Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/13/2022 3:10:25 PM

Dy auditore të ZKA-së përfundojnë me sukses trajnimin regjional për auditimet e performancës

Në datat 5 – 9 shtator, në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë, në Stokholm është mbajtur moduli i fundit i trajnimit regjional për auditimet e performancës i organizuar për auditorët e Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës, këtë program e kanë ndjekur auditoret Elira Hashani dhe Alba Keqa të cilat edhe janë certifikuar. Ceremonia zyrtare e certifikimit është mbajtur të enjten në Stokholm në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë , me ç’rast Auditorja e Përgjithshme, Helena Lindberg, zyrtarisht ka bërë shpërndarjen e certifikatave. Ky program trajnimi ka filluar në mars të vitit 2021 dhe ka përmbajt shtatë module. Trajnimet janë zbatuar me sukses përmes sesioneve punuese  përfshirë seminare të ndryshme përmes të cilave ekipet kanë punuar drejtpërdrejtë në auditime të performances duke aplikuar metodat kualitative dhe kuantitative, mbajtjen e intervistave, mbledhjen e të dhënave, përcjelljen e auditimit dhe procesin e publikimit të raportit. Përgjatë gjithë programit auditoret kanë qenë nën mentorimin e Udhëheqëses së Ekipit, Fexhrie Thaqi, dhe kanë marrë udhëzime dhe mbështetje nga trajnerët e Zyrës së Auditimit të Suedisë. Programi është përmbyllur me testime të njohurive dhe shkathtësive në auditim të performancës nëse auditoret janë në gjendje që aftësitë e fituara t’i zbatojnë në praktikë. Ky program trajnimi është përmbyllur me mbajtjen e moduleve për udhëheqësit e ekipeve të auditimit të performancës me fokus në hartimin e raportit, teknikat dhe metodologjinë për mbikëqyrjen e auditimit, kontrollin dhe sigurimin e cilësisë në auditim. Gjatë vizitës studimore në Suedi, auditorët e performancës kanë vizituar Parlamentin e Suedisë, ku për së afërmi janë njohur për perspektiven parlamentare për auditimet e performancës dhe aktivitetet e deputetëve lidhur me shqyrtimin e raporteve të auditimit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Punonjësit e ZKA-së gjatë muajit shtator do të ndjekin një plan intensiv të trajnimeve për zhvillim profesional

Punonjësit e ZKA-së gjatë muajit shtator do të ndjekin një plan intensiv të trajnimeve për zhvillim profesional

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) vazhdon ta ketë prioritet zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale ku përmes planit vjetor të trajnimeve adreson nevojat dhe kërkesat e stafit për zhvillim profesional dhe avancim të njohurive. Prandaj, gjatë muajit shtator 2022 punonjësit e ZKA-së do të ndjekin një plan intensiv të trajnimeve të brendshme dhe të jashtme. Me qëllim që auditorët të jenë të informuar dhe në hap me zhvillimet e fundit profesionale, plani i trajnimeve përmban tema të rëndësishme përmes të cilave zgjerohen njohuritë aktuale dhe eksplorohen praktika të reja për të kryer punën në mënyrë sa më efikase në zbatim të planeve të punës dhe standardeve ndërkombëtare të auditimit. Një ndër temat me interes që është duke u mbajtur këtë javë është kursi për “Zhvillimin e Planeve Vjetore Operacionale dhe Planit për zbatim strategjik”. Po ashtu gjatë kësaj jave do të mbahet edhe trajnimi “Procesi i Auditimit dhe fazat e Auditimit”, si dhe trajnimi “Ndërtimi i strategjisë së përgjithshme të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë”. Ndërsa në javën e dytë do të mbahet trajnimi “Shkrimi i qartë i raportit të Auditimit” përmes së cilit auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit do t’i avancojnë njohuritë në analiza më të thella dhe metodat kërkimore për teknikat e shkrimit të raporteve të auditimit në mënyrë që ato të jenë të shkruara me gjuhë të thjeshtë dhe të jenë miqësore ndaj lexuesit. Ky trajnim do të jetë interaktiv me shembuj praktik të raporteve të auditimit si dhe përmban edhe video materiale dhe detyra për auditorët. Gjithashtu gjatë kësaj jave do të mbahet edhe trajnimi “Kërkimet (researching) dhe metodologjia e auditimit”. Në javën e tretë e muajit shtator do të ketë një serë trajnimesh të fokusuara në temat si: “Konfirmimet”, “Procesi i gjetjeve gjatë auditimit-ekzekutimi”, “Korniza e akteve ligjore në ZKA”, “Ndryshimet e SNISA-ve dhe zhvillimi i IFPP-së”, “Procesi i auditimit përmes SITA, me theks arkivimi i dokumenteve dhe dëshmive të auditimit”, “Mostrimi”, si dhe “Identifikimi i qartë i 3 E-ve gjatë procesit të parastudimit dhe auditimit”. Auditorët e ZKA-së do të përmbyllin ciklin e aktivitetit trajnues me ndjekjen e trajnimit, “Menaxhimi i riskut”, “Materialiteti Cilësor në auditimin financiar dhe të pajtueshmërisë”, “Opinioni i auditimit në auditimin e pajtueshmërisë”, si dhe me trajnimin për auditimet e performancës “Të shkruarit e qartë, përdorimi i teknikave të gjuhës së thjeshtë, dhe struktura e raporteve të auditimit ”. Trajnimet mbahen nga trajnerë profesionalë dhe ekspert me përvojë të ZKA-së, Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI-t, dhe Shoqatave Profesionale për Kontabilitet dhe Auditim, dhe ofrohen vetëm për punonjësit e ZKA-së.    
Lexo më shumë
Përfaqësuesit e ZKA-së, pjesë e Konferencës “Young EUROSAI Stockholm 2022”

