Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/3/2022 12:39:34 PM

ZKA-ja mirëpret dhe do mbështesë çdo iniciativë dhe vendim për largimin e Rusisë nga EUROSAI dhe INTOSAI

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, nëpërmjet letrave dërguar dy  organizatave ndërkombëtare kryesore të auditimit, EUROSAI dhe INTOSAI, ka dënuar ashpër agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës që është duke ndodhur tash e një javë. Bota demokratike ka miratuar tashmë një sërë sanksionesh kundër Rusisë për pushtimin e Ukrainës, dhe në këtë drejtim Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës mirëpret iniciativën për të thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit Drejtues të EUROSAI-t si dhe do të mbështesë çdo vendim që do të merret duke përfshirë edhe atë për përjashtimin e Institucionit Suprem të Auditimit të Rusisë nga EUROSAI. “ZKA-ja mirëpret iniciativën për të thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit Drejtues të EUROSAI-t në të ardhmen e afërt si dhe do të mbështesë çdo vendim që do të merret nga Bordi - duke përfshirë përjashtimin e Institucionit Suprem të Auditimit të Rusisë nga EUROSAI”, është theksuar në letër. Po ashtu ZKA-ja mirëpret dhe do të mbështesë çdo iniciativë apo vendim që do të merret nga organet e INTOSAI-t përfshirë edhe atë për përjashtimin e Institucionit Suprem të Auditimit të Rusisë nga kjo organizatë. Tutje në letrat e dërguara në EUROSAI dhe INTOSAI, është theksuar se populli i Kosovës bashkëndjen me popullin e Ukrainës që po mbron jo vetëm lirinë dhe pavarësinë e tyre, por edhe qytetërimin e të gjithë Evropës. “Ne kemi ndjekur nga afër dhe me ankth zhvillimet mizore në Ukrainë. Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës, dënon ashpër agresionin e pajustifikuar dhe të paprovokuar rus ndaj Ukrainës. Populli i Kosovës qëndron pranë popullit ukrainas. Vetëm dy dekada më parë, populli i Kosovës përjetoi brutalitet të ngjashëm të agresionit të pajustifikuar. Pamjet dhe vuajtjet e trishta të popullit ukrainas sot na kanë kthyer 20 vjet pas. Populli i Kosovës e njeh plotësisht rëndësinë e vlerave njerëzore dhe të drejtën themelore për të jetuar i liri në atdheun e vet”, është thënë ndër të tjera në letrat e Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, dërguar presidentit dhe Bordit Drejtues të EUROSAI-t, si dhe Sekretariatit dhe Bordit Drejtues të INTOSAI-t.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme: Një administratë publike funksionale është parakusht për qeverisje demokratike, transparente dhe efektive

Auditorja e Përgjithshme: Një administratë publike funksionale është parakusht për qeverisje demokratike, transparente dhe efektive

- Auditimet kanë nxjerrë në pah nevojën për rritjen e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës në administratën publike Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore - PAR PROGRESI KOSOVË 2022, me temë: “Reforma në Administratën Publike në Kosovë: Sfidat, progresi dhe rruga përpara” të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ku të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues nga qeveria, Kuvendi, shoqëria civile etj. Gjatë adresimit të saj në kuadër të panelit të diskutimit për procesin e riorganizimit të brendshëm dhe sistematizimit të vendeve të punës në kuadër të menaxhimit të financave publike, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se një administratë publike funksionale është parakusht për qeverisje demokratike, transparente dhe efektive. Prandaj procesi i riorganizimit të brendshëm dhe sistematizimit të vendeve të punës në kuadër të institucioneve publike është një prej kërkesave kryesore për një administratë efektive. Znj. Spanca ka rikujtuar se roli i Institucionit të Auditorit të Përgjithshëm është të ofrojë një bazë për mbylljen e procesit të llogaridhënies në mes të Kuvendit dhe Qeverisë për mënyrën se si është shpenzuar buxheti shtetëror gjatë vitit. Kjo arrihet duke zbatuar parimet e llogaridhënies menaxheriale në të gjitha nivelet e qeverisjes, përfshirë ministritë, komunat, institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet publike. Tutje Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se pavarësisht kompletimit të legjislacionit sekondar për zbatimin e Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës, auditimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit kanë nxjerrë në pah nevojën për rritjen e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës në administratën publike në zbatimin e përgjegjësive. Znj. Spanca, ka vlerësuar se zhvillimi i një administrate të mirë kërkon përkushtim politik, vizion, strategji, përcaktim të prioriteteve, si dhe një radhitje të mirë të veprimeve. Prandaj krerët e institucioneve publike duhet të orientohen në organizim dhe sistematizim të brendshëm të qëndrueshëm, me linja të qarta të llogaridhënies i orientuar në shfrytëzimin maksimal të profesionalizmit të stafit që posedojnë, të orientuar në rezultate dhe në një administrate publike që është në shërbime të qytetarëve. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka bërë me dije se Zyra Kombëtare e Auditimit  mbetet e  përkushtuar që përmes raporteve të auditimit të promovojë drejtpërsëdrejti llogaridhënien dhe të ofrojë bazë të qëndrueshme për t’u kërkuar llogari zyrtarëve të çdo organizatë buxhetore në kuadër të menaxhimit të financave publike. “Në këtë mënyrë ne rrisim besimin në shpenzimin e fondeve publike dhe luajmë një rol aktiv në sigurimin e taksapaguesve dhe të palëve tjera të interesit në rritjen e përgjegjësisë publike, duke konfirmuar se jemi të pa kompromis në fuqizimin e këtyre parimeve: të llogaridhënies, të efektshmërisë, të efikasitetit dhe të transparencës”, ka deklaruar Spanca.
Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme: Faktorizimi i gruas në vendin tonë, mbetet detyrë e jona e përbashkët

