Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
1/31/2022 6:06:42 PM

Për herë të parë ZKA-ja auditon Sistemin Informativ të Gjendjes Civile në Kosovë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit me temë “Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil (ARC)”. Auditimi i këtij sistemi është duke u kryer për herë të parë dhe përfshin kryesisht periudhën 2020-2021. Procesit të auditimit do t’i nënshtrohet Agjencia e Regjistrit Civil (ARC) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Prizrenit, përkatësisht sektorët e gjendjes civile. Në fokus të auditimit do të jenë departamentet/sektorët përkatëse të këtyre institucioneve. Objektiv i këtij auditimi është vlerësimi i administrimit dhe siguria e informacionit të sistemit informativ të gjendjes civile të Republikës së Kosovës. Përmes procesit të auditimi synohet të shihet nëse është duke u ruajtur siguria dhe konfidencialiteti i të dhënave, integriteti dhe disponueshmëria e të dhënave. Fushëveprim i këtij auditimi do të jetë në Sektorin për Administrimin e Bazave të të Dhënave të ARC-së, Sektorin e Regjistrimit Qendror të Gjendjes Civile dhe Sektorët e Gjendjes Civile në komuna. Auditimi do të fokusohet në Sistemin Informativ për Gjendjen Civile, i cili shërben për administrimin e regjistrit qendror të gjendjes civile. Ky auditim do të trajtojë fushën e operacioneve të teknologjisë së informacionit, sigurinë e informacionit dhe kontrollet e aplikacionit. ARC-ja është burimi kryesor i të dhënave personale të qytetarëve të Kosovës, të cilat regjistrohen dhe mbahen në regjistrin e gjendjes civile dhe që vërtetojnë lindjen, statusin familjar, vdekjen, marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe çdo ndryshim që ndodh në këto marrëdhënie. ARC-ja është përgjegjëse për menaxhimin e proceseve në lidhje me aplikimin e personalizimit dhe lëshimit të dokumenteve për shtetasit e Republikës së Kosovës, për shtetasit e huaj dhe për personat pa shtetësi, kur kanë banim të përkohshëm apo të përhershëm në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe për shtetasit e huaj, të cilët kanë përfituar azil në Republikën e Kosovës. Ruajtja e konfidencialitetit është një nga parimet kryesore të regjistrit qendror të gjendjes civile, si dhe ARC-ja duhet siguruar saktësinë dhe plotësinë e të dhënave të regjistruara në sistemin informativ nëpërmjet të cilit menaxhohen këto të dhëna. Andaj, auditimi i teknologjisë së informacionit për “Sistemin Informativ të Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil (ARC)” është i rëndësishëm meqë sipas hulumtimeve paraprake për SGJC-në janë identifikuar mangësi në mbrojtjen e të dhënave personale, përkatësisht në ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave. Prandaj përmes këtij procesi të auditimit synohet të vlerësohet nëse Sistemi i Gjendjes Civile ruan sigurinë, privatësinë dhe integritetin e të dhënave në përputhje me standardet dhe praktikat e mira të sistemeve të informacionit. Qëllimi është të jepen rekomandime të praktikave më të mira që të përmirësojnë funksionimin e këtij sistemi të informacionit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme u prit në takim nga Drejtori i AKK-së

Auditorja e Përgjithshme u prit në takim nga Drejtori i AKK-së

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, është pritur sot në takim nga Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj. Me këtë rast, znj. Spanca e ka uruar z. Buleshkaj për emërimin në krye të Agjencisë duke i dëshiruar suksese në realizimin e objektivave gjatë mandatit të tij. Gjatë takimit Auditorja e Përgjithshme ka shprehur përkushtimin e saj për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushat me interes të përbashkët. “Ky takim ishte një mundësi e mirë që të diskutojmë në terma konkret  bashkëpunimin tonë ndërinstitucional  në fushat me interes të përbashkët për Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe Agjencinë Kundër Korrupsionit, me theks të veçantë zbatimin e rekomandimeve të auditimit”, është shprehur Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca. Gjithashtu znj. Spanca e ka përgëzuar z. Buleshkaj dhe Agjencinë Kundër Korrupsionit për rezultatet e fundit  të prezantuara nga  Transparency International ku Kosova është vlerësuar se ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit. Nga ana tjetër Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, e ka njoftuar znj. Spanca  për objektivat strategjike me rastin e marrjes së detyrës duke theksuar nevojën e forcimit të bashkëpunimit në fushat e identifikuara me prioritet për AKK-në. Auditorja e Përgjithshme znj. Vlora Spanca dhe Drejtori i AKK-së, z. Yll Buleshkaj u zotuan për bashkëpunim në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
Lexo më shumë
Auditimi i teknologjisë së informacionit shtrihet edhe në Sistemin për Menaxhimin e Pagave në Kosovë

Auditimi i teknologjisë së informacionit shtrihet edhe në Sistemin për Menaxhimin e Pagave në Kosovë

Në kuadër të sezonit auditues 2021/2022, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke e kryer auditimin e teknologjisë së informacionit për “Sistemin për Menaxhimin e Pagave” në Thesarin e Kosovës. Ky sistem ka rol kyç në menaxhimin e pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik në Republikën e Kosovës. Rreth 30% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore të Republikës së Kosovës shkojnë për paga. Procesit të këtij auditimi do t’i nënshtrohet Thesari i Kosovës i cili funksionin në kuadër të Ministrisë se Financave, Punës dhe Transfereve. Fokusi kryesor do të jetë në Divizionin e Menaxhimit të Pagave i cili është përgjegjës për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit elektronik për Menaxhimin e Pagave si dhe departamente tjera të ndërlidhura me procesin e pagave. Objektiv i këtij auditimi është të vlerësohet nëse ekziston një mjedis efektiv i kontrollit që siguron se Sistemi për Menaxhimin e Pagave mbështet procesin e pagave, si dhe ofron të dhëna të sakta, të besueshme, të tërësishme dhe në kohë. Duke marr parasysh rendësin e këtij sistemi dhe menaxhimin efektiv të procesit të pagave, është e nevojshme që Thesari të ketë të vendosura strukturat, proceset dhe mekanizmat e nevojshëm që sigurojnë se Sistemi për Menaxhimin e Pagave (Payroll) mbështet procesin e pagave, si dhe ofron të dhëna të sakta, të besueshme, të tërësishme dhe në kohë. Ndërlidhur me këtë dhe bazuar në hulumtimet paraprake fushat të cilat do të trajtohen në këtë auditim, janë:
  • Qeverisja e TI-së që sigurojnë nëse institucioni ka vendosur strukturat, proceset dhe ka identifikuar nevojat për funksionimin e sistemit;
  • Operacionet e TI-së që sigurojnë se janë vendosur politikat e menaxhimit të ndryshimeve dhe ekziston struktura e nevojshme për vazhdimësisë të sistemit; dhe
  • Kontrollet e aplikacioneve që sigurojnë se sistemi pranon të dhëna të sakta, të besueshme, të tërësishme dhe në kohë.
Përmes auditimit të “Sistemit për Menaxhimin e Pagave” Zyra Kombëtare e Auditimit synon që të ofrojë rekomandime relevante për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, respektivisht Thesarin e Kosovës dhe përdoruesit e tjerë të sistemit në mënyrë që të përmirësohet qasja e tyre në raport me menaxhimin, zbatimin dhe efikasitetin e këtij sistemi, si dhe ofrimin e informatave të sakta, të besueshme, të tërësishme dhe në kohën e duhur.
Lexo më shumë