Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/12/2022 2:55:57 PM

Auditorja e Përgjithshme: Rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollet

-Mangësitë e identifikuara nga auditime po përsëritën çdo vit, dhe ky është një tregues se përkushtimi i institucioneve në zbatimin e rekomandimeve nuk është në nivel të kënaqshëm Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten ka mbajtur konferencë për medie në të cilën ka prezantuar trembëdhjetë raporte të auditimit për sezonin auditues 2021/22, prej të cilave njëmbëdhjetë auditime financiare dhe të pajtueshmërisë si dhe dy auditime të performancës. Para gazetarëve znj. Spanca ka prezantuar gjetjet kryesore për raportet e auditimit për komunën e Gjilanit, Skenderajt, Vushtrrisë, Kamenicës, Gracanicës, Zveçanit, Shtërpcës, Mitrovicë së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Novobërdës. Po ashtu në këtë konferencë është prezantuar edhe raporti i auditimit për Ministrinë e Ekonomisë, si dhe dy raportet e auditimit të performances “Auditimi i kontratave publike në Korporatën Energjetike të Kosovës” dhe “Vlerësimi i nxënësve në testet ndërkombëtare dhe kombëtare”. Auditorja e Përgjithshme ka theksuar se në 11 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë janë dhënë 9 opinione të modifikuara, përkatësisht të kualifikuara dhe 2 opinione të pamodifikuara. “Arsyet kryesore pse opinioni i auditimit është kualifikuar kanë qenë, për shkak se Pasqyrat Vjetore Financiare përmbajnë keqdeklarime materiale. Këto keqdeklarime, kryesisht kanë të bëjnë me regjistrimin dhe raportimin jo të saktë dhe jo të plotë të pasurive jo financiare, shpalosjet jo të plota dhe jo të sakta për llogaritë e arkëtueshme, detyrimet kontigjente si dhe keq klasifikimet e shpenzimeve në kategori (kode) të caktuara ekonomike”, ka deklaruar znj. Spanca. Përveç opinionit të auditimit, ZKA-ja ka vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi, me ç’rast rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollit. Parregullsitë janë të përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë të shpenzimeve si në vijim:

  • Angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa respektuar procedurat e prokurimit publik dhe kryesisht për pune dhe detyra të rregullta të organizatës;
  • Mangësi në procesin e prokurimit publik, siç janë: përdorimi i procedurës jo adekuate te prokurimit publik, tejkalim i vlerës së kontratave, mangësi në menaxhimin e kontratave, dhe inicim i projekteve pa zotim të mjaftueshëm të fondeve;
  • Mos pagesa e faturave brenda afatit 30-ditor;
  • Mungesa e planit vjetor të mbështetjes financiare të OJQ-ve;
  • Mangësi në procesin e vlerësimit të aplikacioneve për subvencione;
  • Jo efikasitet në verifikimin e pronave komunale;
  • Masa jo të mjaftueshme në inkasimin e llogarive të arketueshme; dhe
  • Njësi të auditimit të brendshëm të pakompletuara.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se këto mangësi të identifikuara në këto auditime po përsëritën çdo vit, dhe ky është një tregues se përkushtimi i institucioneve në zbatimin e rekomandimeve nuk është në nivel të kënaqshëm. Znj. Spanca ka ftuar krerët e organizatave buxhetore që të ndërmarrin veprime konkrete për të adresuar rekomandimet e auditimit dhe të ofrojnë sigurinë e nevojshme që paraja publike të shpenzohet në përputhje me ligjin dhe për qëllimin e synuar.  “Ftojë të gjitha institucionet e audituara që raportet e auditimit, në veçanti rekomandimet e dhëna t’i pranojnë si një kontribut serioz më qëllim kryesor përmirësimin e proceseve, aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave të tyre. Kjo padyshim se do të ndikojë në përmirësimin e përgjithshëm të menaxhimit më të mirë të parasë publike dhe cilësisë se shërbimeve të ofruara”, ka theksuar znj. Spanca. Ndërsa sa i përket auditimit të performances “Auditimi i kontratave publike në Korporatën Energjetike të Kosovës 2018 - 2020”, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka treguar se sipas konkluzionit të auditimit Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk ishte siguruar që fondet dhe burimet e saj ishin përdorur në mënyrën më ekonomike, duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit. Po ashtu nuk ishte siguruar që në aktivitetet e veta të prokurimit t’i trajtojë operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe të veprojë në mënyrë transparente. Kurse sa i përket raportit të auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet ndërkombëtare dhe kombëtare”, i cili përfshin periudhën 2018-2021, Auditorja e Përgjithshme, konkluzioni i auditimit nxjerr në pah se institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e mësimdhënies dhe vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikulës dhe praktikat më të mira të nxjerra nga Agjencia Evropiane për Sigurimin e Cilësisë. Për më shumë, Komiteti i Vlerësimeve Ndërkombëtare, që do t’i vlerësonte dhe adresonte mospërputhjet dhe boshllëqet, nuk është themeluar. Rezultatet e testit kombëtar të arritshmërisë janë relativisht të larta dhe ndryshojnë shumë me vlerësimin vjetor që bëhen nga mësimdhënësit. Në këtë konferencë kanë qenë të pranishëm edhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Emine Fazliu, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka si dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Ftesë për media