Auditorja e Përgjithshme: Faktorizimi i gruas në vendin tonë, mbetet detyrë e jona e përbashkët

Me rastin e shënimit të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore ka organizuar aktivitetin me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithë përfshirjen”, ku kanë marrë pjesë presidentja, kryeministri, auditorja e përgjithshme si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të pavarura, legjislativit, ekzekutivit, ambasadave e shoqërisë civile. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në fjalën e saj ka thënë se historikisht gratë e Kosovës kanë qenë pjesë e rëndësishme e shumë proceseve që kanë ndodhur në kohëra shumë të vështira. Prandaj, është e rëndësishme të kujtohet angazhimi i gjeneratave të kaluara për ta fuqizuar ndikimin e gruas në shoqëri, dhe kjo është pikërisht rëndësia që ka shënimi i kësaj dite. Tutje znj. Spanca, ka folur për sfidat me të cilat është ballafaquar në rrugëtimin profesional dhe paragjykimet që e kanë përcjell në karrierën shumëvjeçare, në veçanti gjatë avancimit në pozita të ndryshme. Pavarësisht sfidave, znj. Spanca ka  falënderuar kolegët për mbështetje, me të cilët ka çuar përpara shumë procese të rëndësishme. “Pavarësisht pengesave që paraqiten në rrugë, të çfarëdo natyre qofshin ato, inkurajoj vajzat dhe gratë e reja të bëhen pjesë e vendimmarrjes, sepse vetëm duke qenë të përfshira në vendimmarrje mund t’i ndryshojmë dhe të përmirësojmë pozitën tonë në shoqëri”, është shprehur Auditorja e Përgjithshme. Znj. Spanca ka vlerësuar se investimi në edukimin dhe arsimimin e vajzave është parakusht për demokraci dhe zhvillim të qëndrueshëm të shoqërisë. Faktorizimi i gruas në vendin tonë, mbetet detyrë e përbashkët, e burrave dhe grave. “Padyshim se nuk mjafton vetëm një ditë për t'i kujtuar e vlerësuar sakrificat për barazi andaj është jetike që ato të respektohen dhe fuqizohen në vazhdimësi.  Në asnjë mënyrë nuk duhet të konsiderohet si favor mundësia për ta dëshmuar vetën dhe për t'u ndjerë i barabartë me tjetrin ngaqë është obligim ligjor që të punojmë në zhdukjen e paragjykimeve dhe  gjithë përfshirjen e grave”, është shprehur ajo. Institucionet Supreme të Auditimit kanë rol të rëndësishëm për sa i përket ndikimit në përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri. Përmes auditimit të të ardhurave dhe shpenzimeve të qeverisë me qëllim shqyrtimin e ndikimit të tyre në barazi gjinore, u ndihmon institucioneve publike të kenë kujdes në ndarjet buxhetore dhe orientimin e tyre për një trajtim të barabartë të të gjithë të punësuarve. ZKA-ja qëndron mirë sa i përket aspektit të barazisë gjinore, dhe mbase mund të shërbejë si shembull për institucionet tjera, sepse mbi 50 për qind e stafit janë femra.
Lexo më shumë