Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/5/2022 9:14:27 AM

Sqarim për media: Auditorja e Përgjithshme ka kërkuar nga RTK-ja të rezervohet nga përfshirja e ZKA-së në çfarëdo vendimmarrje në politikat e brendshme deri sa raportet e auditimit të bëhen publike

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes kësaj komunikate për media njofton opinionin publik se aktualisht është në fazën finale të auditimit financiar dhe të performancës të Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit në sektorin publik, ZKA-ja nuk shpalos asnjë informatë apo nuk komenton lidhur me një auditim para se ai të ketë kaluar të gjitha fazat dhe të bëhet final. Duke marrë parasysh disa lajme në media se një udhëheqës departamenti në kuadër të RTK-së është liruar nga detyra dhe një nga pikat e vendimit ishte mos bashkëpunimi me  ZKA-në, ju njoftojmë se Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka dërguar shkresë Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, përmes së cilës e ka falënderuar stafin e RTK-së për bashkëpunimin gjatë procesit të auditimit dhe ka konfirmuar se ekipet që janë duke e kryer auditimin në RTK nuk kanë raportuar ndonjë shqetësim për vonesë në pranimin e dokumenteve nga zyrtari i liruar nga detyra. Znj. Spanca ka bërë me dije se pasi të analizohen rezultatet e auditimit, ZKA-ja përmes raportit të auditimit do t’i japë rekomandimet në mënyrë të shkruar se çfarë veprimesh duhet të ndërmerr RTK-ja. “Prandaj, deri në publikimin e raporteve, ju lutemi që të rezervoheni nga përfshirja e ZKA-së në çfarëdo vendimmarrje në  politikat tuaja të brendshme”, ka thënë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në shkresën e saj drejtuar z. Ahmetxhekaj.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme priti në takim përfaqësuesit e Këshillit për Raportim Financiar

Auditorja e Përgjithshme priti në takim përfaqësuesit e Këshillit për Raportim Financiar

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Qerkin Morina, të premten kanë pritur në takim kryesuesin e Këshillit për Raportim Financiar, Nexhat Kryeziu, dhe anëtarin Alban Lufi. Përfaqësuesit e Këshillit për Raportim Financiar i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Financave kanë uruar znj. Spanca për marrjen e detyrës dhe  i kanë dëshiruar suksese në realizimin e mandatit kushtetues dhe ligjor. Gjatë këtij takimi përfaqësuesit e të dyja institucioneve kanë biseduar  për përvojat e tyre rreth auditimeve, posaçërisht auditimeve të Ndërmarrjeve Publike si dhe për kornizën e raportimit financiar. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe kryesuesi i Këshillit për Raportim Financiar, Nexhat Kryeziu, kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm në mes të dy institucioneve si dhe kanë shprehur përkushtimin e tyre për avancim të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
Lexo më shumë
ZKA-ja, KMFP-ja dhe deputetë të parlamentit suedez diskutojnë për domosdoshmërinë e rritjes së ndikimit të auditimit në përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike

