Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
1/28/2022 2:49:48 PM

Auditorja e Përgjithshme u prit në takim nga Drejtori i AKK-së

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, është pritur sot në takim nga Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj. Me këtë rast, znj. Spanca e ka uruar z. Buleshkaj për emërimin në krye të Agjencisë duke i dëshiruar suksese në realizimin e objektivave gjatë mandatit të tij. Gjatë takimit Auditorja e Përgjithshme ka shprehur përkushtimin e saj për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushat me interes të përbashkët. “Ky takim ishte një mundësi e mirë që të diskutojmë në terma konkret  bashkëpunimin tonë ndërinstitucional  në fushat me interes të përbashkët për Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe Agjencinë Kundër Korrupsionit, me theks të veçantë zbatimin e rekomandimeve të auditimit”, është shprehur Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca. Gjithashtu znj. Spanca e ka përgëzuar z. Buleshkaj dhe Agjencinë Kundër Korrupsionit për rezultatet e fundit  të prezantuara nga  Transparency International ku Kosova është vlerësuar se ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit. Nga ana tjetër Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, e ka njoftuar znj. Spanca  për objektivat strategjike me rastin e marrjes së detyrës duke theksuar nevojën e forcimit të bashkëpunimit në fushat e identifikuara me prioritet për AKK-në. Auditorja e Përgjithshme znj. Vlora Spanca dhe Drejtori i AKK-së, z. Yll Buleshkaj u zotuan për bashkëpunim në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Performanca financiare dhe operative e Ndërmarrjes “Trepça” i nënshtrohet auditimit të ZKA-së

Performanca financiare dhe operative e Ndërmarrjes “Trepça” i nënshtrohet auditimit të ZKA-së

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e  performancës në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Trepça Sh.A.” me temën “Performanca financiare dhe operative NP Trepça”. Auditimi përfshinë periudhën kohore 2019-2021. Trepça nuk është audituar nga ZKA që nga viti 2010. ZKA-ja e vlerëson të rëndësishëm trajtimin e kësaj teme të auditimit duke marrë parasysh se Trepça është shoqëri aksionare 80% në pronësi të Republikës së Kosovës dhe 20% të punëtorëve të saj. Ndikimi dhe pesha e këtij resursi pasuror është i lart për Kosovën në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të vendit, gjenerimin e punësimit, rritjen e eksportit dhe Bruto Produktit Vendor (BPV). “Trepça Sh.A.” për vite me radhë ballafaqohet me probleme dhe sfida të shumta. Si probleme kyçe mund të theksohen produktiviteti i  ulët, trendi i operimit me humbje, mungesa  e shfrytëzimit të kapaciteteve të plota si rrjedhojë e teknologjisë së vjetërsuar në miniera dhe flotacione dhe njësi tjera biznesore, mungesa  e investimeve kapitale, mosha  e vjetër e stafit të kualifikuar në procesin e prodhimit, si dhe mungesa e zhvillimit të industrisë përpunuese në sektorin e metalurgjisë. Objektivë e këtij auditimi është të vlerësojë nëse “Trepça” është duke e zhvilluar aktivitetin operativ dhe financiar me fokus procesin e prodhimit me synimin e arritjes së performancës financiare pozitive, nëse jo cilët janë shkaktarët që ndikojnë në produktivitetin e ulët, mungesën e rentabilitetit respektivisht profitabilitetit. Fokusi i auditimit në nivel të përgjithshëm do të jetë edhe në aktivitetet strategjike përfshirë planet dhe strategjitë e kompanisë për tejkalim të krizës financiare si dhe krijimin e mundësive për tërheqjen e investimeve të huaja apo vendore dhe formave tjera të partneritetit për zhvillim të përgjithshëm biznesor. Subjekt i këtij auditimi është Trepça Sh.A. me njësitë biznesore, Minierat me Flotacion Trepça - Stan Tërg, Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë si dhe Minierat me Flotacion Kopaonik – Leposaviq. Analizat tona do të shtrihen edhe në aktivitetet e njësive tjera biznesore jo-produktive dhe jo-profitabile. Zyra Kombëtare e Auditimit përmes këtij auditimi ka për qëllim dhënien e rekomandimeve të cilat mund të kontribuonin në përmirësimin e nivelit të përgjithshëm të performancës së “Trepça Sh.A.” Ndërmarrja Publike Qendrore “Trepça” Sh.A. është trashëguar nga ish ndërmarrja shoqërore Kombinati Xehëtaro-Metalurgjik Trepça, si një nga komplekset më të mëdha industriale, metalurgjike dhe kimike i bazuar në Kosovë, dhe me disa pasuri në pjesë të tjera të ish Jugosllavisë. Në të kaluarën, ky kompleks minerar ishte një gjigant industrial i cili përfaqësonte një burim të konsiderueshëm ekonomik për ish Jugosllavinë. Pas përfundimit të luftës, nga viti 1999 deri në vitin 2002 “Trepça” ishte nën kontroll të Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK-ut), ndërsa nga viti 2002 ka kaluar nën administrim të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), dhe respektivisht nga viti 2008 të Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP). Transformimi i Trepçës u formalizua në vitin 2016 përmes miratimit të Ligjit për Trepçën në Kuvendin e Kosovës, ku nga statusi i Ndërmarrjes Shoqërore (N.Sh.) nën administrim të AKP-së, Trepça kalon në statusin e Ndërmarrjes Publike (NP).
Lexo më shumë
Për herë të parë ZKA-ja auditon Sistemin Informativ të Gjendjes Civile në Kosovë

