Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/21/2022 4:51:47 PM

Digjitalizimi i shërbimeve dhe administratës sjell përfitime për shoqërinë dhe përshpejton proceset

Digjitalizimi i procesit të shërbimeve publike në komuna ndihmon autoritetet vendore të bëhen më efikase dhe mundëson që më shumë qytetarë të kenë qasje në këto shërbime. Kështu është thënë në seminarin me temën: “Digjitalizimi i ofrimit dhe administrimit të shërbimeve publike në komuna” që është mbajtur të mërkurën dhe të enjten në Vilnius të Lituanisë nën organizimin e Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Lituanisë, në të cilin pjesëmarrës kanë qenë edhe përfaqësues nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës. Po ashtu është mbajtur edhe takimi i 6-të vjetor i Taskë Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave. Në seminar kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit nga vendet evropiane, përfshirë edhe auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Bujar Bajraktari, Arian Zeneli dhe Elvir Krasniqi. Diskutimi i të pranishmëve në këtë seminar i është dedikuar shkëmbimit të njohurive dhe përvojave mbi ecurinë e digjitalizimit të shërbimeve publike komunale të vendeve evropiane, çështjeve kyçe që ndikojnë në përshpejtimin e këtij procesi në nivel lokal dhe rezultateve të auditimeve të kryera në këtë fushë. Po ashtu është potencuar fakti se pandemia Covid-19 përveç që ka qenë sfidë, ka qenë edhe një katalizator për digjitalizimin e shërbimeve të ndryshme publike, përfshirë punën e komunave. Prandaj, është theksuar se digjitalizimi i shërbimeve dhe administratës sjell përfitime për shoqërinë, pasi rrit efikasitetin dhe përshpejton proceset në nivel lokal dhe qendror. Ndërsa në kuadër të takimit të 6-të vjetor diskutimi i pjesëmarrësve është fokusuar në zbatimin e qëllimeve strategjike të Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave, në aktivitetet e realizuara deri më tani, si dhe në iniciativat e reja.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Komunikimi me media dhe publikun i rëndësishëm për ZKA-në

Komunikimi me media dhe publikun i rëndësishëm për ZKA-në

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) duke qenë e vetëdijshme për rëndësinë e komunikimit me mediat dhe publikun për të promovuar dhe përmbushur transparencën dhe llogaridhënien, në vazhdimësi angazhohet që të avancojë qasjen e komunikimit sa më efektiv. Për të realizuar këtë synim dhe për të qenë më afër publikut, menaxhmenti i lartë i ZKA-së ka ndjekur trajnimin treditor të organizuar nga OSBE-ja me temën “Komunikimi me media dhe marrëdhëniet me publikun”. Përmes kësaj ngjarje, Menaxhmenti ka pasur mundësinë që të zgjerojë njohuritë për rëndësinë dhe metodat e komunikimit me publikun dhe me palët e interesit, si dhe zhvillimin e aftësive për të folurit në publik dhe paraqitjen adekuate. Gjithashtu rendësi e veçantë i është kushtuar edhe pranisë së ZKA-së në mediat sociale, në mënyrë që përmes tyre të promovohet roli kushtetues i ZKA-së dhe ngritja e vetëdijesimit publik për rezultatet e auditimit si burime të besueshme për përmirësimin e qeverisjes në sektorin publik. Fokus i veçantë i është kushtuar përdorimit të metodave më inovative për të rritur komunikimin efektiv me gazetarët dhe publikun si dhe vizualizimit të  raporteve të auditimit dhe prezantimit të mesazheve te publiku, me qëllim që të arrihet objektiva e synuar, në theks rritja e transparencës dhe besimi në institucion. Menaxhmenti i ZKA-së ka vlerësuar se komunikimi efektiv me palët e jashtme dhe me publikun, përveç që e ndihmon institucionin që t’i ofrojë publikut të gjerë njohuri më të mira për rolin dhe mandatin e saj, po ashtu e ndihmon edhe të kuptojë pritshmëritë e palëve të interesit. Prandaj, përveç komunikimit të rezultateve të punës së saj, ZKA-ja ruan kanale të hapura për palët e saj të interesit dhe sidomos për opinionin publik që të marrë reagimet e tyre dhe iniciativa për punën e saj në të ardhmen, në mënyrë që t’i përgjigjet më mirë nevojave të publikut.
Lexo më shumë
Proceset e rekrutimit të pavarura, profesionale dhe sipas meritës

Proceset e rekrutimit të pavarura, profesionale dhe sipas meritës

Punonjës të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës kanë ndjekur trajnimin nga projekti i Ambasadës të Britanisë së Madhe në Republikën e Kosovës, i implementuar nga BDO. Fokusi kryesor i këtij trajnimi ishte të barten përvojat dhe praktikat e Britanisë se Madhe më njohuri se si të zhvillohen proceset e rekrutimit të pavarura, profesionale dhe të bazuara në meritë, si dhe rritjen e vetëdijes institucionale për të konsoliduar transparencën, meritokracinë dhe qeverisjen e mirë. Qëllimi i këtij trajnimi ka qenë përkrahja e ZKA-së në ngritjen e kapaciteteve të veta për të siguruar se institucioni do të kryej procese të rekrutimit të bazuara në rregulla dhe duke respektuar parime dhe kritere të sakta dhe të drejta, përmes se cilave promovohet konkurrenca dhe përzgjedhja objektive. Përmes kësaj të jetë në gjendje të zgjedhë drejtues të fortë, të pavarur dhe profesional përmes një procesi të drejtë dhe transparent të rekrutimit. Në trajnim morën pjesë zyrtarë të niveleve të ndryshme të ZKA-së, nga ai i auditorëve e deri të menaxhmenti i mesëm dhe i lartë drejtues.
Lexo më shumë