Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/8/2022 4:53:37 PM

Auditorja e Përgjithshme: Faktorizimi i gruas në vendin tonë, mbetet detyrë e jona e përbashkët

Me rastin e shënimit të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore ka organizuar aktivitetin me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithë përfshirjen”, ku kanë marrë pjesë presidentja, kryeministri, auditorja e përgjithshme si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të pavarura, legjislativit, ekzekutivit, ambasadave e shoqërisë civile. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në fjalën e saj ka thënë se historikisht gratë e Kosovës kanë qenë pjesë e rëndësishme e shumë proceseve që kanë ndodhur në kohëra shumë të vështira. Prandaj, është e rëndësishme të kujtohet angazhimi i gjeneratave të kaluara për ta fuqizuar ndikimin e gruas në shoqëri, dhe kjo është pikërisht rëndësia që ka shënimi i kësaj dite. Tutje znj. Spanca, ka folur për sfidat me të cilat është ballafaquar në rrugëtimin profesional dhe paragjykimet që e kanë përcjell në karrierën shumëvjeçare, në veçanti gjatë avancimit në pozita të ndryshme. Pavarësisht sfidave, znj. Spanca ka  falënderuar kolegët për mbështetje, me të cilët ka çuar përpara shumë procese të rëndësishme. “Pavarësisht pengesave që paraqiten në rrugë, të çfarëdo natyre qofshin ato, inkurajoj vajzat dhe gratë e reja të bëhen pjesë e vendimmarrjes, sepse vetëm duke qenë të përfshira në vendimmarrje mund t’i ndryshojmë dhe të përmirësojmë pozitën tonë në shoqëri”, është shprehur Auditorja e Përgjithshme. Znj. Spanca ka vlerësuar se investimi në edukimin dhe arsimimin e vajzave është parakusht për demokraci dhe zhvillim të qëndrueshëm të shoqërisë. Faktorizimi i gruas në vendin tonë, mbetet detyrë e përbashkët, e burrave dhe grave. “Padyshim se nuk mjafton vetëm një ditë për t'i kujtuar e vlerësuar sakrificat për barazi andaj është jetike që ato të respektohen dhe fuqizohen në vazhdimësi.  Në asnjë mënyrë nuk duhet të konsiderohet si favor mundësia për ta dëshmuar vetën dhe për t'u ndjerë i barabartë me tjetrin ngaqë është obligim ligjor që të punojmë në zhdukjen e paragjykimeve dhe  gjithë përfshirjen e grave”, është shprehur ajo. Institucionet Supreme të Auditimit kanë rol të rëndësishëm për sa i përket ndikimit në përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri. Përmes auditimit të të ardhurave dhe shpenzimeve të qeverisë me qëllim shqyrtimin e ndikimit të tyre në barazi gjinore, u ndihmon institucioneve publike të kenë kujdes në ndarjet buxhetore dhe orientimin e tyre për një trajtim të barabartë të të gjithë të punësuarve. ZKA-ja qëndron mirë sa i përket aspektit të barazisë gjinore, dhe mbase mund të shërbejë si shembull për institucionet tjera, sepse mbi 50 për qind e stafit janë femra.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja mirëpret dhe do mbështesë çdo iniciativë dhe vendim për largimin e Rusisë nga EUROSAI dhe INTOSAI

ZKA-ja mirëpret dhe do mbështesë çdo iniciativë dhe vendim për largimin e Rusisë nga EUROSAI dhe INTOSAI

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, nëpërmjet letrave dërguar dy  organizatave ndërkombëtare kryesore të auditimit, EUROSAI dhe INTOSAI, ka dënuar ashpër agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës që është duke ndodhur tash e një javë. Bota demokratike ka miratuar tashmë një sërë sanksionesh kundër Rusisë për pushtimin e Ukrainës, dhe në këtë drejtim Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës mirëpret iniciativën për të thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit Drejtues të EUROSAI-t si dhe do të mbështesë çdo vendim që do të merret duke përfshirë edhe atë për përjashtimin e Institucionit Suprem të Auditimit të Rusisë nga EUROSAI. “ZKA-ja mirëpret iniciativën për të thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit Drejtues të EUROSAI-t në të ardhmen e afërt si dhe do të mbështesë çdo vendim që do të merret nga Bordi - duke përfshirë përjashtimin e Institucionit Suprem të Auditimit të Rusisë nga EUROSAI”, është theksuar në letër. Po ashtu ZKA-ja mirëpret dhe do të mbështesë çdo iniciativë apo vendim që do të merret nga organet e INTOSAI-t përfshirë edhe atë për përjashtimin e Institucionit Suprem të Auditimit të Rusisë nga kjo organizatë. Tutje në letrat e dërguara në EUROSAI dhe INTOSAI, është theksuar se populli i Kosovës bashkëndjen me popullin e Ukrainës që po mbron jo vetëm lirinë dhe pavarësinë e tyre, por edhe qytetërimin e të gjithë Evropës. “Ne kemi ndjekur nga afër dhe me ankth zhvillimet mizore në Ukrainë. Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës, dënon ashpër agresionin e pajustifikuar dhe të paprovokuar rus ndaj Ukrainës. Populli i Kosovës qëndron pranë popullit ukrainas. Vetëm dy dekada më parë, populli i Kosovës përjetoi brutalitet të ngjashëm të agresionit të pajustifikuar. Pamjet dhe vuajtjet e trishta të popullit ukrainas sot na kanë kthyer 20 vjet pas. Populli i Kosovës e njeh plotësisht rëndësinë e vlerave njerëzore dhe të drejtën themelore për të jetuar i liri në atdheun e vet”, është thënë ndër të tjera në letrat e Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, dërguar presidentit dhe Bordit Drejtues të EUROSAI-t, si dhe Sekretariatit dhe Bordit Drejtues të INTOSAI-t.
Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në tryezën “Sfidat e komunave në menaxhimin e investimeve, shpenzimeve, të hyrave dhe pronave”

