Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/13/2022 11:16:14 AM

ZKA-ja gjen mangësi në metodologjinë e vlerësimit të nxënëseve dhe moszbatim të kërkesave së kurrikulës

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të  performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”. Ky auditim përfshin periudhën 2018-2021 dhe ka pasur për qëllim që të vlerësojë nëse institucionet përgjegjëse kanë marrë masa për përmirësimin e mësimdhënies dhe vlerësimin e nxënësve në Kosovë. Subjekt i auditimit kanë qenë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) si dhe komuna e Prizrenit, Istogut dhe Novobërdës. Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se ka mangësi në metodologjinë e vlerësimit të nxënëseve dhe mos zbatim të kërkesave që dalin nga kurrikula. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) dhe shkollat nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e mësimdhënies dhe vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikulës dhe praktikat më të mira të nxjerra nga Agjencia Evropiane për Sigurimin e Cilësisë. Për rrjedhojë nxënësit  vazhdojnë të marrin pjesë në orët e mësimit duke dëgjuar mësimdhënësit që ligjërojnë gjatë gjithë orëve të mësimit dhe aktivizohen vetëm në fund nëse kanë ndonjë pyetje si dhe vlerësohen përmes pyetjeve me përgjigje të shumëfishta. Pavarësisht se procesi i vlerësimit në arsimin parauniversitar ka mangësi institucionet përgjegjëse (MAShTI, DKA-të dhe shkollat) nuk kanë ndërmarrë masa për evidentimin dhe përmirësimin e këtyre mangësive. Gjetjet e auditimit tregojnë se nxënësit kosovarë kanë arritur rezultate relativisht të mira në testet kombëtare mirëpo në testet ndërkombëtare, siç është PISA rezultatet e nxënësve janë shumë më të ulëta se mesatarja e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OBZhE) dhe më të ulëtat në rajon. Po ashtu, institucionet përgjegjëse nuk e kanë kryer/bërë monitorimin e vlerësimit të nxënësve përgjatë gjithë vitit shkollor dhe metodat e përdorura nga mësimdhënësit. Ndërsa trajnimi i ofruar për mësimdhënësit nuk dihet nëse i ka plotësuar nevojat për të përmbushur kërkesat që dalin nga kurrikula, meqë gjysma e  mësimdhënësve të anketuar si pjesë e mostrës së auditimit kanë thënë se trajnimi për kurrikulën kombëtare ishte shumë i shkurtër (vetëm gjashtë ditë) duke pasur parasysh vëllimin dhe kërkesat e saj. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka theksuar se rezultatet e testit PISA janë shqetësuese, nxënësit kosovar po rezultojnë shumë ulët në krahasim me shokët e tyre në nivel global edhe pse në testin e arritshmërisë qëndrojnë më mirë me rezultate, andaj kërkohen veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjese për adresimin e rekomandimeve të dhëna. Duke marrë parasysh se arsimi fillor ka një rëndësi të madhe për të gjithë komunitetin dhe është një mekanizëm i fuqishëm për rritje të qëndrueshme ekonomike, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 9 rekomandime për institucionet përgjegjëse për rregullimin e metodave të mësimdhënies dhe vlerësimit të nxënësve. Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme: Rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollet

Auditorja e Përgjithshme: Rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollet

