Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/16/2022 5:24:09 PM

Projektet e financuara nga Granti i Performancës Komunale 2018-2021 do t’i nënshtrohen procesit të auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin me temën “Projektet e financuara nga Grantet e Perfomancës Komunale (GPK)”. Fokus kryesor i këtij auditimi është vlerësimi i mënyrës së financimit të grantit dhe mënyra e menaxhimit të projekteve të financuara nga ky grant. Auditimi do të analizoj edhe gjithëpërfshirjen e qytetarëve në këto procese investive, me theks grupet e margjinalizuara. Mjetet e planifikuara për GPK për vitet 2018 – 2021 ishin rreth 14 milionë euro dhe janë financuar rreth 190 projekte në komunat e Republikës së Kosovës. Në vitin 2021 nga 38 komuna të  Kosovës, 21 prej tyre i kanë përmbushur kushtet minimale për t’u kualifikuar dhe për të përfituar nga ky grant. Shuma e përgjithshme e disponueshme për vitin 2021 ishte rreth 4.35 milionë euro. Menaxhimi i projekteve të financuara nga ky grant duhet të jetë në pajtim me legjislacionin vendor, me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, si dhe të sigurojë se projektet në të cilat investojnë komunat ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Përmes këtij auditimi ZKA-ja synon të vlerësojë funksionimin e sistemit të Grantit të Performancës Komunale përgjatë viteve 2018-2021. Po ashtu, do të vlerësojë nëse menaxhimi dhe efektiviteti i projekteve të financuara nga Donatorët[1]  për vitin fiskal 2021 është bërë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe ka arritur rezultatet e synuara. Fushëveprimi i këtij auditimi shtrihet në analizimin e funksionimit të sistemit të shpërndarjes së granteve përgjatë viteve 2018-2021 nga Donatorët dhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pastaj auditimi i gjashtë projekteve në komunat (Drenas, Lipjan, Vushtrri dhe Skenderaj), arsyet e mos shpenzimit të fondeve nga ky grant në komunat (Mitrovicë e Jugut, Leposaviq dhe Shtërpcë), ndërsa në komunat Peje dhe Prizren do të vlerësohet kthimi i fondeve. Ky auditim synon të ofrojë rekomandime relevante me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të projekteve kapitale të Grantit të Performancës Komunale si dhe përfshirjes sa më të madhe të qytetarëve. Auditimi “Projektet e financuara nga Grantet e Perfomancës Komunale (GPK) është kërkesë nga HSIK/DEMOS si përfaqësuese e qeverisë zvicerane, e cila ka lidhur kontratë me Zyrën Kombëtare të Auditimit. Me auditimin e këtyre projekteve ZKA-ja synon të ofrojë një pasqyrë të përgjithshme për donatorin dhe qytetarët se si po shpenzohen këto mjete. Po ashtu, me këtë auditim ZKA synon të rris llogaridhënien dhe transparencën në shpenzimin e këtyre fondeve. [1] Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, Shteti i Norvegjisë

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike i Kuvendit shqyrtoi Planin Vjetor të Auditimit 2022/23, Auditorja e Përgjithshme zotohet për auditime cilësore dhe me interes për qytetarët

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike i Kuvendit shqyrtoi Planin Vjetor të Auditimit 2022/23, Auditorja e Përgjithshme zotohet për auditime cilësore dhe me interes për qytetarët