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në tryezën “Sfidat e komunave në menaxhimin e investimeve, shpenzimeve, të hyrave dhe pronave”

Rezultatet e auditimit për vitin 2020 tregojnë se për 38 komuna, ZKA-ja  ka dhënë 25 opinione të auditimit të pamodifikuara dhe 13 opinione të auditimit të kualifikuara Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, të mërkurën kanë marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Instituti GAP me temën “Sfidat e komunave në menaxhimin e investimeve, shpenzimeve, të hyrave dhe pronave”. Përveç përfaqësueseve të GAP-it, të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë edhe përfaqësuesi nga Zyra e UNDP-së në Kosovë dhe kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami. Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se komunat duhet t’i shpenzojnë me përgjegjshmëri dhe në dobi të qytetarëve fondet publike. Meqenëse nevojat e qytetarëve janë të larta dhe buxheti i komunës mund të mos jetë i mjaftueshëm, kryetarët e komunave duhet t’i shpenzojnë fondet publike në pajtim me ligjet dhe në mënyrë efikase e ekonomike. Me qellim që kryetarët e komunave të mbahen përgjegjës për mënyrën se si i kanë shpenzuar fondet publike, znj. Spanca ka bërë me dije se Zyra Kombëtare e Auditimit në baza vjetore kryen auditime vjetore financiare dhe të pajtueshmërisë për të gjitha komunat. Rezultatet e auditimit për vitin 2020 tregojnë se për 38 komuna, ZKA-ja  ka dhënë 25 opinione të auditimit të pamodifikuara dhe 13 opinione të auditimit të kualifikuara. “Arsyet kryesore për modifikim të opinioneve kanë qenë: Raportimi jo i duhur i informatave në Pasqyrat Vjetore Financiare (PVF), përfshirë kategori të ndryshme ekonomike; Keqklasifikimi i shpenzimeve; Prezantimi jo i saktë i të dhënave për pasuri kapitale dhe jo kapitale;  Informata jo të sakta për Llogaritë e arkëtueshme; Informata jo të sakta lidhur me shpenzimet për Covid-19; etj”, është shprehur znj. Spanca. Tutje Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka treguar se lidhur me gjetjet në raportet e auditimit për komuna, për vitin 2020, ZKA-ja ka dhënë 367 rekomandime për përmirësimin e secilës fushë ku janë identifikuar mangësi dhe gabime. Ndonëse numri i rekomandimeve nga dy vitet e mëhershme ka pësuar rënie (488-585), zbatimi i rekomandimeve të auditimit mbetet ende në nivel jo të duhur. “Në disa raste vërehet mungesë e kapaciteteve, por edhe e përkushtimit të duhur nga menaxhmenti i entiteteve të audituara për zbatimin e rekomandimeve të auditimit. Prandaj, një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve t? auditimit nuk zbatohen dhe disa prej tyre përsëriten nga viti në vit. Për vitin 2018 vetëm 37% e rekomandimeve janë zbatuar plotësisht, ndërsa për vitin 2019 janë zbatuar 41%. Ndërsa, nivelin e zbatimit  të rekomandimeve të dhëna për vitin 2020, do ta paraqesim në raportet e auditimit të vitit 2021”, ka deklaruar znj. Spanca. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se për të përmbushur obligimet ligjore, komunat, duhet të përmirësojnë praktikën e përditshme të kontrollit të brendshëm. Po ashtu duhet të bëhet më shumë për të zhvilluar një mjedis të kontrollit të bazuar në rrezik, për të përmirësuar efektivitetin, efikasitetin dhe ekonominë e aktiviteteve, për të rritur besueshmërinë e raportimit (financiar) dhe për të bërë rregullime më të mira buxhetore dhe planifikuese.  
Lexo më shumë