Në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit bilateral në mes të Zyres Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKA) dhe Gjykatës së Llogarive të Turqisë (TCA), në datat 27 dhe 28 shkurt 2025 është mbajtur trajnimi online dyditor me temën “Analiza e të dhënave në auditimin financiar”. Sesionet trajnuese janë mbajtur nga auditorë me përvojë të TCA-së me qëllim të ofrimit të njohurive dhe përvojës mbi ndikimin e zhvillimeve teknologjike në auditim dhe përdorimin e mjeteve analitike për të rritur saktësinë dhe efektivitetin e auditimeve financiare për auditorët e ZKA-së.
Temat kryesore që u trajtuan ishin mbledhja dhe verifikimi i të dhënave, analizat në auditimin financiar dhe zbatimi i “Big Data”. Përveç kësaj, auditorët e ZKA-së patën mundësinë t’a njohin për së afërmi Mjetin e Analizës së të Dhënave i quajtur VERA, si shembull praktik i aplikimit të analizës së të dhënave në auditim në Gjykatën e Llogarive të Turqisë.
Përmes këtij aktiviteti auditorët e ZKA-së patën mundësinë të kuptojnë më shumë për procesin e analizës së të dhënave në auditimin e pasqyrave financiare dhe konceptet e qeverisjes si dhe analizës së të dhënave për të mbështetur vlerësimin e rrezikut dhe vendimmarrjen gjatë procesit të auditimit financiar.