Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/21/2022 5:35:32 PM

Komunikimi me media dhe publikun i rëndësishëm për ZKA-në

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) duke qenë e vetëdijshme për rëndësinë e komunikimit me mediat dhe publikun për të promovuar dhe përmbushur transparencën dhe llogaridhënien, në vazhdimësi angazhohet që të avancojë qasjen e komunikimit sa më efektiv. Për të realizuar këtë synim dhe për të qenë më afër publikut, menaxhmenti i lartë i ZKA-së ka ndjekur trajnimin treditor të organizuar nga OSBE-ja me temën “Komunikimi me media dhe marrëdhëniet me publikun”. Përmes kësaj ngjarje, Menaxhmenti ka pasur mundësinë që të zgjerojë njohuritë për rëndësinë dhe metodat e komunikimit me publikun dhe me palët e interesit, si dhe zhvillimin e aftësive për të folurit në publik dhe paraqitjen adekuate. Gjithashtu rendësi e veçantë i është kushtuar edhe pranisë së ZKA-së në mediat sociale, në mënyrë që përmes tyre të promovohet roli kushtetues i ZKA-së dhe ngritja e vetëdijesimit publik për rezultatet e auditimit si burime të besueshme për përmirësimin e qeverisjes në sektorin publik. Fokus i veçantë i është kushtuar përdorimit të metodave më inovative për të rritur komunikimin efektiv me gazetarët dhe publikun si dhe vizualizimit të  raporteve të auditimit dhe prezantimit të mesazheve te publiku, me qëllim që të arrihet objektiva e synuar, në theks rritja e transparencës dhe besimi në institucion. Menaxhmenti i ZKA-së ka vlerësuar se komunikimi efektiv me palët e jashtme dhe me publikun, përveç që e ndihmon institucionin që t’i ofrojë publikut të gjerë njohuri më të mira për rolin dhe mandatin e saj, po ashtu e ndihmon edhe të kuptojë pritshmëritë e palëve të interesit. Prandaj, përveç komunikimit të rezultateve të punës së saj, ZKA-ja ruan kanale të hapura për palët e saj të interesit dhe sidomos për opinionin publik që të marrë reagimet e tyre dhe iniciativa për punën e saj në të ardhmen, në mënyrë që t’i përgjigjet më mirë nevojave të publikut.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Raporti i Progresit për Kosovën kërkon nga institucionet publike angazhim sistematik për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm

Raporti i Progresit për Kosovën kërkon nga institucionet publike angazhim sistematik për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm

