Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/24/2022 8:25:43 PM

Auditorja e Përgjithshme: Një administratë publike funksionale është parakusht për qeverisje demokratike, transparente dhe efektive

- Auditimet kanë nxjerrë në pah nevojën për rritjen e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës në administratën publike Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore - PAR PROGRESI KOSOVË 2022, me temë: “Reforma në Administratën Publike në Kosovë: Sfidat, progresi dhe rruga përpara” të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ku të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues nga qeveria, Kuvendi, shoqëria civile etj. Gjatë adresimit të saj në kuadër të panelit të diskutimit për procesin e riorganizimit të brendshëm dhe sistematizimit të vendeve të punës në kuadër të menaxhimit të financave publike, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se një administratë publike funksionale është parakusht për qeverisje demokratike, transparente dhe efektive. Prandaj procesi i riorganizimit të brendshëm dhe sistematizimit të vendeve të punës në kuadër të institucioneve publike është një prej kërkesave kryesore për një administratë efektive. Znj. Spanca ka rikujtuar se roli i Institucionit të Auditorit të Përgjithshëm është të ofrojë një bazë për mbylljen e procesit të llogaridhënies në mes të Kuvendit dhe Qeverisë për mënyrën se si është shpenzuar buxheti shtetëror gjatë vitit. Kjo arrihet duke zbatuar parimet e llogaridhënies menaxheriale në të gjitha nivelet e qeverisjes, përfshirë ministritë, komunat, institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet publike. Tutje Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se pavarësisht kompletimit të legjislacionit sekondar për zbatimin e Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës, auditimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit kanë nxjerrë në pah nevojën për rritjen e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës në administratën publike në zbatimin e përgjegjësive. Znj. Spanca, ka vlerësuar se zhvillimi i një administrate të mirë kërkon përkushtim politik, vizion, strategji, përcaktim të prioriteteve, si dhe një radhitje të mirë të veprimeve. Prandaj krerët e institucioneve publike duhet të orientohen në organizim dhe sistematizim të brendshëm të qëndrueshëm, me linja të qarta të llogaridhënies i orientuar në shfrytëzimin maksimal të profesionalizmit të stafit që posedojnë, të orientuar në rezultate dhe në një administrate publike që është në shërbime të qytetarëve. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka bërë me dije se Zyra Kombëtare e Auditimit  mbetet e  përkushtuar që përmes raporteve të auditimit të promovojë drejtpërsëdrejti llogaridhënien dhe të ofrojë bazë të qëndrueshme për t’u kërkuar llogari zyrtarëve të çdo organizatë buxhetore në kuadër të menaxhimit të financave publike. “Në këtë mënyrë ne rrisim besimin në shpenzimin e fondeve publike dhe luajmë një rol aktiv në sigurimin e taksapaguesve dhe të palëve tjera të interesit në rritjen e përgjegjësisë publike, duke konfirmuar se jemi të pa kompromis në fuqizimin e këtyre parimeve: të llogaridhënies, të efektshmërisë, të efikasitetit dhe të transparencës”, ka deklaruar Spanca.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Cilësia e raportimit financiar nga institucionet publike ka nevojë të theksuar për përmirësim

Cilësia e raportimit financiar nga institucionet publike ka nevojë të theksuar për përmirësim

