Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/9/2022 2:14:39 PM

Komunikatë për media: Sqarim lidhur me deklarimet në emisionin “Kallxo Përnime”

Zyra Kombëtare e Auditimit përmes kësaj komunikate për media dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me çështjet e ngritura dhe të diskutuara në emisionin “Kallxo Përnime” i transmetuar në RTV Dukagjini, me datë 8 qershor 2022. Në veçanti duhet të sqarojmë deklaratën e ish Drejtorit të RTK-së, z. Ngadhnjim Kastrati, duke cituar deklaratën se “Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, nuk e ka publikuar Raportin e Auditimit për RTK-në për vitin 2019”, prandaj theksojmë se:

  • Në vitin 2019, Vlora Spanca, mbante pozitën e Ndihmës Auditores së Përgjithshme dhe jo atë të Zëvendës Auditorit të Përgjithshëm;
  • Auditimi i performancës për RTK-në me titull “Menaxhimi i Fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës – Pjesa e parë – Procesi i planifikimit dhe raportimit buxhetor”është hartuar dhe dërguar tek Menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës për komente në Prill të vitit 2019. Komentet e Menaxhmentit të RTK-së janë pranuar dhe diskutuar me subjektin e audituar. Sipas Kornizës ligjore dhe Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit përgjegjësitë për miratimin e raportit final të auditimit dhe publikimin e tij i takojnë Auditorit të Përgjithshëm;
  • Ish Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani, ka vendosur që ky raport të mos publikohet.
  • Sipas nenit 4, pargrafit 3, të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit 05/L-055, Auditori i Përgjithshëm ka diskrecion të plotë nëse duhet apo nuk duhet të kryhet një auditim i caktuar; mënyrës si duhet të bëhet një auditim i caktuar; ose përparësisë që i duhet dhënë ndonjë çështje të caktuar, mbi këtë bazë ne nuk i komentojmë vendimet e ish Auditorit të Përgjithshëm.
Me marrjen e mandatit, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, ka përfshirë në Planin Vjetor të Punës për sezonën audituese 2021/2022, edhe dy auditime për RTK-në. Raportet e auditimit “Raporti i  Auditimit të  Pasqyrave Vjetore Financiare për  Radio Televizioni i Kosovës (RTK) për vitin 2021” dhe “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës” janë të përfunduara dhe janë publike në uebfaqen e ZKA-së. Këto auditime  kanë identifikuar mangësi thelbësore lidhur me raportimin financiar si dhe në menaxhimin e fondeve publike të dedikuara për burimet njerëzore dhe programet vendore në RTK dhe jepen rekomandime të qarta për Bordin dhe Menaxhmentin e RTK-së me qëllim të përmirësimit të menaxhimit dhe performancës së këtij institucioni. Poashtu, konfirmojmë se kemi pranuar ftesën nga Kallxo.com për të marrë pjesë në emision, por për shkak të volumit të madh të punës në finalizimin e auditimeve kjo ishte e pamundur. Gjithashtu vlerësojmë korrektësinë e gazetarëve në komunikim me ZKA-në lidhur me deklaratat në këtë emision.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori rekomandon përmirësime në sigurinë dhe kualitetin e të dhënave në Sistemin Informativ të Gjendjes Civile në Kosovë

Auditori rekomandon përmirësime në sigurinë dhe kualitetin e të dhënave në Sistemin Informativ të Gjendjes Civile në Kosovë

