Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/9/2022 10:54:55 AM

Auditori rekomandon përmirësime në sigurinë dhe kualitetin e të dhënave në Sistemin Informativ të Gjendjes Civile në Kosovë

-Të dhënat personale të qytetarëve duhet të jenë të mbrojtura dhe mos të ketë ndërprerje të shërbimeve elektronike Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA)  ka publikuar raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil”.  Ky auditim kishte për qëllim vlerësimin e administrimit, sigurisë, integritetit si dhe menaxhimin e të dhënave në sistemin informativ të gjendjes civile të Republikës së Kosovës. Pavarësisht zhvillimeve dhe avancimit të vazhdueshëm në Sistemin Informativ të Gjendjes Civile, rezultatet e auditimit kanë treguar se Agjencia e Regjistrit Civil (ARC) nuk ka të vendosur mekanizma të përshtatshëm dhe funksional të Qeverisjes së Teknologjisë së Informacionit. Struktura dhe kontrollet në operacionet e TI-së nuk janë përcaktuar mirë duke ekspozuar kështu organizatën ndaj rrezikut për arritjen e objektivave, sigurimin e vazhdimësisë së operimit të sistemeve informative dhe shfrytëzimin e pajisjeve elektronike. Ndonëse në vazhdimësi ARC-ja ka bërë përpjekje për ta përmirësuar gjendjen, ZKA, ka konkluduar se kjo Agjenci, në raste të caktuara nuk ka kontrolle të mjaftueshme dhe monitorim për të mbrojtur sigurinë e informacionit të Sistemit të Gjendjes Civile (SGJC) në rrjete si dhe nuk ka kontrolle në qasjen e përdoruesve në sisteme, duke rritur rrezikun e ndërhyrjeve të paautorizuara në sisteme, ndërprerjen e shërbimeve, rrjedhjen e informacionit dhe mos sigurimin e mbrojtjes së të dhënave personale. Po ashtu ARC-ja në mungesë të një strukture të qartë të funksionit të TI-së, nuk ka arritur të përcaktoj rolet dhe përgjegjësitë për menaxhimin dhe administrimin e sistemeve të informacionit duke shkaktuar dyfishim dhe konflikt të përgjegjësive. Auditimi ka venë në pah se sistemi për mbrojtjen dhe sigurinë e informacionit që zbatohet në ARC nuk garanton mjaftueshëm vazhdimësinë e sistemit dhe integritetin e të dhënave në çdo kohë. Po ashtu, ekziston rreziku që në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore apo dështimit të sistemit, ARC-ja nuk mund t’i rikthejë të dhënat e nevojshme kritike në kohë optimale duke rritur rrezikun e humbjes së të dhënave dhe dhënies së shërbimeve. Gjithashtu, konsullatat në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe Komuna e Prishtinës si përdorues të sistemit nuk garantojnë të kenë ruajtur si duhet integritetin dhe konfidencialitetin e të dhënave të vendosura në sistem. Sipas gjetjeve të këtij auditimi, kontrollet e aplikacionit që zbatohen në SGjC, nuk sigurojnë se në sistem vendosen dhe azhurnohen vetëm të dhëna të sakta dhe të vlefshme. Për rrjedhojë, ka qytetarë të cilët janë të regjistruar nga dy herë,  janë të pajisur me dy numra personal si dhe ka qytetarë të regjistruar me numër të njëjtë të Librit të Regjistrit Civil. Gjithashtu, ka mungesë të ndërlidhjes së SGjC-së me bazën e të dhënave të Agjencisë Kadastrale për regjistrim të adresës. Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka kërkuar vëmendjen e institucioneve përgjegjëse që t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme për të siguruar se të dhënat personale të qytetarëve janë të mbrojtura, siç kërkohet me legjislacionin në fuqi, si dhe vazhdimësia e pandërprerë e shërbimeve elektronike për qytetarët është e sigurt. Me qëllim të përmirësimit të shërbimeve të teknologjisë së informacionit, Zyra Kombëtare e Auditimit përmes raportit të auditimit ka dhënë 27 rekomandime për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencinë e Regjistrit Civil, përfshirë këtu një për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, tri për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe tri për komunën e Prishtinës dhe Prizrenit. Raportin e plotë të auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil” e gjeni këtu.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere miratoi Raportin Vjetor Financiar të ZKA-së për vitin 2021