Për herë të parë ZKA-ja auditon Sistemin Informativ të Gjendjes Civile në Kosovë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit me temë “Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil (ARC)”. Auditimi i këtij sistemi është duke u kryer për herë të parë dhe përfshin kryesisht periudhën 2020-2021. Procesit të auditimit do t’i nënshtrohet Agjencia e Regjistrit Civil (ARC) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Prizrenit, përkatësisht sektorët e gjendjes civile. Në fokus të auditimit do të jenë departamentet/sektorët përkatëse të këtyre institucioneve. Objektiv i këtij auditimi është vlerësimi i administrimit dhe siguria e informacionit të sistemit informativ të gjendjes civile të Republikës së Kosovës. Përmes procesit të auditimi synohet të shihet nëse është duke u ruajtur siguria dhe konfidencialiteti i të dhënave, integriteti dhe disponueshmëria e të dhënave. Fushëveprim i këtij auditimi do të jetë në Sektorin për Administrimin e Bazave të të Dhënave të ARC-së, Sektorin e Regjistrimit Qendror të Gjendjes Civile dhe Sektorët e Gjendjes Civile në komuna. Auditimi do të fokusohet në Sistemin Informativ për Gjendjen Civile, i cili shërben për administrimin e regjistrit qendror të gjendjes civile. Ky auditim do të trajtojë fushën e operacioneve të teknologjisë së informacionit, sigurinë e informacionit dhe kontrollet e aplikacionit. ARC-ja është burimi kryesor i të dhënave personale të qytetarëve të Kosovës, të cilat regjistrohen dhe mbahen në regjistrin e gjendjes civile dhe që vërtetojnë lindjen, statusin familjar, vdekjen, marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe çdo ndryshim që ndodh në këto marrëdhënie. ARC-ja është përgjegjëse për menaxhimin e proceseve në lidhje me aplikimin e personalizimit dhe lëshimit të dokumenteve për shtetasit e Republikës së Kosovës, për shtetasit e huaj dhe për personat pa shtetësi, kur kanë banim të përkohshëm apo të përhershëm në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe për shtetasit e huaj, të cilët kanë përfituar azil në Republikën e Kosovës. Ruajtja e konfidencialitetit është një nga parimet kryesore të regjistrit qendror të gjendjes civile, si dhe ARC-ja duhet siguruar saktësinë dhe plotësinë e të dhënave të regjistruara në sistemin informativ nëpërmjet të cilit menaxhohen këto të dhëna. Andaj, auditimi i teknologjisë së informacionit për “Sistemin Informativ të Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil (ARC)” është i rëndësishëm meqë sipas hulumtimeve paraprake për SGJC-në janë identifikuar mangësi në mbrojtjen e të dhënave personale, përkatësisht në ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave. Prandaj përmes këtij procesi të auditimit synohet të vlerësohet nëse Sistemi i Gjendjes Civile ruan sigurinë, privatësinë dhe integritetin e të dhënave në përputhje me standardet dhe praktikat e mira të sistemeve të informacionit. Qëllimi është të jepen rekomandime të praktikave më të mira që të përmirësojnë funksionimin e këtij sistemi të informacionit.
Lexo më shumë