-Të dhënat personale të qytetarëve duhet të jenë të mbrojtura dhe mos të ketë ndërprerje të shërbimeve elektronike Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA)  ka publikuar raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil”.  Ky auditim kishte për qëllim vlerësimin e administrimit, sigurisë, integritetit si dhe menaxhimin e të dhënave në sistemin informativ të gjendjes civile të Republikës së Kosovës. Pavarësisht zhvillimeve dhe avancimit të vazhdueshëm në Sistemin Informativ të Gjendjes Civile, rezultatet e auditimit kanë treguar se Agjencia e Regjistrit Civil (ARC) nuk ka të vendosur mekanizma të përshtatshëm dhe funksional të Qeverisjes së Teknologjisë së Informacionit. Struktura dhe kontrollet në operacionet e TI-së nuk janë përcaktuar mirë duke ekspozuar kështu organizatën ndaj rrezikut për arritjen e objektivave, sigurimin e vazhdimësisë së operimit të sistemeve informative dhe shfrytëzimin e pajisjeve elektronike. Ndonëse në vazhdimësi ARC-ja ka bërë përpjekje për ta përmirësuar gjendjen, ZKA, ka konkluduar se kjo Agjenci, në raste të caktuara nuk ka kontrolle të mjaftueshme dhe monitorim për të mbrojtur sigurinë e informacionit të Sistemit të Gjendjes Civile (SGJC) në rrjete si dhe nuk ka kontrolle në qasjen e përdoruesve në sisteme, duke rritur rrezikun e ndërhyrjeve të paautorizuara në sisteme, ndërprerjen e shërbimeve, rrjedhjen e informacionit dhe mos sigurimin e mbrojtjes së të dhënave personale. Po ashtu ARC-ja në mungesë të një strukture të qartë të funksionit të TI-së, nuk ka arritur të përcaktoj rolet dhe përgjegjësitë për menaxhimin dhe administrimin e sistemeve të informacionit duke shkaktuar dyfishim dhe konflikt të përgjegjësive. Auditimi ka venë në pah se sistemi për mbrojtjen dhe sigurinë e informacionit që zbatohet në ARC nuk garanton mjaftueshëm vazhdimësinë e sistemit dhe integritetin e të dhënave në çdo kohë. Po ashtu, ekziston rreziku që në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore apo dështimit të sistemit, ARC-ja nuk mund t’i rikthejë të dhënat e nevojshme kritike në kohë optimale duke rritur rrezikun e humbjes së të dhënave dhe dhënies së shërbimeve. Gjithashtu, konsullatat në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe Komuna e Prishtinës si përdorues të sistemit nuk garantojnë të kenë ruajtur si duhet integritetin dhe konfidencialitetin e të dhënave të vendosura në sistem. Sipas gjetjeve të këtij auditimi, kontrollet e aplikacionit që zbatohen në SGjC, nuk sigurojnë se në sistem vendosen dhe azhurnohen vetëm të dhëna të sakta dhe të vlefshme. Për rrjedhojë, ka qytetarë të cilët janë të regjistruar nga dy herë,  janë të pajisur me dy numra personal si dhe ka qytetarë të regjistruar me numër të njëjtë të Librit të Regjistrit Civil. Gjithashtu, ka mungesë të ndërlidhjes së SGjC-së me bazën e të dhënave të Agjencisë Kadastrale për regjistrim të adresës. Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka kërkuar vëmendjen e institucioneve përgjegjëse që t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme për të siguruar se të dhënat personale të qytetarëve janë të mbrojtura, siç kërkohet me legjislacionin në fuqi, si dhe vazhdimësia e pandërprerë e shërbimeve elektronike për qytetarët është e sigurt. Me qëllim të përmirësimit të shërbimeve të teknologjisë së informacionit, Zyra Kombëtare e Auditimit përmes raportit të auditimit ka dhënë 27 rekomandime për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencinë e Regjistrit Civil, përfshirë këtu një për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, tri për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe tri për komunën e Prishtinës dhe Prizrenit. Raportin e plotë të auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil” e gjeni këtu.  
Lexo më shumë
ZKA-ja dhe Kuvendi diskutojnë për gjendjen në prokurimin publik nga perspektiva e auditimit

ZKA-ja dhe Kuvendi diskutojnë për gjendjen në prokurimin publik nga perspektiva e auditimit

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, kanë pritur sot në takim përfaqësues të Grupit Punues të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere i cili ka për qëllim mbikëqyrjen e zbatimit të  Ligjit nr.04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, në përbërje të Pal Lekaj kryesues, Visar Korenica anëtar, si dhe përfaqësues të administratës së Kuvendit dhe  shoqërisë civile. Grupi punues ka shprehur interesim që të informohet lidhur me aktivitetet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) sa i përket zbatimit të këtij ligji, problemet dhe vështirësitë në implementimin e tij si dhe nevojat eventuale për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës. Znj. Spanca i ka njoftuar pjesëmarrësit, për gjendjen në prokurimin publik në Kosovë nga perspektiva e auditimit, për gjetjet më të shpeshta të auditimit në fushën e prokurimit si dhe për rekomandimet përkatëse që Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë me qëllim të përmirësimit të nevojshëm. Me këtë rast, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se Ligji për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës është mjaft i konsoliduar, por ka nevojë që të amandamentohet për t’iu mundësuar organizatave buxhetore që t’i arrijnë në mënyrë më efikase objektivat e veta të prokurimit. Gjithashtu gjatë këtij takimi anëtarët e Grupit punues të Komisionit parlamentar kanë parashtruan pyetje lidhur me zbatimin e këtij Ligji nga ana entiteteve që janë subjekt i auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe se bashku është diskutuar për çështjet të ndryshme për përmirësim në këtë fushë.
Lexo më shumë