Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/29/2022 8:08:00 PM

ZKA-ja njoftohet për se afërmi me praktikat e vendeve të rajonit për auditimin e fondeve të IPA-së

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, dhe Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Safet Berisha, kanë marrë pjesë në Konferencën Rajonale të Autoriteteve të Auditimit për fondet e IPA-s, të organizuar nga Autoriteti i Auditimit të fondeve IPA të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila u mbajt në Shkup. Në kuadër të punimeve dyditore të Konferencës, Autoritetet e Auditimit të Fondeve IPA të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë, Greqisë, Turqisë, Sllovenisë, Bullgarisë dhe Rumanisë kanë prezantuar praktikat e tyre lidhur me mënyrën e auditimit të këtyre fondeve. Gjatë punimeve të konferencës pjesëmarrësit kanë pasur mundësi që të ndajnë përvojat e tyre dhe sfidat në procesin e auditimit të fondeve të Bashkimit Evropian. Pjesëmarrja në këtë Konferencë i ka ofruar mundësinë Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës të njoftohet për së afërmi me praktikat e vendeve pjesëmarrëse në lidhje më procesin e auditimit të fondeve të IPA-s dhe fondeve tjera të Bashkimit Evropian nga vendet përfituese. Në kuadër të kësaj konference Autoriteti i Auditimit të fondeve IPA të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në një ceremoni të veçantë ka shënuar edhe 15-të vjetorin e themelimit.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Përfaqësuesit e ZKA-së, pjesë e Konferencës “Young EUROSAI Stockholm 2022”

Përfaqësuesit e ZKA-së, pjesë e Konferencës “Young EUROSAI Stockholm 2022”

Nga 12 deri më 15 shtator 2022, përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Ariana Gjonbalaj Shala – drejtoreshë e Departamentit të Auditimit të Performancës dhe Alban Beka – Auditor Financiar, kanë marrë pjesë në punimet katër ditore të Konferencës “Young EUROSAI”, e cila u mbajt në Stokholm, nën organizimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë. Kjo konferencë u dedikohet auditorëve të rinj nga të gjitha institucionet supreme të auditimit të Evropës dhe ka për qëllim shkëmbimin e ideve të reja si dhe gjetjen e qasjeve të reja për t'u zhvilluar brenda profesionit dhe punës audituese. Këtë vit Konferenca ka trajtuar temën për kulturën eksperimentale, nga tri këndvështrime: profesioni i auditimit, kultura organizative dhe auditori individual. Punimet e Konferencës, janë zhvilluar në mënyrë interaktive, ku pjesëmarrësit kanë luajtur një rol të rëndësishëm, meqë shkëmbimi i praktikave më të mira në kuadër të EUROSAI-t është një mënyrë e shkëlqyer për të nxitur ambicie të reja tek auditorët dhe për të frymëzuar ata që përmes auditimit të synojnë përmirësimin e proceseve, menaxhimit të mirë dhe transparencës në administratën publike të vendeve të tyre. Aktivitetet e mbajtura nga përfaqësuesit e institucioneve supreme të auditimit kanë përfshirë prezantimin e ideve dhe mundësinë që përfaqësuesit e tjerë të provojnë diçka të re. Në kuadër të diskutimit për temën “Si mund të kontribuojë organizata në një kulturë eksperimentale?” ka prezantuar edhe drejtoresha e Departamentit të Auditimit të Performancës në ZKA, Ariana Gjonbalaj Shala, së bashku me Frida Pemer - Profesor i Asociuar në Departamentin e Menaxhimit dhe Organizimit dhe Shtëpia e Inovacionit në SSE; Michael Henderson - Partner në Distillery, trajner në IDI Young Leadership Development Programme; si dhe Jan Pesl – Përfaqësues nga ISA e Norvegjisë. Gjatë prezantimit në kuadër të këtij paneli përfaqësuesja e ZKA-së, Ariana Gjonbalaj Shala, ka folur për pjesën praktike, duke përshkruar zhvillimin historik të ZKA-së dhe mënyrën se si ka ndryshuar dhe avancuar  kultura organizative ndër vite. Po ashtu ky panel i është përgjigjur interesimit të audiencës dhe organizatorëve të konferencës, duke dhënë përgjigje për pyetjet e parashtruara. Të pranishmit kanë vlerësuar se nga kjo konferencë, kanë përfituar njohuri të reja si dhe  kanë zgjeruar rrjetin e njohjes me auditorë evropianë, duke iu mundësuar kështu shkëmbimi i këshillave rreth sfidave të përbashkëta.
Lexo më shumë
Kosova dhe Maqedonia e Veriut angazhohen për rritjen e ndikimit të auditimit të jashtëm për menaxhim më të mirë të financave publike

Kosova dhe Maqedonia e Veriut angazhohen për rritjen e ndikimit të auditimit të jashtëm për menaxhim më të mirë të financave publike

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pritur të premten për vizitë bilaterale Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski. Me këtë rast, Auditorja e Përgjithshme, e ka njoftuar homologun e saj, për zhvillimet e fundit në Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe planet për te ardhmen, në veçanti për procesin e auditimit dhe Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2022/2023, i cili është mjaftë ambicioz dhe përfshin tema të rëndësishme që janë me interes për vendin dhe qytetarët. Znj. Spanca, ka shprehur përkushtimin e saj për vazhdim të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, në arritjen e objektivave dhe rezultateve të mëtutjeshme. Ajo, ka rikujtuar se ZKA-ja dhe Enti Shtetëror i Revizionit të Maqedonisë së Veriut, kanë pasur bashkëpunim në vazhdimësi, dhe ky bashkëpunim është forcuar edhe më tutje me nënshkrimin e marrëveshje së bashkëpunimit, e cila i ka shërbyer ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe modernizimit të dyja institucioneve. Nga ana tjetër Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski, ka falënderuar homologen e tij për mikpritjen, si dhe ka rikonfirmuar përkushtimin personal dhe institucional për thellimin e mëtutjeshëm të raporteve në mes të dy institucioneve. Z. Acevski, gjithashtu ka prezantuar zhvillimet më të fundit në Entin Shtetëror të Revizionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë në angazhimet e institucionit që udhëheqë, për t’i ofruar Parlamentit dhe palëve tjera të ineteresit informacion të bazuar dhe të besueshëm se si po menaxhohen fondet publike. Në këtë rast, palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët me qëllim të ngritjes së mëtejme të kapaciteteve profesionale dhe të rritjes së ndikimit në menaxhimin më të mirë të financave publike në të dy vendet. Në fokus të këtij bashkëpunimi do të jetë shkëmbimi  i përvojës  në fushën e metodologjisë së auditimit të jashtëm, trajnime të përbashkëta profesionale, si dhe mbajtja e konsultimeve,  hulumtimeve, seminareve, e konferencave të përbashkëta. Në këtë vizitë Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski, ka qenë i shoqëruar nga Zëvendës Auditor i Përgjithshëm, Orhan Ademi; Ndihmës Auditorja e Përgjithshme,  Tanja Janevska, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Rosica Shalevikj Hristovska, Udhëheqësja e Auditimit, Maja Jovanovska Cvetkovski, Auditorja kryesore, Albiona Mustafa Muhadjiri, si dhe auditorja Katerina Terzioska. Ndërsa Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Qerkin Morina, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Emine Fazliu, dhe drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj.        
Lexo më shumë