Puna dhe rezultatet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës janë adresuar në Raportin e Progresit për Kosovën i publikuar të mërkurën nga Komisioni Evropian në kuadër të Pakos së Zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE). Një prej çështjeve të adresuara në këtë Raport, është theksuar nevoja për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit. Tutje është thënë se këto ndryshime do të mundësonin rritjen e numrit të auditimeve të ndërmarrjeve publike dhe auditimeve të performancës. “Në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, korniza kushtetuese dhe ligjore e Kosovës parasheh funksionimin organizativ dhe pavarësinë financiare të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Ligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës duhet të ndryshohet, për të hequr obligimin për të kryer auditime të rregullsisë çdo vit për të gjitha organizatat buxhetore, pavarësisht nga madhësia e tyre, kompleksiteti dhe rreziku në mënyrë që auditimet të përzgjidhen bazuar në vlerësimin e nivelit të rrezikut të financave publike. Këto ndryshime do të rrisnin numrin e auditimeve të ndërmarrjeve publike dhe auditimeve të performancës”, është thënë në Raport. Në Raport është theksuar se është shënuar një rritje prej pesë për qind e zbatimit të rekomandimeve të auditimit, nga 45 për qind sa ka qenë në vitin paraprak, në 50 për qind në 2020.  Megjithatë, është kërkuar nga Qeveria dhe institucionet tjera publike angazhim më i madh që të sigurojnë një përcjellje sistematike për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm. Ndër të tjera, Komisioni Evropian ka vlerësuar institucionet e pavarura, veçanërisht Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe Avokatin e Popullit, për adresimin e të drejtës së qytetarëve për administrim më të mirë, megjithatë është potencuar se rekomandimet e këtyre institucioneve nuk po zbatohen në mënyrë efikase nga institucionet publike. Në Raport është vlerësuar edhe bashkëpunimi i ZKA-së me Kuvendin e Kosovës, përkatësisht shqyrtimi i raporteve të auditimit nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP). “Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar 25 raporte të auditimit, prej të cilave 6 raporte të ministrive, 9 raporte të auditimit të performancës dhe 7 raporte të ndërmarrjeve publike”, është thënë në raport. Po ashtu është vlerësuar rritja e numrit të auditimeve të performancës, bashkëpunimi me shoqërinë civile, si dhe qëndrueshmëria e ZKA-së sa i përket kapacitetit të resurseve njerëzore. “Kapaciteti institucional i Zyrës mbetet kryesisht i qëndrueshëm me 165 punonjës deri në fund të vitit 2021, prej të cilëve 82% janë staf auditues duke përfshirë pozitat drejtuese dhe 18% janë staf  profesional. Zyra ka finalizuar 14 raporte të auditimit të performancës, krahasuar me 11 në vitin 2020. Ajo ka punuar me organizatat e shoqërisë civile, veçanërisht në nivel lokal, për të përmirësuar ndikimin e punës së auditimit përmes mbajtjes së debateve publike në komuna për rekomandimet e auditimit”, është theksuar më tutje në këtë Raport. Gjithashtu vëmendje i është kushtuar edhe hartimit të Planit Strategjik të Zyrës Kombëtare të Auditimit 2022-2025  dhe objektivave të këtij plani përfshirë kontrollin dhe sigurimin e cilësisë në auditim si dhe certifikimin e stafit auditues.
Lexo më shumë
Digjitalizimi i shërbimeve dhe administratës sjell përfitime për shoqërinë dhe përshpejton proceset

Digjitalizimi i shërbimeve dhe administratës sjell përfitime për shoqërinë dhe përshpejton proceset

Digjitalizimi i procesit të shërbimeve publike në komuna ndihmon autoritetet vendore të bëhen më efikase dhe mundëson që më shumë qytetarë të kenë qasje në këto shërbime. Kështu është thënë në seminarin me temën: “Digjitalizimi i ofrimit dhe administrimit të shërbimeve publike në komuna” që është mbajtur të mërkurën dhe të enjten në Vilnius të Lituanisë nën organizimin e Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Lituanisë, në të cilin pjesëmarrës kanë qenë edhe përfaqësues nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës. Po ashtu është mbajtur edhe takimi i 6-të vjetor i Taskë Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave. Në seminar kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit nga vendet evropiane, përfshirë edhe auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Bujar Bajraktari, Arian Zeneli dhe Elvir Krasniqi. Diskutimi i të pranishmëve në këtë seminar i është dedikuar shkëmbimit të njohurive dhe përvojave mbi ecurinë e digjitalizimit të shërbimeve publike komunale të vendeve evropiane, çështjeve kyçe që ndikojnë në përshpejtimin e këtij procesi në nivel lokal dhe rezultateve të auditimeve të kryera në këtë fushë. Po ashtu është potencuar fakti se pandemia Covid-19 përveç që ka qenë sfidë, ka qenë edhe një katalizator për digjitalizimin e shërbimeve të ndryshme publike, përfshirë punën e komunave. Prandaj, është theksuar se digjitalizimi i shërbimeve dhe administratës sjell përfitime për shoqërinë, pasi rrit efikasitetin dhe përshpejton proceset në nivel lokal dhe qendror. Ndërsa në kuadër të takimit të 6-të vjetor diskutimi i pjesëmarrësve është fokusuar në zbatimin e qëllimeve strategjike të Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave, në aktivitetet e realizuara deri më tani, si dhe në iniciativat e reja.
Lexo më shumë