Përfaqësuesit e ZKA-së, pjesë e Konferencës “Young EUROSAI Stockholm 2022”

Nga 12 deri më 15 shtator 2022, përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Ariana Gjonbalaj Shala – drejtoreshë e Departamentit të Auditimit të Performancës dhe Alban Beka – Auditor Financiar, kanë marrë pjesë në punimet katër ditore të Konferencës “Young EUROSAI”, e cila u mbajt në Stokholm, nën organizimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë. Kjo konferencë u dedikohet auditorëve të rinj nga të gjitha institucionet supreme të auditimit të Evropës dhe ka për qëllim shkëmbimin e ideve të reja si dhe gjetjen e qasjeve të reja për t'u zhvilluar brenda profesionit dhe punës audituese. Këtë vit Konferenca ka trajtuar temën për kulturën eksperimentale, nga tri këndvështrime: profesioni i auditimit, kultura organizative dhe auditori individual. Punimet e Konferencës, janë zhvilluar në mënyrë interaktive, ku pjesëmarrësit kanë luajtur një rol të rëndësishëm, meqë shkëmbimi i praktikave më të mira në kuadër të EUROSAI-t është një mënyrë e shkëlqyer për të nxitur ambicie të reja tek auditorët dhe për të frymëzuar ata që përmes auditimit të synojnë përmirësimin e proceseve, menaxhimit të mirë dhe transparencës në administratën publike të vendeve të tyre. Aktivitetet e mbajtura nga përfaqësuesit e institucioneve supreme të auditimit kanë përfshirë prezantimin e ideve dhe mundësinë që përfaqësuesit e tjerë të provojnë diçka të re. Në kuadër të diskutimit për temën “Si mund të kontribuojë organizata në një kulturë eksperimentale?” ka prezantuar edhe drejtoresha e Departamentit të Auditimit të Performancës në ZKA, Ariana Gjonbalaj Shala, së bashku me Frida Pemer - Profesor i Asociuar në Departamentin e Menaxhimit dhe Organizimit dhe Shtëpia e Inovacionit në SSE; Michael Henderson - Partner në Distillery, trajner në IDI Young Leadership Development Programme; si dhe Jan Pesl – Përfaqësues nga ISA e Norvegjisë. Gjatë prezantimit në kuadër të këtij paneli përfaqësuesja e ZKA-së, Ariana Gjonbalaj Shala, ka folur për pjesën praktike, duke përshkruar zhvillimin historik të ZKA-së dhe mënyrën se si ka ndryshuar dhe avancuar  kultura organizative ndër vite. Po ashtu ky panel i është përgjigjur interesimit të audiencës dhe organizatorëve të konferencës, duke dhënë përgjigje për pyetjet e parashtruara. Të pranishmit kanë vlerësuar se nga kjo konferencë, kanë përfituar njohuri të reja si dhe  kanë zgjeruar rrjetin e njohjes me auditorë evropianë, duke iu mundësuar kështu shkëmbimi i këshillave rreth sfidave të përbashkëta.
Lexo më shumë