Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/20/2022 2:35:43 PM

Përfaqësuesit e ZKA-së, pjesë e Konferencës “Young EUROSAI Stockholm 2022”

Nga 12 deri më 15 shtator 2022, përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Ariana Gjonbalaj Shala – drejtoreshë e Departamentit të Auditimit të Performancës dhe Alban Beka – Auditor Financiar, kanë marrë pjesë në punimet katër ditore të Konferencës “Young EUROSAI”, e cila u mbajt në Stokholm, nën organizimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë. Kjo konferencë u dedikohet auditorëve të rinj nga të gjitha institucionet supreme të auditimit të Evropës dhe ka për qëllim shkëmbimin e ideve të reja si dhe gjetjen e qasjeve të reja për t'u zhvilluar brenda profesionit dhe punës audituese. Këtë vit Konferenca ka trajtuar temën për kulturën eksperimentale, nga tri këndvështrime: profesioni i auditimit, kultura organizative dhe auditori individual. Punimet e Konferencës, janë zhvilluar në mënyrë interaktive, ku pjesëmarrësit kanë luajtur një rol të rëndësishëm, meqë shkëmbimi i praktikave më të mira në kuadër të EUROSAI-t është një mënyrë e shkëlqyer për të nxitur ambicie të reja tek auditorët dhe për të frymëzuar ata që përmes auditimit të synojnë përmirësimin e proceseve, menaxhimit të mirë dhe transparencës në administratën publike të vendeve të tyre. Aktivitetet e mbajtura nga përfaqësuesit e institucioneve supreme të auditimit kanë përfshirë prezantimin e ideve dhe mundësinë që përfaqësuesit e tjerë të provojnë diçka të re. Në kuadër të diskutimit për temën “Si mund të kontribuojë organizata në një kulturë eksperimentale?” ka prezantuar edhe drejtoresha e Departamentit të Auditimit të Performancës në ZKA, Ariana Gjonbalaj Shala, së bashku me Frida Pemer - Profesor i Asociuar në Departamentin e Menaxhimit dhe Organizimit dhe Shtëpia e Inovacionit në SSE; Michael Henderson - Partner në Distillery, trajner në IDI Young Leadership Development Programme; si dhe Jan Pesl – Përfaqësues nga ISA e Norvegjisë. Gjatë prezantimit në kuadër të këtij paneli përfaqësuesja e ZKA-së, Ariana Gjonbalaj Shala, ka folur për pjesën praktike, duke përshkruar zhvillimin historik të ZKA-së dhe mënyrën se si ka ndryshuar dhe avancuar  kultura organizative ndër vite. Po ashtu ky panel i është përgjigjur interesimit të audiencës dhe organizatorëve të konferencës, duke dhënë përgjigje për pyetjet e parashtruara. Të pranishmit kanë vlerësuar se nga kjo konferencë, kanë përfituar njohuri të reja si dhe  kanë zgjeruar rrjetin e njohjes me auditorë evropianë, duke iu mundësuar kështu shkëmbimi i këshillave rreth sfidave të përbashkëta.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Dy auditore të ZKA-së përfundojnë me sukses trajnimin regjional për auditimet e performancës

Dy auditore të ZKA-së përfundojnë me sukses trajnimin regjional për auditimet e performancës

Në datat 5 – 9 shtator, në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë, në Stokholm është mbajtur moduli i fundit i trajnimit regjional për auditimet e performancës i organizuar për auditorët e Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës, këtë program e kanë ndjekur auditoret Elira Hashani dhe Alba Keqa të cilat edhe janë certifikuar. Ceremonia zyrtare e certifikimit është mbajtur të enjten në Stokholm në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë , me ç’rast Auditorja e Përgjithshme, Helena Lindberg, zyrtarisht ka bërë shpërndarjen e certifikatave. Ky program trajnimi ka filluar në mars të vitit 2021 dhe ka përmbajt shtatë module. Trajnimet janë zbatuar me sukses përmes sesioneve punuese  përfshirë seminare të ndryshme përmes të cilave ekipet kanë punuar drejtpërdrejtë në auditime të performances duke aplikuar metodat kualitative dhe kuantitative, mbajtjen e intervistave, mbledhjen e të dhënave, përcjelljen e auditimit dhe procesin e publikimit të raportit. Përgjatë gjithë programit auditoret kanë qenë nën mentorimin e Udhëheqëses së Ekipit, Fexhrie Thaqi, dhe kanë marrë udhëzime dhe mbështetje nga trajnerët e Zyrës së Auditimit të Suedisë. Programi është përmbyllur me testime të njohurive dhe shkathtësive në auditim të performancës nëse auditoret janë në gjendje që aftësitë e fituara t’i zbatojnë në praktikë. Ky program trajnimi është përmbyllur me mbajtjen e moduleve për udhëheqësit e ekipeve të auditimit të performancës me fokus në hartimin e raportit, teknikat dhe metodologjinë për mbikëqyrjen e auditimit, kontrollin dhe sigurimin e cilësisë në auditim. Gjatë vizitës studimore në Suedi, auditorët e performancës kanë vizituar Parlamentin e Suedisë, ku për së afërmi janë njohur për perspektiven parlamentare për auditimet e performancës dhe aktivitetet e deputetëve lidhur me shqyrtimin e raporteve të auditimit.
Lexo më shumë
ZKA-ja njoftohet për se afërmi me praktikat e vendeve të rajonit për auditimin e fondeve të IPA-së

ZKA-ja njoftohet për se afërmi me praktikat e vendeve të rajonit për auditimin e fondeve të IPA-së

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, dhe Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Safet Berisha, kanë marrë pjesë në Konferencën Rajonale të Autoriteteve të Auditimit për fondet e IPA-s, të organizuar nga Autoriteti i Auditimit të fondeve IPA të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila u mbajt në Shkup. Në kuadër të punimeve dyditore të Konferencës, Autoritetet e Auditimit të Fondeve IPA të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë, Greqisë, Turqisë, Sllovenisë, Bullgarisë dhe Rumanisë kanë prezantuar praktikat e tyre lidhur me mënyrën e auditimit të këtyre fondeve. Gjatë punimeve të konferencës pjesëmarrësit kanë pasur mundësi që të ndajnë përvojat e tyre dhe sfidat në procesin e auditimit të fondeve të Bashkimit Evropian. Pjesëmarrja në këtë Konferencë i ka ofruar mundësinë Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës të njoftohet për së afërmi me praktikat e vendeve pjesëmarrëse në lidhje më procesin e auditimit të fondeve të IPA-s dhe fondeve tjera të Bashkimit Evropian nga vendet përfituese. Në kuadër të kësaj konference Autoriteti i Auditimit të fondeve IPA të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në një ceremoni të veçantë ka shënuar edhe 15-të vjetorin e themelimit.
Lexo më shumë