Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/15/2022 5:48:26 PM

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike i Kuvendit shqyrtoi Planin Vjetor të Auditimit 2022/23, Auditorja e Përgjithshme zotohet për auditime cilësore dhe me interes për qytetarët

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) në mbledhjen e së martës ka shqyrtuar Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2022/23 të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, para anëtarëve të Komisionit e ka prezantuar në detaje këtë Plan si dhe ka dhënë shpjegimet e nevojshme. Me këtë rast znj. Spanca ka bërë me dije se misioni i saj është që t’i sigurojë Kuvendit të Kosovës, autoriteteve tjera dhe qytetarëve, informacion objektiv dhe të pavarur mbi funksionimin e institucioneve publike lidhur me menaxhimin e financave publike. “Mbi këtë bazë, çështje e padiskutueshme është kryerja e auditimeve cilësore në përputhje me legjislacionin në fuqi, Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe me interes për Kuvendin e qytetarët”, është shprehur ajo. Auditorja e Përgjithshme, i ka informuar deputetët se Plani Vjetor i Auditimit 2022/23 është përgatitur duke pas parasysh kapacitetet ekzistuese njerëzore dhe financiare të ZKA-së të cilat ende nuk janë të mjaftueshme për të përmbush nevojat dhe pritjet. Znj. Spanca, ka treguar se për sezonin auditues 2022/23 janë planifikuar 134 auditime. Prej të cilave, 113 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë që mbulojnë pasqyrat financiare për vitin 2022, duke filluar nga auditimi i Raportit vjetor financiar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasqyrave financiare për institucionet publike, ministritë, institucionet e pavarura, komunat, ndërmarrjet publike si dhe fondet e donatorëve. Në planin e auditimit janë përfshirë 11 Ndërmarrje Publike, prej tyre 5 janë nga niveli qendror, 2 regjionale si dhe 4  nga niveli lokal. Po ashtu Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se për dallim nga vitet e mëparshme për herë të parë është përfshirë edhe auditimi i Pasqyrave Financiare të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ndërsa sa i përket auditimeve të performancës, Auditorja e Përgjithshme ka treguar se janë planifikuar 18 auditime të kësaj fushe, disa prej tyre me kombinim të pajtueshmërisë. Znj. Spanca, ka thënë se përmes këtyre auditimeve mbulohen fusha me rëndësi ekonomike, sociale, shëndetësore, arsimore, mediale, kulturore e sportive, si dhe tema të rëndësishme në prokurim publik, projekte nga donatoret, si dhe auditime të sistemeve të informacionit. Përzgjedhja e temave të performancës është bërë më kontributin e Shoqërisë Civile, organizatave profesionale, komunitetit të donatorëve dhe ekspertëve të fushave. Në Planin vjetor të auditimit janë përfshirë dy tema si rezultat i propozimeve të tyre. Gjatë vitit 2022, ZKA për herë të parë ka pranuar dhe ka marrë në konsideratë raportime të ndryshme nga palët e jashtme, në veçanti nga qytetarët e Kosovës (21 raportime). ZKA, i ka adresuar këto raportime tek ekipet e auditimit për trajtim të mëtutjeshëm, si dhe ka përfshirë një temë audituese në fushën e performancës. Në lidhje më ketë, Auditorja e Përgjithshme i falënderon qytetarët e Republikës se Kosovës për besueshmërinë që kanë treguar për Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe inkurajon ata që të ofrojnë informacione kurdo që vlerësojnë që ka parregullsi, mos pajtueshmëri më ligjin apo potencial për mashtrim. “Kësisoj sepse, përveç që do të na ndihmojnë neve si Institucion, do ti ndihmojnë edhe mirëqenies se tyre në të ardhmen”, ka theksuar znj. Spanca. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në bazë të mandatit kushtetues dhe ligjor ka  shprehur përkushtimin e saj dhe të ZKA-së që në mënyrë rigoroze të zbatoj standardet ndërkombëtare të auditimit përmes dhënies se opinioneve për pasqyra financiare të cilat duhet të reflektojnë gjendjen e vërtetë, të drejtë dhe të saktë të informatave financiare. Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2022/23 mund ta gjeni këtu.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja dhe KLSH-ja vazhdojnë aktivitetet lidhur me auditimin paralel në fushën e teknologjisë së informacionit

ZKA-ja dhe KLSH-ja vazhdojnë aktivitetet lidhur me auditimin paralel në fushën e teknologjisë së informacionit