-Mangësitë e identifikuara nga auditime po përsëritën çdo vit, dhe ky është një tregues se përkushtimi i institucioneve në zbatimin e rekomandimeve nuk është në nivel të kënaqshëm Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten ka mbajtur konferencë për medie në të cilën ka prezantuar trembëdhjetë raporte të auditimit për sezonin auditues 2021/22, prej të cilave njëmbëdhjetë auditime financiare dhe të pajtueshmërisë si dhe dy auditime të performancës. Para gazetarëve znj. Spanca ka prezantuar gjetjet kryesore për raportet e auditimit për komunën e Gjilanit, Skenderajt, Vushtrrisë, Kamenicës, Gracanicës, Zveçanit, Shtërpcës, Mitrovicë së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Novobërdës. Po ashtu në këtë konferencë është prezantuar edhe raporti i auditimit për Ministrinë e Ekonomisë, si dhe dy raportet e auditimit të performances “Auditimi i kontratave publike në Korporatën Energjetike të Kosovës” dhe “Vlerësimi i nxënësve në testet ndërkombëtare dhe kombëtare”. Auditorja e Përgjithshme ka theksuar se në 11 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë janë dhënë 9 opinione të modifikuara, përkatësisht të kualifikuara dhe 2 opinione të pamodifikuara. “Arsyet kryesore pse opinioni i auditimit është kualifikuar kanë qenë, për shkak se Pasqyrat Vjetore Financiare përmbajnë keqdeklarime materiale. Këto keqdeklarime, kryesisht kanë të bëjnë me regjistrimin dhe raportimin jo të saktë dhe jo të plotë të pasurive jo financiare, shpalosjet jo të plota dhe jo të sakta për llogaritë e arkëtueshme, detyrimet kontigjente si dhe keq klasifikimet e shpenzimeve në kategori (kode) të caktuara ekonomike”, ka deklaruar znj. Spanca. Përveç opinionit të auditimit, ZKA-ja ka vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi, me ç’rast rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollit. Parregullsitë janë të përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë të shpenzimeve si në vijim:
  • Angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa respektuar procedurat e prokurimit publik dhe kryesisht për pune dhe detyra të rregullta të organizatës;
  • Mangësi në procesin e prokurimit publik, siç janë: përdorimi i procedurës jo adekuate te prokurimit publik, tejkalim i vlerës së kontratave, mangësi në menaxhimin e kontratave, dhe inicim i projekteve pa zotim të mjaftueshëm të fondeve;
  • Mos pagesa e faturave brenda afatit 30-ditor;
  • Mungesa e planit vjetor të mbështetjes financiare të OJQ-ve;
  • Mangësi në procesin e vlerësimit të aplikacioneve për subvencione;
  • Jo efikasitet në verifikimin e pronave komunale;
  • Masa jo të mjaftueshme në inkasimin e llogarive të arketueshme; dhe
  • Njësi të auditimit të brendshëm të pakompletuara.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se këto mangësi të identifikuara në këto auditime po përsëritën çdo vit, dhe ky është një tregues se përkushtimi i institucioneve në zbatimin e rekomandimeve nuk është në nivel të kënaqshëm. Znj. Spanca ka ftuar krerët e organizatave buxhetore që të ndërmarrin veprime konkrete për të adresuar rekomandimet e auditimit dhe të ofrojnë sigurinë e nevojshme që paraja publike të shpenzohet në përputhje me ligjin dhe për qëllimin e synuar.  “Ftojë të gjitha institucionet e audituara që raportet e auditimit, në veçanti rekomandimet e dhëna t’i pranojnë si një kontribut serioz më qëllim kryesor përmirësimin e proceseve, aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave të tyre. Kjo padyshim se do të ndikojë në përmirësimin e përgjithshëm të menaxhimit më të mirë të parasë publike dhe cilësisë se shërbimeve të ofruara”, ka theksuar znj. Spanca. Ndërsa sa i përket auditimit të performances “Auditimi i kontratave publike në Korporatën Energjetike të Kosovës 2018 - 2020”, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka treguar se sipas konkluzionit të auditimit Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk ishte siguruar që fondet dhe burimet e saj ishin përdorur në mënyrën më ekonomike, duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit. Po ashtu nuk ishte siguruar që në aktivitetet e veta të prokurimit t’i trajtojë operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe të veprojë në mënyrë transparente. Kurse sa i përket raportit të auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet ndërkombëtare dhe kombëtare”, i cili përfshin periudhën 2018-2021, Auditorja e Përgjithshme, konkluzioni i auditimit nxjerr në pah se institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e mësimdhënies dhe vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikulës dhe praktikat më të mira të nxjerra nga Agjencia Evropiane për Sigurimin e Cilësisë. Për më shumë, Komiteti i Vlerësimeve Ndërkombëtare, që do t’i vlerësonte dhe adresonte mospërputhjet dhe boshllëqet, nuk është themeluar. Rezultatet e testit kombëtar të arritshmërisë janë relativisht të larta dhe ndryshojnë shumë me vlerësimin vjetor që bëhen nga mësimdhënësit. Në këtë konferencë kanë qenë të pranishëm edhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Emine Fazliu, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka si dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi. 
Lexo më shumë
Korporata Energjetike e Kosovës nuk ka arritur t’i përdorë fondet publike në mënyrën më ekonomike dhe efikase