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere miratoi Raportin Vjetor Financiar të ZKA-së për vitin 2021

Sot, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT) ka vazhduar punimet nga mbledhja e së premtes, 3 qershor 2022, ku në rend të ditës përveç tjerash ishte edhe votimi i  Raportit Vjetor Financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2021 si dhe shqyrtimi i kërkesës së ZKA-së për vendosjen në objekt publik. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në mbledhjen e së premtes ka prezantuar dhe arsyetuar në mënyrë të detajuar raportin, duke u fokusuar në strukturën e buxhetit, qëllimet e përdorimit dhe rezultatet e arritura. Znj. Spanca ka bërë me dije se krahasuar me vitin paraprak, si dhe në bazë të një analize të përgjithshme të shpenzimeve dhe përmbushjes së detyrave audituese sipas Planit Vjetor të Auditimit, gjatë vitit 2021, shpenzimet janë më të ulëta për rreth 11 për qind. Në uljen e shpenzimeve ka ndikuar përfundimi i projektit “Softueri për menaxhimin e auditimit - SITA” si dhe situata e krijuar nga pandemia COVID-19, ku në masë të madhe shpenzimet janë kufizuar, por edhe racionalizuar. Tutje Auditorja e Përgjithshme ka treguar para deputetëve se kategoria ekonomike për Paga dhe mëditje, tërheq përqindjen më të madhe të shpenzimit të ZKA-së prej 80%; Mallra dhe shërbime 17.0%; Shërbimet komunale 1.3%; si dhe Shpenzimet kapitale 1.7%. Znj. Spanca ka thënë se shqetësim serioz vazhdon të jetë qiraja e objektit e cila tërheq përqindjen më të madhe të shpenzimit të kategorisë Mallra dhe Shërbime prej 35.4%. Ajo ka kërkuar nga Kuvendi që ta adresojë këtë çështje në mënyrë që të bëhet një zgjidhje për vendosjen e përhershme të ZKA-së në një objekt shtetëror dhe këto shpenzime të mos jenë barrë as për ZKA-në dhe as për buxhetin e shtetit. Gjithashtu, ajo ka njoftuar se përveç qirasë së objektit, vlerë të theksuar të shpenzimit tërheq edhe mirëmbajtja e sistemit elektronik të auditimit (SITA), i cili mundëson që puna audituese të kryhet me efikasitet dhe cilësi si dhe ofron siguri në procesin auditues. Tutje duke folur për aktivitetin dhe punën e ZKA-së, znj. Spanca ka thënë se nuk ka pasur mundësi të plotësohen nevojat me staf shtesë për shkak të deficiti buxhetor të akumuluar ndër vite. Sipas Auditores së Përgjithshme për të parandaluar trendin e menaxhimit me deficit buxhetor dhe për të vendosur kontrolle adekuate është rishikuar struktura organizative, janë shuar disa pozita të cilat janë konsideruar të panevojshme, janë fuzionuar disa njësi të departamenteve mbështetëse si dhe është formuar një departament i veçantë për planifikimin e punës dhe orientimin strategjik të ZKA-së. Po ashtu Auditorja e Përgjithshme i ka njoftuar deputetët se gjatë vitit 2021, ZKA-ja ka përfunduar dhe publikuar 131 raporte të auditimit, katër më shumë se në vitin paraprak. Në mbledhjen e sotme Komisioni ka miratuar Raportin Vjetor Financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, ndërsa si pikë e veçantë e rendit të ditës ka qenë edhe shqyrtimi i kërkesës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vendosjen në objekt publik. Me këtë rast, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka kërkuar nga Komisioni që të aprovohet kërkesa e ZKA-së në mënyrë që shpenzimet e përvitshme për qiranë e objektit të mos jenë barrë e vazhdueshme për ZKA-në dhe buxhetin e shtetit. Znj. Spanca gjatë arsyetimit të kësaj kërkese, ka treguar se aktualisht vlera e kontratës mujore për objektin e ZKA-së në lagjen Arbëria, është 13 mijë e 500 euro, ndërsa 162 mijë euro për një vit. Auditorja e Përgjithshme, ka theksuar se kontrata për qira të objektit është pesëvjeçare por mund të ndërpritet kurdo që të gjendet një zgjidhje. “Përkundër adresimit të vazhdueshëm të kësaj çështjeje ende nuk është bërë ndonjë zgjidhje për vendosje të përhershme në një objekt shtetëror. Meqë ZKA-ja është institucion që mbikëqyret dhe mbështetet nga Kuvendi, shfrytëzoj rastin që të kërkoj nga ju adresimin e kësaj çështje, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë, kjo zyre të dal nga objektet private”, është shprehur Spanca. “Përveç tjerash, operimi i ZKA-së në objekte me qira e ekspozon këtë Institucion me rrezikim të imazhit dhe pavarësisë se tij për shkak të ndjeshmërisë që bart, roli dhe misioni i tij”, ka theksuar Auditorja e Përgjithshme. Anëtarët e Komisionit njëzëri mbështetën rekomandimin, i cili i dërgohet Kryesisë së Kuvendit, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, që në një afat sa më të shpejtë të gjendet një objekt publik për vendosjen e ZKA-së.
Lexo më shumë
Komunikatë për media: Sqarim lidhur me deklarimet në emisionin “Kallxo Përnime”