Në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është në proces të auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2021. Organizatat buxhetore kanë detyrim ligjor që Pasqyrat Financiare për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2021 t’i përgatisin sipas Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik “Raportimi Financiar sipas Kontabilitetit të bazuar në para të gatshme”. Po ashtu, t’ i përmbushin të gjitha obligimet raportuese që dalin nga Ligji Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, të plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, Ligjin nr. 04/L-116,Ligjin nr. 04/L-194,Ligjin nr. 05/L-063 dhe Ligjin nr. 05/L-007 dhe në përputhje me rregulloren nr. 01/2017 për Raportim Vjetor Financiar nga Organizatat Buxhetore. Mbi këtë bazë, ZKA-ja ka pranuar Pasqyrat Financiare të 88 organizatave buxhetore. Në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, ZKA-ja ka objektiv që nëpërmjet procesit auditues të Pasqyrave Financiare të ofroj siguri të arsyeshme nëse ato  si tërësi nuk përmbajnë keq-deklarime materiale, qoftë për shkak të mashtrimit ose gabimit, si dhe të hartojë një raport të auditimit që përfshin opinionin e Auditorit të Përgjithshëm. Me ketë Zyra Kombëtare e Auditimit dëshiron të tërheq vëmendjen e Kuvendit të Kosovës, Ministrisë së Financave dhe publikut të gjerë që pavarësisht këshillave dhe rekomandimeve që i jep vit pas vit lidhur me prezantimin e drejtë dhe të vërtet të transaksioneve financiare, kontrollet e brendshme të Organizatave Buxhetore  në hartimin e Pasqyrave Vjetore Financiare janë ende të dobëta. Procesi i rishikimit të PVF-ve, ka treguar se ka gabime materiale: në 12 ministri, 31 komuna dhe në 7 institucione të pavarura. Gabimet e identifikuara kryesisht kanë të bëjnë me nënvlerësimet/mbivlerësimet e të dhënave tek: Pasqyra e pranimeve dhe pagesave në para të gatshme; Raporti i ekzekutimit të buxhetit;si dhe Shpalosjet/ Shënimet shpjeguese në PVF. Gabimet e identifikuara në shumicën e rasteve janë materiale dhe kjo mund të ndikojë në opinionin e auditimit. Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, fton zyrtarët kryesor financiar të organizatave buxhetore që t’i kryejnë korrigjimet e nevojshme të pasqyrave financiare me qëllim të prezantimit të drejtë dhe të vërtetë të transaksioneve për vitin 2021. Po ashtu, znj. Spanca fton kryesuesit e institucioneve publike që t’i shtojnë kontrollet e brendshme dhe t’i mbajnë llogaridhënës personat përgjegjës në zinxhirin e raportimit financiar. Njëherësh , kërkon nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve  që t’i rishikoj arsyet e cilësisë së dobët të raportimit financiar dhe nëse është e nevojshme të ofroj trajnime përkatëse për  zyrtarët kryesor financiar.
Lexo më shumë
ZKA-ja mirëpret dhe do mbështesë çdo iniciativë dhe vendim për largimin e Rusisë nga EUROSAI dhe INTOSAI

ZKA-ja mirëpret dhe do mbështesë çdo iniciativë dhe vendim për largimin e Rusisë nga EUROSAI dhe INTOSAI

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, nëpërmjet letrave dërguar dy  organizatave ndërkombëtare kryesore të auditimit, EUROSAI dhe INTOSAI, ka dënuar ashpër agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës që është duke ndodhur tash e një javë. Bota demokratike ka miratuar tashmë një sërë sanksionesh kundër Rusisë për pushtimin e Ukrainës, dhe në këtë drejtim Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës mirëpret iniciativën për të thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit Drejtues të EUROSAI-t si dhe do të mbështesë çdo vendim që do të merret duke përfshirë edhe atë për përjashtimin e Institucionit Suprem të Auditimit të Rusisë nga EUROSAI. “ZKA-ja mirëpret iniciativën për të thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit Drejtues të EUROSAI-t në të ardhmen e afërt si dhe do të mbështesë çdo vendim që do të merret nga Bordi - duke përfshirë përjashtimin e Institucionit Suprem të Auditimit të Rusisë nga EUROSAI”, është theksuar në letër. Po ashtu ZKA-ja mirëpret dhe do të mbështesë çdo iniciativë apo vendim që do të merret nga organet e INTOSAI-t përfshirë edhe atë për përjashtimin e Institucionit Suprem të Auditimit të Rusisë nga kjo organizatë. Tutje në letrat e dërguara në EUROSAI dhe INTOSAI, është theksuar se populli i Kosovës bashkëndjen me popullin e Ukrainës që po mbron jo vetëm lirinë dhe pavarësinë e tyre, por edhe qytetërimin e të gjithë Evropës. “Ne kemi ndjekur nga afër dhe me ankth zhvillimet mizore në Ukrainë. Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës, dënon ashpër agresionin e pajustifikuar dhe të paprovokuar rus ndaj Ukrainës. Populli i Kosovës qëndron pranë popullit ukrainas. Vetëm dy dekada më parë, populli i Kosovës përjetoi brutalitet të ngjashëm të agresionit të pajustifikuar. Pamjet dhe vuajtjet e trishta të popullit ukrainas sot na kanë kthyer 20 vjet pas. Populli i Kosovës e njeh plotësisht rëndësinë e vlerave njerëzore dhe të drejtën themelore për të jetuar i liri në atdheun e vet”, është thënë ndër të tjera në letrat e Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, dërguar presidentit dhe Bordit Drejtues të EUROSAI-t, si dhe Sekretariatit dhe Bordit Drejtues të INTOSAI-t.
Lexo më shumë