Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/25/2022 4:55:20 PM

Auditorja e Përgjithshme priti në takim përfaqësuesit e Këshillit për Raportim Financiar

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Qerkin Morina, të premten kanë pritur në takim kryesuesin e Këshillit për Raportim Financiar, Nexhat Kryeziu, dhe anëtarin Alban Lufi. Përfaqësuesit e Këshillit për Raportim Financiar i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Financave kanë uruar znj. Spanca për marrjen e detyrës dhe  i kanë dëshiruar suksese në realizimin e mandatit kushtetues dhe ligjor. Gjatë këtij takimi përfaqësuesit e të dyja institucioneve kanë biseduar  për përvojat e tyre rreth auditimeve, posaçërisht auditimeve të Ndërmarrjeve Publike si dhe për kornizën e raportimit financiar. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe kryesuesi i Këshillit për Raportim Financiar, Nexhat Kryeziu, kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm në mes të dy institucioneve si dhe kanë shprehur përkushtimin e tyre për avancim të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në 20-vjetorin e themelimit të ShKÇAK-së

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në 20-vjetorin e themelimit të ShKÇAK-së

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, të mërkurën ka marrë pjesë në ceremoninë e mbajtur me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK). Me këtë rast znj. Spanca, ka përgëzuar drejtuesit e ShKÇAK-së për punën e deritanishme, duke thënë se themelimi i kësaj shoqate ka vendosur bazën për zhvillimin profesional të kontabilisteve dhe auditorëve të Kosovës, të cilët më pas i kanë shërbyer vendit në menaxhimin e financave si në sektorin privat edhe në atë publik. Tutje Auditorja e Përgjithshme ka folur për bashkëpunimin e vazhdueshëm në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe ShKÇAK-së, i cili daton që nga viti 2004 përmes marrëveshjes së parë të bashkëpunim të ndërsjellët me qëllim të ngritjes profesionale të stafit dhe avancimit të ZKA-së. “Të qenit një Institucion Suprem i Auditimit (ISA) nënkupton aplikimin e standardeve profesionale, kryerjen e punës së auditimit sipas standardeve të zbatueshme dhe krijimin e një kuadri të përshtatshëm për të ofruar siguri të pavarur për cilësinë e punës së kryer. Andaj, zhvillimi profesional i auditorëve është thelbësor për punën e ISA-ve. Standardet Ndërkombëtare theksojnë që roli i ISA-ve është një faktor i rëndësishëm për të bërë ndryshimin në jetën e qytetarëve”, ka deklaruar Spanca. Auditorja e Përgjithshme ka theksuar se falë bashkëpunimit me ShKÇAK-në, ZKA-ja ka më shumë se 130 auditorë të certifikuar në nivele të ndryshme, por që rreth 90 prej tyre kanë arritur nivelin më të lartë si auditorë të certifikuar. Me qellim  të ruajtjes së njohurive dhe kompetencës në punë, auditorët e ZKA-së në baza vjetore ndjekin programet për zhvillimin e vazhdueshëm profesional që ofrohen nga ShKÇAK-ja si dhe trajnimet e brendshme të vet institucionit.
Lexo më shumë
Sqarim për media: Auditorja e Përgjithshme ka kërkuar nga RTK-ja të rezervohet nga përfshirja e ZKA-së në çfarëdo vendimmarrje në politikat e brendshme deri sa raportet e auditimit të bëhen publike

Sqarim për media: Auditorja e Përgjithshme ka kërkuar nga RTK-ja të rezervohet nga përfshirja e ZKA-së në çfarëdo vendimmarrje në politikat e brendshme deri sa raportet e auditimit të bëhen publike

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes kësaj komunikate për media njofton opinionin publik se aktualisht është në fazën finale të auditimit financiar dhe të performancës të Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit në sektorin publik, ZKA-ja nuk shpalos asnjë informatë apo nuk komenton lidhur me një auditim para se ai të ketë kaluar të gjitha fazat dhe të bëhet final. Duke marrë parasysh disa lajme në media se një udhëheqës departamenti në kuadër të RTK-së është liruar nga detyra dhe një nga pikat e vendimit ishte mos bashkëpunimi me  ZKA-në, ju njoftojmë se Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka dërguar shkresë Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, përmes së cilës e ka falënderuar stafin e RTK-së për bashkëpunimin gjatë procesit të auditimit dhe ka konfirmuar se ekipet që janë duke e kryer auditimin në RTK nuk kanë raportuar ndonjë shqetësim për vonesë në pranimin e dokumenteve nga zyrtari i liruar nga detyra. Znj. Spanca ka bërë me dije se pasi të analizohen rezultatet e auditimit, ZKA-ja përmes raportit të auditimit do t’i japë rekomandimet në mënyrë të shkruar se çfarë veprimesh duhet të ndërmerr RTK-ja. “Prandaj, deri në publikimin e raporteve, ju lutemi që të rezervoheni nga përfshirja e ZKA-së në çfarëdo vendimmarrje në  politikat tuaja të brendshme”, ka thënë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në shkresën e saj drejtuar z. Ahmetxhekaj.
Lexo më shumë