Komunikatë për media: Sqarim lidhur me deklarimet në emisionin “Kallxo Përnime”

Zyra Kombëtare e Auditimit përmes kësaj komunikate për media dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me çështjet e ngritura dhe të diskutuara në emisionin “Kallxo Përnime” i transmetuar në RTV Dukagjini, me datë 8 qershor 2022. Në veçanti duhet të sqarojmë deklaratën e ish Drejtorit të RTK-së, z. Ngadhnjim Kastrati, duke cituar deklaratën se “Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, nuk e ka publikuar Raportin e Auditimit për RTK-në për vitin 2019”, prandaj theksojmë se:
  • Në vitin 2019, Vlora Spanca, mbante pozitën e Ndihmës Auditores së Përgjithshme dhe jo atë të Zëvendës Auditorit të Përgjithshëm;
  • Auditimi i performancës për RTK-në me titull “Menaxhimi i Fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës – Pjesa e parë – Procesi i planifikimit dhe raportimit buxhetor”është hartuar dhe dërguar tek Menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës për komente në Prill të vitit 2019. Komentet e Menaxhmentit të RTK-së janë pranuar dhe diskutuar me subjektin e audituar. Sipas Kornizës ligjore dhe Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit përgjegjësitë për miratimin e raportit final të auditimit dhe publikimin e tij i takojnë Auditorit të Përgjithshëm;
  • Ish Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani, ka vendosur që ky raport të mos publikohet.
  • Sipas nenit 4, pargrafit 3, të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit 05/L-055, Auditori i Përgjithshëm ka diskrecion të plotë nëse duhet apo nuk duhet të kryhet një auditim i caktuar; mënyrës si duhet të bëhet një auditim i caktuar; ose përparësisë që i duhet dhënë ndonjë çështje të caktuar, mbi këtë bazë ne nuk i komentojmë vendimet e ish Auditorit të Përgjithshëm.
Me marrjen e mandatit, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, ka përfshirë në Planin Vjetor të Punës për sezonën audituese 2021/2022, edhe dy auditime për RTK-në. Raportet e auditimit “Raporti i  Auditimit të  Pasqyrave Vjetore Financiare për  Radio Televizioni i Kosovës (RTK) për vitin 2021” dhe “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës” janë të përfunduara dhe janë publike në uebfaqen e ZKA-së. Këto auditime  kanë identifikuar mangësi thelbësore lidhur me raportimin financiar si dhe në menaxhimin e fondeve publike të dedikuara për burimet njerëzore dhe programet vendore në RTK dhe jepen rekomandime të qarta për Bordin dhe Menaxhmentin e RTK-së me qëllim të përmirësimit të menaxhimit dhe performancës së këtij institucioni. Poashtu, konfirmojmë se kemi pranuar ftesën nga Kallxo.com për të marrë pjesë në emision, por për shkak të volumit të madh të punës në finalizimin e auditimeve kjo ishte e pamundur. Gjithashtu vlerësojmë korrektësinë e gazetarëve në komunikim me ZKA-në lidhur me deklaratat në këtë emision.
Lexo më shumë