ZKA-ja, KMFP-ja dhe deputetë të parlamentit suedez diskutojnë për domosdoshmërinë e rritjes së ndikimit të auditimit në përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të mërkurën dhe të enjten ka mbajtur punëtorinë për rritjen e ndikimit të auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve. Përveç drejtuesve të ZKA-së në punëtori kanë marrë pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës njëherësh anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP). Në kuadër të kësaj punëtorie është zhvilluar edhe një takim virtual me përfaqësuesit e Institucionit Suprem të Auditimit të Suedisë dhe deputetë të parlamentit suedez. Në ditën e parë të kësaj punëtorie janë zhvilluar diskutimet për dy çështje thelbësore për Zyrën Kombëtare të Auditimit, siç janë zbatimi i rekomandimeve të auditimit dhe ndryshimi i Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm. Punëtoria ka vazhduar edhe ditën e enjte, ku është diskutuar për raportin vjetor të performancës dhe strategjinë tre vjeçare të ZKA-së. Fillimisht Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka falënderuar anëtarët e Komisionit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë ZKA-së në përmbushjen e mandatit kushtetues dhe ligjor, duke thënë se puna e përbashkët ka për qëllim përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike. Spanca ka theksuar se përkundër këtij angazhimi, zbatimi i rekomandimeve të auditimit ende nuk është në nivelin e kënaqshëm.  “Në baza vjetore, ZKA-ja publikon më shumë se 130 raporte të auditimit si dhe jep rreth 1 000 rekomandime për auditimet e rregullsisë dhe të performancës.  Për të rritur ndikimin në përmirësimin e menaxhimit të financave publike, rekomandimet e auditimit duhet të zbatohen nga organizatat buxhetore e që fatkeqësisht përkundër punës tonë dhe angazhimit të KMFP-së niveli i zbatimit të rekomandimeve nuk është në nivelin e duhur. Edhe pse ka një rritje të lehtë  të nivelit të zbatimit të rekomandimeve të dhëna për vitin 2020  në 45% krahasuar me vitin 2019 që ishte 40% prap se prap niveli i përgjithshëm mbetet i ulët”, ka deklaruar Spanca. Për të rritur ndikimin e punës, përkatësisht zbatimin e rekomandimeve të auditimit znj. Spanca, ka thënë se kërkohet përkushtim i krerëve të institucioneve publike që të ndërmarrin masa konkrete dhe të kërkojnë llogari nga vartësit e tyre. Ndërsa, ka theksuar se është shqetësuese mos prezenca e ministrave në mbledhjet e KMFP-së kur shqyrtohen raportet e auditimit, për shkak se kjo tregon  përkushtimin e pamjaftueshëm të atyre që janë të ngarkuar me llogaridhënie  në zbatimin e rekomandimeve. Nëse raportet e auditimit nuk shqyrtohen dhe mbesin në sirtarë edhe puna dhe angazhimi i auditorëve mbetet e pa materializuar. Znj. Spanca ka mirëpritur iniciativën e KMFP-së për të rritur ndikimin e punës së ZKA-së përmes vizitave në teren tek organizatat buxhetore. Tutje Auditorja e Përgjithshme ka treguar se për të qenë në pajtueshmëri edhe me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit edhe me praktikat e BE-së si dhe për të kryer më shumë auditime në fushën e pajtueshmërisë me ligjet dhe rregulloret në fuqi, si dhe auditime të performancës për të vlerësuar efikasitetin efektivitetin dhe ekonomin e aktiviteteve qeveritare, ndryshimi i Ligjit për AP është më se i domosdoshëm. Sa i përket nevojës për ndryshimin e Ligjit të Auditorit të Përgjithshëm dhe ZKA-së Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se është përgatitur koncept dokumenti si dhe ka e njoftuar KMFP-në që SIGMA ka shprehur gatishmërinë që ta ndihmojë ZKA-në në këtë proces. Nga ana tjetër, Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP), Hykmete Bajrami, ka folur për punën e Komisionit si dhe për rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit. Znj. Bajrami ka mirëpritur mbajtjen e kësaj punëtorie si një mundësi e mirë për të diskutuar për zbatimin e rekomandimeve si dhe ka falënderuar Zyrën Kombëtare të Auditimit për bashkëpunimin e vazhdueshëm me KMFP-në. Kryetarja e KMFP-së ka mirëpritur inicimin e ndryshimit të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe ZKA-në. Tutje znj. Bajrami ka vlerësuar punën e ZKA-së si dhe ka shprehur përkushtimin e  Komisionit për rritjen e ndikimit të punës së tyre. Deputetja suedeze Mia Sydow Mölleby dhe Dag Levin Sparr, Këshilltar i Lartë në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë (ZKAS) kanë prezantuar praktikat e Parlamentit Suedez dhe ZKAS-së në shqyrtimin e raporteve të auditimit dhe bashkëpunimit në mes të dyja institucioneve për të siguruar menaxhimin e mirë të fondeve publike dhe mbajtur përgjegjës krerët e organizatave buxhetore. Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe ata të parlamentit suedezë kanë ndarë përvojat dhe praktikën e tyre me qëllim të rritjes së ndikimit të punës së tyre në përmirësimin e menaxhimit të financave publike.
Lexo më shumë