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) në mbledhjen e së martës ka shqyrtuar Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2022/23 të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, para anëtarëve të Komisionit e ka prezantuar në detaje këtë Plan si dhe ka dhënë shpjegimet e nevojshme. Me këtë rast znj. Spanca ka bërë me dije se misioni i saj është që t’i sigurojë Kuvendit të Kosovës, autoriteteve tjera dhe qytetarëve, informacion objektiv dhe të pavarur mbi funksionimin e institucioneve publike lidhur me menaxhimin e financave publike. “Mbi këtë bazë, çështje e padiskutueshme është kryerja e auditimeve cilësore në përputhje me legjislacionin në fuqi, Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe me interes për Kuvendin e qytetarët”, është shprehur ajo. Auditorja e Përgjithshme, i ka informuar deputetët se Plani Vjetor i Auditimit 2022/23 është përgatitur duke pas parasysh kapacitetet ekzistuese njerëzore dhe financiare të ZKA-së të cilat ende nuk janë të mjaftueshme për të përmbush nevojat dhe pritjet. Znj. Spanca, ka treguar se për sezonin auditues 2022/23 janë planifikuar 134 auditime. Prej të cilave, 113 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë që mbulojnë pasqyrat financiare për vitin 2022, duke filluar nga auditimi i Raportit vjetor financiar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasqyrave financiare për institucionet publike, ministritë, institucionet e pavarura, komunat, ndërmarrjet publike si dhe fondet e donatorëve. Në planin e auditimit janë përfshirë 11 Ndërmarrje Publike, prej tyre 5 janë nga niveli qendror, 2 regjionale si dhe 4  nga niveli lokal. Po ashtu Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se për dallim nga vitet e mëparshme për herë të parë është përfshirë edhe auditimi i Pasqyrave Financiare të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ndërsa sa i përket auditimeve të performancës, Auditorja e Përgjithshme ka treguar se janë planifikuar 18 auditime të kësaj fushe, disa prej tyre me kombinim të pajtueshmërisë. Znj. Spanca, ka thënë se përmes këtyre auditimeve mbulohen fusha me rëndësi ekonomike, sociale, shëndetësore, arsimore, mediale, kulturore e sportive, si dhe tema të rëndësishme në prokurim publik, projekte nga donatoret, si dhe auditime të sistemeve të informacionit. Përzgjedhja e temave të performancës është bërë më kontributin e Shoqërisë Civile, organizatave profesionale, komunitetit të donatorëve dhe ekspertëve të fushave. Në Planin vjetor të auditimit janë përfshirë dy tema si rezultat i propozimeve të tyre. Gjatë vitit 2022, ZKA për herë të parë ka pranuar dhe ka marrë në konsideratë raportime të ndryshme nga palët e jashtme, në veçanti nga qytetarët e Kosovës (21 raportime). ZKA, i ka adresuar këto raportime tek ekipet e auditimit për trajtim të mëtutjeshëm, si dhe ka përfshirë një temë audituese në fushën e performancës. Në lidhje më ketë, Auditorja e Përgjithshme i falënderon qytetarët e Republikës se Kosovës për besueshmërinë që kanë treguar për Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe inkurajon ata që të ofrojnë informacione kurdo që vlerësojnë që ka parregullsi, mos pajtueshmëri më ligjin apo potencial për mashtrim. “Kësisoj sepse, përveç që do të na ndihmojnë neve si Institucion, do ti ndihmojnë edhe mirëqenies se tyre në të ardhmen”, ka theksuar znj. Spanca. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në bazë të mandatit kushtetues dhe ligjor ka  shprehur përkushtimin e saj dhe të ZKA-së që në mënyrë rigoroze të zbatoj standardet ndërkombëtare të auditimit përmes dhënies se opinioneve për pasqyra financiare të cilat duhet të reflektojnë gjendjen e vërtetë, të drejtë dhe të saktë të informatave financiare. Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2022/23 mund ta gjeni këtu.  
Lexo më shumë
Një numër i institucioneve publike nuk e kanë respektuar afatin ligjor për dorëzimin e planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve, disa prej tyre nuk i kanë dorëzuar fare

Një numër i institucioneve publike nuk e kanë respektuar afatin ligjor për dorëzimin e planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve, disa prej tyre nuk i kanë dorëzuar fare