Ftesë për media

Të nderuar përfaqësues të mediave, Ju ftojmë të ndiqni konferencën për media të Auditores se Përgjithshme, Vlora Spanca, me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit për sezonin auditues 2021/22. Konferenca do të mbahet:

   Të enjten, me datë 12.05.2022

   në ora 11:00

                                    në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit,

                        Lagjja Arbëria, Rr.Ahmet Krasniqi, 210

                     Prishtinë

Në këtë konferencë Auditorja e Përgjithshme do të prezantojë çështjet kryesore të paraqitura në raportet e auditimit të rregullsisë për:
  • Komunën e Gjilanit;
  • Komunën e Skenderajt;
  • Komunën e Vushtrrisë;
  • Komunën e Graçanicës;
  • Komunën e Zveçanit;
  • Komunën e Shtërpcës;
  • Komunën e Mitrovicës së Jugut;
  • Komunën e Mitrovicës së Veriut;
  • Komunën e Novobërdës;
  • Komunën e Kamenicës; dhe
  • Ministrinë e Ekonomisë.
Si dhe çështjet në dy raporte të auditimit të performancës që janë:
  • Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare (Testi PISA); dhe
  • Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018 – 2020)
   
Lexo më shumë
ZKA-ja gjen mangësi në metodologjinë e vlerësimit të nxënëseve dhe moszbatim të kërkesave së kurrikulës

ZKA-ja gjen mangësi në metodologjinë e vlerësimit të nxënëseve dhe moszbatim të kërkesave së kurrikulës

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të  performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”. Ky auditim përfshin periudhën 2018-2021 dhe ka pasur për qëllim që të vlerësojë nëse institucionet përgjegjëse kanë marrë masa për përmirësimin e mësimdhënies dhe vlerësimin e nxënësve në Kosovë. Subjekt i auditimit kanë qenë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) si dhe komuna e Prizrenit, Istogut dhe Novobërdës. Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se ka mangësi në metodologjinë e vlerësimit të nxënëseve dhe mos zbatim të kërkesave që dalin nga kurrikula. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) dhe shkollat nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e mësimdhënies dhe vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikulës dhe praktikat më të mira të nxjerra nga Agjencia Evropiane për Sigurimin e Cilësisë. Për rrjedhojë nxënësit  vazhdojnë të marrin pjesë në orët e mësimit duke dëgjuar mësimdhënësit që ligjërojnë gjatë gjithë orëve të mësimit dhe aktivizohen vetëm në fund nëse kanë ndonjë pyetje si dhe vlerësohen përmes pyetjeve me përgjigje të shumëfishta. Pavarësisht se procesi i vlerësimit në arsimin parauniversitar ka mangësi institucionet përgjegjëse (MAShTI, DKA-të dhe shkollat) nuk kanë ndërmarrë masa për evidentimin dhe përmirësimin e këtyre mangësive. Gjetjet e auditimit tregojnë se nxënësit kosovarë kanë arritur rezultate relativisht të mira në testet kombëtare mirëpo në testet ndërkombëtare, siç është PISA rezultatet e nxënësve janë shumë më të ulëta se mesatarja e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZhE) dhe më të ulëtat në rajon. Po ashtu, institucionet përgjegjëse nuk e kanë kryer/bërë monitorimin e vlerësimit të nxënësve përgjatë gjithë vitit shkollor dhe metodat e përdorura nga mësimdhënësit. Ndërsa trajnimi i ofruar për mësimdhënësit nuk dihet nëse i ka plotësuar nevojat për të përmbushur kërkesat që dalin nga kurrikula, meqë gjysma e  mësimdhënësve të anketuar si pjesë e mostrës së auditimit kanë thënë se trajnimi për kurrikulën kombëtare ishte shumë i shkurtër (vetëm gjashtë ditë) duke pasur parasysh vëllimin dhe kërkesat e saj. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka theksuar se rezultatet e testit PISA janë shqetësuese, nxënësit kosovar po rezultojnë shumë ulët në krahasim me shokët e tyre në nivel global edhe pse në testin e arritshmërisë qëndrojnë më mirë me rezultate, andaj kërkohen veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjese për adresimin e rekomandimeve të dhëna. Duke marrë parasysh se arsimi fillor ka një rëndësi të madhe për të gjithë komunitetin dhe është një mekanizëm i fuqishëm për rritje të qëndrueshme ekonomike, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 9 rekomandime për institucionet përgjegjëse për rregullimin e metodave të mësimdhënies dhe vlerësimit të nxënësve. Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.  
Lexo më shumë