën e saj të bashkëpunimit me Parlamentin para komunitetit ndërkombëtar të auditimit

ZKA-ja ndanë përvojën e saj të bashkëpunimit me Parlamentin para komunitetit ndërkombëtar të auditimit

-Bashkëpunimi i ZKA-së me Kuvendin e Kosovës në fokus të punëtorisë “Puna me parlamentet, në veçanti Komisionet e Llogarive Publike” Në kuadër të Komitetit të INTOSAI-t për Ngritjen e Kapaciteteve, është mbajtur punëtoria “Puna me parlamentet, në veçanti Komisionet e Llogarive Publike” në të cilën Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës ka  prezantuar përvojat e saj sa i përket punës dhe bashkëpunimit me palët e rëndësishme të interesit, në veçanti me parlamentin. Në këtë punëtori ZKA-ja është përfaqësuar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu dhe drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj. Më këtë rast Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu ka prezantuar përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës për bashkëpunimin me Parlamentin, veçanërisht me Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publikë (KMFP) dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT). Para të pranishmëve Salihu ka theksuar se Zyra Kombëtare të Auditimit funksionon sipas modelit westminster, dhe se kjo kërkon bashkëpunim aktiv me Kuvendin. Përfshirja aktive e Kuvendit sidomos në sigurimin e zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm është e domosdoshme. Tutje ai ka bërë me dije se ZKA-ja ka intensifikuar bashkëpunimin me Parlamentin e Kosovës, duke thënë se në vazhdimësi deputetët mbahen të informuar për rezultatet dhe sfidat e ZKA-së gjatë gjithë vitit. Salihu i ka njoftuar pjesëmarrësit se Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publikë ka shqyrtuar këtë vit  24 raporte të auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu, ka thënë se përkundër progresit të arritur sfidë mbetet mungesa e vullnetit të subjekteve të audituara për të vepruar në adresimin e gjetjeve dhe për të zbatuar rekomandimet e auditimit si dhe mungesa e një sistemi efektiv monitorimi për të përcjellë ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit.
Lexo më shumë
Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në punëtorinë rajonale “Auditimi i barazisë gjinore në Ballkani Perëndimor”

Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në punëtorinë rajonale “Auditimi i barazisë gjinore në Ballkani Perëndimor”

Drejtoresha e Departamentit të Auditimit të Performancës në ZKA, Ariana Gjonbalaj dhe zyrtarja për barazi gjinore Shqipe Hetemi kanë marrë pjesë të premten në punëtorinë rajonale “Auditimi i barazisë gjinore në Ballkani Perëndimor” të organizuar nga UN Women. Qëllimi i kësaj punëtorie ka qenë që ekspertët dhe përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit të rajonit t’i shkëmbejnë pikëpamjet, përvojën dhe ekspertizën e tyre mbi mjetet dhe teknikat e auditimit të barazisë gjinore brenda kontekstit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor. Me këtë rast është thënë se UN Women dhe partnerët e saj po zbatojnë një sërë aktivitetesh për të mbështetur Institucionet Supreme të Auditimit në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut që të integrojnë perspektiven gjinore në auditim. Të pranishmit kanë vlerësuar se Institucionet Supreme të Auditimit janë akter të rëndësishëm për sa i përket auditimit të të ardhurave dhe shpenzimeve të qeverisë me qëllim shqyrtimin e ndikimit të tyre gjinor. Po ashtu është theksuar se puna që është duke u bërë ndikon në rritjen e kapaciteteve të  Institucioneve Supreme të Auditimit për barazi gjinore. Në kuadër të kësaj punëtorie është bërë edhe prezantimi i Udhëzuesit praktik për auditimin e barazisë gjinore në Ballkanin Perëndimor, i cili përmban një sërë mjetesh, teknikash dhe udhëzimesh për auditimin e barazisë gjinore si dhe ofron shembuj të praktikave të mira.
Lexo më shumë