Korporata Energjetike e Kosovës nuk ka arritur t’i përdorë fondet publike në mënyrën më ekonomike dhe efikase

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës”. Ky auditim përfshin periudhën 2018-2020 dhe ka pasur për qëllim që të vlerësojë nëse gjatë këtyre viteve, KEK-u ka arritur objektivat e paracaktuara të prokurimit (efektiviteti) dhe nëse po, a i ka arritur duke kombinuar burimet në mënyrën më të mirë të mundshme (efikasiteti). Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se Korporata Energjetike e Kosovës nuk kishte arritur që t’i përdorë fondet publike në mënyrë ekonomike dhe efikase, kishte mungesë të transparencës si dhe kufizim të konkurrencës. E gjitha kjo ka bërë që disa nga objektivat e përcaktuara përmes prokurimit publik të mos arrihen. Aktivitetet e prokurimit janë realizuar kryesisht me negocim të çmimit e që nuk ka siguruar transparencë në prokurim. Kontratat e negociuara kishin rezultuar me çmime më të larta se sa kontratat paraprake apo pasuese të lidhura me tender të hapur. Kjo përveç që e kishte bërë Korporatën Energjetike të Kosovës jo efikase në zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit e kishte bërë edhe jo ekonomike në këto kontrata. Gjithsej shpenzimi shtesë që kishte rezultuar nga prokurimet e negociuara ishte afër 739 mijë euro, 472 mijë euro për njërin tender (shërbimi i transportit) dhe afër 267 mijë euro për tenderin tjetër (sigurimi fizik i objekteve). Njësitë kërkuese dhe zyra e prokurimit nuk kishin identifikuar si duhet nevojat për promovim të KEK-ut në media, dhe nuk kishin bërë analizë të tregut e që kishte rezultuar me objektiva të paqarta dhe të pamatshme të prokurimit. Për pasojë ishin lidhur, vit pas viti, kontrata efekti i të cilave ishte i panjohur në drejtim të realizimit të objektivave.  Nga gjithsej 377,140 euro që ishin shpenzuar për promovim në media gjatë viteve 2018-2020, KEK-u kishte arritur vetëm 59,113 euro kthim përmes qendrës së trajnimeve profesionale. Pra vetëm 15% të shumës së shpenzuar kishte arritur të shndërronte në të hyra, ndërsa për objektiven tjetër nuk kishte matur efektin. Korporata Energjetike e Kosovës nuk kishte siguruar kombinim optimal të burimeve në dispozicion për të përmbushur objektivat e përcaktuara. Mos grumbullimi i nevojave për blerje të kushinetave kishte rezultuar numër të madh të aktiviteteve të prokurimit. Gjithsej 34 aktivitete të prokurimit ishin zhvilluar gjatë viteve 2018-2020 vetëm për këto blerje. Menaxherët e projekteve/kontratave të prokurimit nuk kishin menaxhuar aktivisht kontratat me të cilat ishin ngarkuar. Për shkak të mungesës së iniciativës nga ana e menaxherëve të kontratave Korporata Energjetike e Kosovës nuk kishte siguruar kombinim optimal të burimeve në dispozicion për të përmbushur objektivat e përcaktuara. Shkaqet që kishin çuar në këtë gjendje ishin mos përcjellja aktive e zbatimit të kontratës, mos azhurnimi i datave të dakorduara me kohë dhe mos aplikimi i gjobave për vonesa. Njësitë kërkuese kishin hasur në vështirësi në punë për shkak të vonesave në zbatim të kontratave. Mungesa e analizave lidhur me përfitimet dhe kostot që rrjedhin nga aktivitetet e  prokurimit/kontratat e zbatuara, ka bërë që Korporata Energjetike e Kosovës të vazhdojë me aktivitete të prokurimit që nuk i kishin kontribuar arritjes së objektives. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka shprehur shqetësimin lidhur me mungesën e transparencës  dhe kufizimin e konkurrencës për disa aktivitete të prokurimit dhe mangësitë në menaxhim të kontratave në KEK e që në disa raste kanë shkaktuar kosto shtesë, andaj kërkohen veprime të menjëhershme nga njësitë përgjegjëse brenda KEK-ut për adresimin e rekomandimeve të dhëna. Me qëllim të përmirësimit të proceseve të prokurimit, janë dhënë tetë rekomandime për Bordin e Drejtorëve dhe Menaxhmentin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.  
Lexo më shumë