Një delegacion i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës në përbërje të Ndihmës Auditores së Përgjithshme për auditime të performancës, Myrvete Gashi Morina, drejtorit të Departamentit të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit, Samir Zymberi, si dhe auditoret Saranda Husaj Baraliu, Arbërore Sheremeti dhe Arlinda Mustafa, kanë qëndruar për vizitë studimore dy ditore në Kontrollin e Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë (KLSH). Kjo vizitë ka qenë vazhdimësi e aktiviteteve në kuadër të auditimit paralel të Teknologjisë së Informacionit për sistemet e informacionit të ujësjellësit në Tiranë dhe Prishtinë. Ekipet e auditimit nga të dyja institucionet kanë prezantuar rezultatet e fazës së parastudimit lidhur me auditimin paralel që është duke u zhvilluar, si dhe kanë diskutuar për fazat vijuese të këtij procesi të auditimit në mes të KLSH-së dhe ZKA-së. Në kuadër të kësaj vizite ekipet e auditimit kanë zhvilluar një vizitë pune në  Ujësjellësin e Tiranës, ku janë informuar rreth procesit auditues dhe detajeve të tjera nga drejtuesit e këtij institucioni. Auditimi paralel në mes të KLSH-së dhe ZKA-së përveç që forcon bashkëpunimin në mes të dy institucioneve, ka rol në shkëmbimin e përvojave në fushën e auditimeve të teknologjisë së informacionit si dhe ndikon në përmirësimin e menaxhimit të sistemeve të informacionit për ujësjellësit në Shqipëri dhe Kosovë.
Lexo më shumë
Projektet e financuara nga Granti i Performancës Komunale 2018-2021 do t’i nënshtrohen procesit të auditimit

Projektet e financuara nga Granti i Performancës Komunale 2018-2021 do t’i nënshtrohen procesit të auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin me temën “Projektet e financuara nga Grantet e Perfomancës Komunale (GPK)”. Fokus kryesor i këtij auditimi është vlerësimi i mënyrës së financimit të grantit dhe mënyra e menaxhimit të projekteve të financuara nga ky grant. Auditimi do të analizoj edhe gjithëpërfshirjen e qytetarëve në këto procese investive, me theks grupet e margjinalizuara. Mjetet e planifikuara për GPK për vitet 2018 – 2021 ishin rreth 14 milionë euro dhe janë financuar rreth 190 projekte në komunat e Republikës së Kosovës. Në vitin 2021 nga 38 komuna të  Kosovës, 21 prej tyre i kanë përmbushur kushtet minimale për t’u kualifikuar dhe për të përfituar nga ky grant. Shuma e përgjithshme e disponueshme për vitin 2021 ishte rreth 4.35 milionë euro. Menaxhimi i projekteve të financuara nga ky grant duhet të jetë në pajtim me legjislacionin vendor, me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, si dhe të sigurojë se projektet në të cilat investojnë komunat ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Përmes këtij auditimi ZKA-ja synon të vlerësojë funksionimin e sistemit të Grantit të Performancës Komunale përgjatë viteve 2018-2021. Po ashtu, do të vlerësojë nëse menaxhimi dhe efektiviteti i projekteve të financuara nga Donatorët[1]  për vitin fiskal 2021 është bërë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe ka arritur rezultatet e synuara. Fushëveprimi i këtij auditimi shtrihet në analizimin e funksionimit të sistemit të shpërndarjes së granteve përgjatë viteve 2018-2021 nga Donatorët dhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pastaj auditimi i gjashtë projekteve në komunat (Drenas, Lipjan, Vushtrri dhe Skenderaj), arsyet e mos shpenzimit të fondeve nga ky grant në komunat (Mitrovicë e Jugut, Leposaviq dhe Shtërpcë), ndërsa në komunat Peje dhe Prizren do të vlerësohet kthimi i fondeve. Ky auditim synon të ofrojë rekomandime relevante me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të projekteve kapitale të Grantit të Performancës Komunale si dhe përfshirjes sa më të madhe të qytetarëve. Auditimi “Projektet e financuara nga Grantet e Perfomancës Komunale (GPK) është kërkesë nga HSIK/DEMOS si përfaqësuese e qeverisë zvicerane, e cila ka lidhur kontratë me Zyrën Kombëtare të Auditimit. Me auditimin e këtyre projekteve ZKA-ja synon të ofrojë një pasqyrë të përgjithshme për donatorin dhe qytetarët se si po shpenzohen këto mjete. Po ashtu, me këtë auditim ZKA synon të rris llogaridhënien dhe transparencën në shpenzimin e këtyre fondeve. [1] Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, Shteti i Norvegjisë
Lexo më shumë