Rekomandimet e auditimit kanë për qëllim që t’i ndihmojnë institucionet publike të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin kontrollet për menaxhimin e parasë publike Organizatat buxhetore që i nënshtrohen procesit të auditimit e kanë obligim ligjor që brenda 30 ditëve pas pranimit të raportit të auditimit t’i dorëzojnë në Zyrën Kombëtare të Auditimit planet e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm, megjithatë dhjetëra prej tyre nuk e kanë respektuar afatin e përcaktuar, e disa prej tyre nuk i kanë dorëzuar fare. Sa i përket auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë, nga institucionet që kanë qenë subjekt i auditimit, nëntë (9) prej tyre nuk i kanë dorëzuar planet e veprimit brenda afatit të përcaktuar. Kurse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) si dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) nuk i kanë dërguar fare planet e veprimit. Me vonesë planet e veprimit i kanë dorëzuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve; Ministria e Shëndetësisë; Ministria për Komunitete dhe Kthim; Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës; Posta e Kosovës, Kompania Regjionale për Mbeturina “Pastrimi”; Ngrohtorja Qendrore “Termokos”; Ndërmarrja Publike Hekurudhat e Kosovës – INFRAKOS; Ndërmarrja Publike Banesore; si dhe Komuna e Prishtinës. Ndërsa gjendje më e keqe për sa i përket këtyre planeve është tek auditimet e performancës, për shkak se shumica e entiteteve që i janë nënshtruar procesit të auditimit, katërmbëdhjetë (14) sosh nuk i kanë dërguar fare planet e veprimit për adresimin e rekomandimeve, kurse dy (2) i kanë dorëzuar me vonesë. Për raportin e auditimit “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”, planet e veprimit nuk i kanë dorëzuar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI); Komuna e Prizrenit; Komuna e Istogut si dhe Komuna e Novobërdës. Kurse për raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra” këtë plan nuk e ka dorëzuar Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Ndërkaq për raportet e auditimit “Furnizimi me barëra dhe materiale shëndetësore për t'iu përgjigjur nevojave të pacientëve me Covid-19” dhe “Optimizimi i resurseve njerëzore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me Covid-19” planet e veprimit nuk janë dorëzuar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës. Sa i përket auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil” plani i veprimit nuk është dërguar nga Komuna e Prishtinës, ndërsa me vonesë plani i veprimit është dërguar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Lidhur me raportin e auditimit “Auditim përcjellës për rekomandimet e dhëna për SIMFK-në në Raportin Vjetor të Auditimit 2020 për pjesën e TI-së” planin e rishikuar e ka dorëzuar me vonesë Thesari. Kurse për auditimin “Menaxhimi i projektit bashkimi i qytetit të Ferizajt” planin e veprimit nuk e ka dërguar Komuna e Ferizajt. Për auditimin “Kontratat e centralizuara - Shërbimet e transportit ajror” planet e veprimit nuk ia kanë dërguar Zyra e Kryeministrit; Ministria e Punëve të Brendshme; Ministria e Drejtësisë; si dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Radio Televizioni i Kosovës (RTK) e ka dërguar me vonesë planin e veprimit për auditimin “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës”. Me vonesë është dërguar edhe plani i veprimit nga Thesari për raportin e auditimit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave-Payroll”. Rekomandimet e auditimit kanë për qëllim që t’i ndihmojnë institucionet publike të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin kontrollet për menaxhimin me paranë publike. Mënyra e zbatimit të rekomandimeve duke përfshirë kohën, masat dhe  resurset e nevojshme përcaktohen përmes Planit të Veprimit që përgatitet nga organizatat e audituara. Auditorja e Përgjithshme, znj. Vlora Spanca i fton Organizatat Buxhetore që nuk i kanë dorëzuar Planet e veprimit për zbatim të rekomandimeve që brenda një periudhe sa më të shkurtër kohore t’i përgatisin dhe dorëzojnë ato. Gjithashtu, znj. Spanca inkurajon të gjitha institucionet publike të audituara që të rrisin angazhimet e tyre në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të auditimit duke siguruar që përmes kësaj të përmirësohet performanca e përgjithshme e tyre. Të gjitha planet e veprimit për vitin 2021 të pranuara nga organizatat buxhetore dhe institucionet tjera të audituara janë të publikuara këtu.
Lexo më shumë